Sot, Kryeministri Berisha zhvilloi një takim me qytetarë të Pogradecit. Kryeministri shoqërohej në këtë takim nga Zëvendëskryeministri Ilir Rusmali, ministri i Financave Ridvan Bode, ministri
Sot, Kryeministri Berisha zhvilloi një takim me qytetarë të Pogradecit. Kryeministri shoqërohej në këtë takim nga Zëvendëskryeministri Ilir Rusmali, ministri i Financave Ridvan Bode, ministri i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacioneve Lulëzim Basha, etj.
Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha theksoi:
"Është një kënaqësi e veçantë të takohem sot me ju, t'ju përshëndes shumë përzemërsisht me shumë mirënjohje dhe t'ju falënderoj për gjithë mbështetjen, rolin dhe ndihmesën tuaj në ndryshimin e madh të datës 3 korrik.
Vij këtu tek ju dhe kudo, duke ju shprehur bindjen time se verdikti i 3 korrikut ishte një verdikt historik. Në 3 korrik qytetarët hodhën mënjanë sistemin kleptokratik, sistem i cili pas diktaturave totalitare është sistemi më i shëmtuar, sistemi më çnjerëzor. Ky sistem nuk operon me totalitarizmin që, sipas Xhon Kenedit, përbën një armik të egër të njeriut, por ky sistem operon me një armik tjetër të njeriut, me varfërimin e qytetarëve. Doktrina e varfërisë, kleptokracia, vjedhja, shpërdorimi i pasurive publike nga qeveritarët vendorë, përbën shkakun më madhor të varfërimit të qytetarëve. Ndaj, më 3 korrik, ne u ndamë nga sistemi i kleptokracisë. Sistemi që shkoi, ktheu në ligj vjedhjen, auzimin me taksat, tatimet, pasuritë publike të shqiptarëve, në 8 vjet, jo më pak se 4 deri në 6 miliardë euro.
Kam ardhur tek ju me dhjetra herë, kam folur me ju dhe me qytetarët shqiptarë më shumë se për çdo gjë tjetër për korrupsionin. Shpesh herë ka patur mendime të ndryshme se nuk duhet marrë kaq shumë me të. Kam qëndruar dhe i qëndroj mendimit se ky është një kancer të cilin duhet ta luftojmë me vendosmërinë më të madhe. Ndaj dhe ne, pas 3 korrikut, nisëm të përballemi me problemet më të mprehta të vendit.
Së pari, me atë që kërcënonte jetën, më të çmuarën për qytetarët, me krimin e organizuar. Krimi i organizuar shqiptar ishte krimi më mizor në Europë, më i fuqishmi, më i pasuri dhe kjo, jo për shkak se shqiptarët janë frikacakë apo kriminelë, sepse e kundërta është e vërteta, por krimi i organizuar shqiptar arriti të fuqizohej në këtë shkallë vetem e vetëm për shkak të lidhjeve të tij me qeveritarët dhe zyrtarët. Kjo është e vërteta absolute. Kishte një simbiozë, një bashkëpunim në të gjitha nivelet me krimin e organizuar, përfshirë nivelet më të larta, prandaj ndodhi që ata të sundonin qytete të tëra, ndodhi që në veriun e Tiranës, për të mos thënë edhe më gjerë, ligjin e bënte Nehat Kulla që shpallej gjeneral, në Durrës ligjin e bënte Klani i Zemunit dhe lejtnantët e tij, që në Lushnje sundonte banda që priste koka njerëzish dhe luante futboll me to në sheshin e qytetit, që në Tropojë, grupet vrasëse sundonin dhe bënin ligjin. Por populli e di shumë mirë që nuk ka banditë trima. Ata i bënin të gjitha këto sepse kishin mbështetje të fuqishme tek ministrat, kryeministrat, tek qeveritarët, tek gjykatësit, ata kishin kapur shtetin. Shteti ishte në duart e tyre.
