E Diel, 1 Nëntor 2026

Nën kujdesin e Kryeministrit të Shqipërisë, Zotit Sali Berisha, u zhvillua sot në mbrëmje në Qendrën Ndërkombëtare të Kulturës "Arbnori" tubimi përkujtimor me rastin e përvjetorit tÃ

Nën kujdesin e Kryeministrit të Shqipërisë, Zotit Sali Berisha, u zhvillua sot në mbrëmje në Qendrën Ndërkombëtare të Kulturës "Arbnori" tubimi përkujtimor me rastin e përvjetorit të parë të ndarjes nga jeta të Presidentit të Kosovës Ibrahim Rugova. Në ceremoninë përkujtimore ishin të pranishëm anëtarë të qeverisë, deputetë, përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në Tiranë, personalite të fushave të ndryshme etj..

Duke folur në kujtim të jetës dhe veprës së Presidentit Rugova, Kryeministri u shpreh:

"Jemi sot, në këtë tubim, për të shprehur nderimin tonë për njërin prej personaliteteve më të shquara të historisë sonë kombëtare, për burrin e madh dhe të shquar, të cilit bashkëkohësit i detyrohen ndoshta më shumë se kujtdo tjetër për nderin, dinjitetin dhe lirinë që ai ju dha.

Ibrahim Rugova vjen në historinë tonë kombëtare si një gjeni i vizionit kombëtar. Në fundin e viteve '80 dhe fillimin e viteve '90, Rugova i vetëm shpalli para kombit, Evropës dhe botës vizionin për Kosovën e pavarur. Këtë vizion, në atë kohë i papritur, Presidenti Rugova e hartoi dhe formësoi duke lexuar dhe kuptuar më mirë se çdokush tjetër shpirtin e shqiptarëve të Kosovës.

Gjeni në vizionin e tij, ai kurrë nuk u lëkund. Ndërsa ky vizion ndeshi me një skepticizëm universal, ai i qëndroi besnik atij. Ai qëndroi përballë një skepticizmi botëror, qëndroi përballë një presioni të jashtëzakonshëm rajonal, qëndroi përballë një moskuptimi edhe shqiptar në atë kohë. Por Rugova kishte kuptuar se një popull, që më shumë se kushdo tjetër në Ballkan kishte derdhur gjak e sakrifica për liri, një popull që me kryengritjen e tij titane bëri të pavarur Shqipërinë dhe i dha goditje përfundimtare perandorisë osmane, një popull vigan në përpjekjet e tij për liri dhe dinjitet, kishte përcaktuar pavarësinë si rrugën më të mirë, më të shkëlqyer për të ardhmen e tij.

Rugova nuk ishte vetëm një vizionar i madh. Rugova ishte një gjeni i kurajës njerëzore. Për vite e vite, në Ballkanin e luftërave dhe konflikteve, një duel ishte i pandërprerë. Një duel zhvillohej çdo minutë, çdo orë, çdo ditë, çdo javë, çdo muaj, çdo vit. Dhe ky ishte dueli midis Rugovës, nga baraka e tij ku mbate lidhjen e shkrimtarëve dhe diktatorit më gjakësor, që Evropa kishte njohur pas luftës së dytë botërore, Sllobodan Millosheviçit. Me një prej ushtrive më të forta e të fuqishme në Evropë, Millosheviç lau me gjak popujt e Ballkanit dhe ia doli me doktrinën e tij të ultra nacionalizmit të hapë qindra e mijëra varre, por nuk arriti dot të mposhtë Rugovën.