Pas 3 korrikut, ne u zotuam tolerancë zero ndaj krimit të organizuar. Jo të paktë kanë qenë ata të cilët rekomandonin që edhe ne të bënim simbiozë me ta, por ishin të gabuar. Ne kemi vetëm një qëndrim; ligjin, ligjin dhe vetëm ligjin për ta. Janë ndaluar dhe vendosur para ligjit, kudo ku ata janë ndodhur, në çdo cep që janë futur, apo në shpellat e Alpeve. Nuk do të ketë paqe për ata që kanë bërë krime. Jeta juaj, e fëmijëve tuaj, siguria e pasurive tuaja, veprimtarisë suaj, siguaria juaj, janë qëllimi ynë absolut dhe ne do t'i përmbahemi në mënyrë absolute këtij qëndrimi.
Sërish dua t'ju them se beteja është në vazhdim. Mbarë Europa pa vendosmërinë e kësaj qeverie për të vendosur prapa hekurave bandat dhe kriminelët, por janë jo të paktë avokatët e tyre në shtetin e sotëm dhe jo të paktë janë edhe të kapurit prej tyre. Por unë kam besim tek ligji, tek ju dhe morali juaj.Çdo ditë e më shumë na rritet përkushtimi për t'ju përmbajtur këtij qëndrimi.
Cfarë ndodh sot me të kapurit? Për këtë dua t'ju jap vetëm një shembull. Kryetari i Gjykatës së Lushnjes, sipas deponimeve në sallën e gjyqit të një dëshmimtari, i cili deklaronte se kur ne vrisnim natën, zëvëndësi i Aldo Bares, Dondollaku, urdhëronte këtë kryetar të na lironte në mëngjes. Kjo është dëshmi. Dhe unë dua t'ju bëj një pyetje: Cili nga shqiptarët, po të kishte vepruar në këtë mënyrë, nuk do të ishte së bashku me Bandën e Aldo Bares në gjykim? Por ku është sot ky zotëri? Është ministër në qeverinë e drejtësisë, anëtar i KLD-së.
Të dashur qytetarë! Unë kërkoj nga ju që ta keni të qartë se, për shkak të pavarësisë që duhet respektuar, drejtësia ka qeverinë e saj. Kështu është në të gjithë botën. Por kjo qeveri e drejtësisë, e cila është përgjegjëse për emërimin, shkarkimin, për vënien në ndjekje penale, për ngritjen në përgjegjësi, etj quhet Këshilli i Lartë i Drejtësisë. Kjo qeveri, jashtëzakonisht e rëndësishme, është një qeveri e cila në veprimtarinë e vet përcakton më shumë se çdo gjë tjetër liritë dhe të drejtat tuaja. Por çfarë ndodh realisht në këtë qeveri?. Në këtë qeveri ndodh që ky bandit, me jakë të bardhe e me kollare, në vend që të gjykohet për bashkëpunim me vrasësit, ai bëhet ministër dhe kjo sepse është i aftë të paguajë 300 mijë euro, 500 mijë euro, është i aftë të bëjë ç'të dojë.
Kjo është situata. Ne erdhëm në 3 korrik si një popull realisht i dënuar, me një dënim të pashpallur. Përse e them këtë? Dyert e Europës ishin pothuajse të mbyllura për ne. Kush pranonte një vend me një krim të organizuar në nivel kaq të lartë, kush mund të pranonte një vend në të cilin, në sheshet e qyteteve të tij luhej futboll me koka njerëzish?
Ju i hapët dyert ndryshimit dhe ne shfrytëzuam votën tuaj për t'i goditur bandat, për t'i vendosur para ligjit dhe u nënshkrua Marrëveshja e Stabilizim-Asocllimit. Në rast se marrëveshja e MSA u nënshkrua me BE-në, kjo erdhi totalisht si rezultat i luftës që ndërmorëm kundër krimit të organizuar.
Edhe njëherë dua të ndalem këtu, para jush dhe para gjithë qytetarëve, duke theksuar se kjo betejë duhet çuar deri në fund. Sërish Shqipëria është e penalizuar ne një aspekt tjetër. Me këtë sistem drejtësie, më i korruptuari në Europë dhe në botë, vendi është i ndëshkuar. Investitorët e huaj do ta kenë shumë të vështirë, shqiptarët do ta kenë shumë të vështirë. Ndaj edhe ne duhet ta vazhdojmë betejen, në mënyrë demokratike, të vendosur. Në 3 korrik ne nxorrëm në pension qeverinë dhe kryeministrin më të korruptuar në Europë dhe do ecim përpara që të nxjerrim në pension qeverinë e drejtësisë shqiptare më të korruptuar në planet. Sikundër, Prokurori i Përgjithshëm do t'i nënshtrohet hetimit të pavarur, sepse ka qenë për vite te tera në detyrë protektor kryesor i Aldo Bareve në Shqipëri. Si ka mundësi që policia shqiptare i arrestoi ata brenda pak muajve? Kjo sepse prokuroi nuk i mbrojti më dot ata. Dhe tani, çdo ditë ai bën përpjekje për të dekurajuar dëshmitarët e penduar.Çdo ditë bllokon dosje të banditëve. Do të filloje një proces hetimor ndaj tij, ligji po përgatitet dhe do t'i dorëzohet parlamentit dhe, bashkërisht, në mënyrë demokratike, do t'i shkojmë deri në fund kësaj çështjeje.
Ne u përballëm me kleptokracinë dhe korrupsionin. Ne kishim shumë të drejtë kur thamë se luftën kundër korrupsionit do ta nisnim nga vetja jonë. Po ju them se kur shkova dhe u ula në zyrën time, u ula në një karrige të zhytur në korrupsion. Prandaj deklarova se do ta nisnim nga vetja jonë, pasi në ato zyra shpenzohej pothuaj 3 herë më shumë se sot për të përmbushur detyrat qeveritare. Dhe këto shpenzoheshin për telefona, udhëtime, makina, etj. Këtë e bëmë duke vendosur thjesht kritere perëndimore, të cilat nuk lejojnë që paratë tuaja të përdoren, nga unë dhe qeveritarët apo zyrtarët, për qëllime private e personale. Ne ia dolëm të shkurtojmë 40 përqind të gjitha shpenzimet e administratës qendrore në Shqipëri. 46 milionë euro nuk ishin pak për ne.
Gjithashtu, ne e nxorrëm administratën jashtë konfliktit të interesit. Nxorrëm një ligj për pjesëmarrje të publikut në luftën kundër korrupsionit. Më lejoni të shpreh mirënjohjen më të thellë ndaj atyre mijëra e mijëra qytetarëve që gjatë këtij viti bënë të mundur suksesin e kësaj lufte. Ju ftoj ju dhe të gjithë shqiptarët, të vazhdojmë së bashku këtë beteje. Denoncimet tuaja të akteve korruptive janë leva e Arkimedit për të luftuar këtë kancer Ndaj nuk duhet të dekurajohemi. Unë ju jap fjalën që pas cdo denoncimi tuajin qëndron kryeministri me gjithë fuqinë e tij.
Rezultatet e luftës kundër korrupsionit janë konkrete dhe jo abstrakte, janë të tëra para, janë 504 milionë dollarë, të gjitha vetëm nga lufta kundër korrupsionit. Shumë të paktë ishin ata që e besonin, madje edhe nga ndërkombëtarët, se ne mund të realizonim këto që realizuam. Unë ju jap fjalën se këto janë vetëm gjysma e atyre që ne do të realizojmë. Popujt i bën të varfër korrupsioni dhe vetëm korrupsioni. Ai është shkaku kryesor i varfërimit të tyre. Ne do ta vazhdojmë këtë betejë.
Prokurimet publike këtë vit kanë kushtuar 25 përqind më pak dhe kjo sepse bëhen me transparencë, sepse në garë nuk janë më koskat mafioze që përcaktojnë fituesit, nuk është më zarfi i ministrit apo drejtorit. Ka tendera në të cilat kanë marrë pjesë 54 kampani e më shumë. Ligji i ri, të cilin e kemi dërguar në parlament, është akoma edhe më i mirë. Ne jemi një komb me shpirt e vokacion perëndimor. Perëndimi, prej shekujsh, është ndarë nga sistemi kleptokratik i korrupsionit. Ndaj ne nuk duhet për asnjë moment të dobësojmë luftën kundër tij.