Në vjeshtën e vitit '92, dy diplomatë të shquar perëndimore, ish Sekretari i Shtetit Sairus Vens dhe ish Ministri i Jashtëm britanik Lordi Ouen, vizituan Tiranën me një qëllim dhe mision të vetëm, të kërkonin që të ndikoja tek Rugova që shqiptarët të merrnin pjesë në zgjedhjet e Serbisë. Gjatë një dreke ekspozova qëndrimin tim ndryshe dhe arsyen përse nuk do ta merrja një nismë të tillë. Biseda me këta burra të shquar ishte shumë e hapur dhe nga sa kuptova i binda se isha shumë i sinqertë në arsyet që paraqita. Në fund të bisedës, u them se do të bënin shumë mirë të vizitonin Prishtinën. Qëllimi im ishte i dyfishtë. Së pari, doja që Prishtina të lartësohej sa më shumë dhe të vizitohej sa më shumë nga komuniteti ndërkombëtar dhe po kështu Presidenti Rugova. Së dyti, kur e sheh realitetin në vend krijon përshtypjen dhe mendimet më të drejta. Këta diplomatë të shquar shumë shpejt vendosën dhe vizituan Prishtinën. Gjatë vizitës me vete morën edhe Kryeministrin Paniç, i cili u ndal tek autoritetet lokale serbe, ndërkohë që u kërkoi ta presin tek baraka e Rugovës, ku ai mbante konferencat për shtyp. Dy zotërinjtë e shquar shkuan të takimin me Presidentin Rugova, ndërsa Paniçi desh u kacafyt me përfaqësuesit e serbëve të Kosovës dhe u detyruan që ata me mjete të tjera ta nxirrnin Kryeministrin Paniç nga kthetrat e ultra nacionalistëve serbë në Kosovë. Erdhën më vizituan dhe më sollën përshtypjen më pozitive për Presidentin Rugova.

Në këtë kontekst, dua të theksoj se me kurajën dhe shpirtin e pamposhtur ai qëndroi si misionar i një çështjeje të madhe. Nga baraka e shoqatës së lidhjes së shkrimtarëve, përfaqësuesi i këtij populli, njëlloj si Davidi që mposhti Golian, do të vinte një ditë të pritej në Shtëpinë e Bardhë, do të vinte një ditë të laureohej me çmimin Saharov nga Parlamenti Evropian, të nderohej nga mbarë bota e qytetëruar për vlerat e mëdha që ai mbronte. Do të vinte një ditë, që ai, pas ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë për të mposhtur ushtritë e Millosheviçit, të shndërrohej në garanci kryesore të një Kosovë të lirë, Evropiane dhe të pavarur.

Trashëgimia e Rugovës e tejkalon një trashëgimi kombëtare. Pikërisht se ka këtë specifikë, ai ishte një udhëheqës i dashur për shqiptarët, por, njëkohësisht, ishte një udhëheqës që respektonte në shpirt të gjithë qytetarët e Kosovës. Një burrë, një djalë që rridhte nga një familje e ekzekutuar nga armiqtë e tij, por që kurrë ndonjëherë nuk më foli me armiqësi për ta. Kjo sepse e dinte që edhe ata ishin banorë, qytetarë të Kosovës dhe duhet të ishin dhe duhet të jenë qytetarë të barabartë para ligjit, duhet të jetojnë në Kosovë, duhet që së bashku me shqiptarët të ndërtojnë të ardhmen e tyre në Kosovë.

Sot, ne nderojmë Ibrahim Rugovën një vit pas vdekjes, por trashëgimia e tij është një trashëgimi e madhe, një trashëgimi paqeje, tolerance, mirëkuptimi, një trashëgimi evropiane. Rugova me Millosheviçin u përballën në një duel të pandërprerë. I pari prehet në altarin e lirisë së kombit, i dyti në analet e krimit të njerëzimit. Rugova, me vlerat që mbrojti, parimet që besoi, kauzën së cilës iu përkushtua, ka lënë në Kosovë trashëgiminë më të shkëlqyer. Trashëgimi që shërben realisht si plazmë e një vendi të lirë, të qytetëruar, të pavarur, e një vendi të qytetarëve të barabartë para ligjit, e një vendi ku jetojnë qytetarë me origjinë dhe besime të ndryshme dhe ka një vizion drejt të ardhmes, drejt Evropës. Jam i bindur se vitet që vijnë do të lartësojnë gjithnjë e më shumë personalitetin e Presidentit Rugova."

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›