Ju e shihni që ne jemi përpjekur, jo vetëm me projekte të mëdha, jo vetëm me vendosjen e bandave kriminale para ligjit, por jemi përpjekur dhe kemi patur parasysh edhe xhepin e çdo qytetari shqiptar, që edhe ai të ketë dicka më shumë.
Cilat janë ato projektet që kemi më tej? Qeveria, 72 milionë dollarë i ka futur në fondin e pensioneve, një faturë e lartë kjo. Kaq nuk janë futur në 8 vite për pensionet. Ndaj edhe në datën 1 dhjetor nuk do të ketë pension të qytetit nën 100 mijë lekë, ndërsa në 1 janar nuk do të pensione në fshat nën 50 mijë lekë. Janë 389 800 pensionistë që përfitojnë.
Rriten me një mesatare 20 përqind rrogat e administratës shqiptare. Sot, 39 mijë arsimtarë marrin një rrogë 23 përqind më të lartë sesa një vit më parë. 12 mijë infermierë marrin një rrogë 28 përqind më të lartë se një vit më parë dhe kështu me radhë.
Por nuk janë vetëm pensionistët dhe rrogëtarët që përfituan. Përfituan edhe mbi 100 mijë familje të biznesit të vogël në Shqipëri. Me një akt ne përgjysmuam taksën e tyre. Ne kemi bërë një studim me të cilin është vlerësuar se 32 përqind e këtyre biznesmenëve thonë se me këto para të kyrsyera nga taksa do të zgjerojmë biznesin, 18 përqind e tyre thonë se do hapin edhe një biznes tjetër, mbi 30 përqind thonë se do përmirësojnë me to kushtet e jetës familjare. Ne kemi dëshmuar, me këto para që mblodhëm, një qëndrim shumë miqësor ndaj biznesit në tërësi. 1/3 e këtyre parave ne ia kemi kthyer sërish biznesit, sepse ai është gjenerator i pasurisë kombëtare, gjeneratori i punësimit kombëtar, gjeneratori i zhvillimit kombëtar. Ndaj ne, për të ulur koston e punës, ulëm me 1/3 taksën e kontributit të sigurimeve shoqërore, për të ulur koston e prodhimit ne ulëm me 33-45 përqind çmimin e energjisë për biznesin. Por nuk do të bëjmë vetëm kaq.
Për qeverinë, fëmijët tanë janë përparësia më absolute. Jemi shumë të vendosur që të bëjmë çdo investim që ata të shkollohen në shkolla moderne. Por, për fatin më të keq, në këto 8 vjet arsimi në Shqipëri ka njohur një rrokullisje të vërtetë dhe këtë e di çdo arsimtar. U mbyllën 95 përqind e shkollave të quajtura bujqësore dhe profesionale, Dhe rezultati i kësaj ishte dramatik. Niveli i shkollimit me shkollë të mesme, nga 87 përqind që ishte në vitin 90 ka zbritur në vitet 2004-2005 në 36-37 përqind. Vitet e shkollimit kanë zbritur nga 11.3 në 9.2 vjet. Fëmijët po ecnin drejt padijes. Kjo nuk mund të tolerohet dhe do të ketë një qëndrim me tolerancë zero.
Ne hapëm universitete dhe bëmë një gjë shumë të mirë. Nuk ka gjë më të mirë sesa t'i japësh mundësinë të riut që të realizojë ëndrrën e tij, por kjo realizohet vetëm për 1/3 e tyre, ndërsa 2/3 e tyre nuk kanë mundësi të ndjekin shkollat e mesme. Ne do të hapim konvikte në Pogradec e në çdo qytet dhe do t'i mbledhim të rinjtë e çdo rrethi, kudo që janë. Të gjithë fëmijët që duan të ndjekin shkollën e mesme do të kenë të garantuar dyert e hapura në konvikte.
Ne e konsiderojmë investimin për fëmijët si investimin më të rëndësishëm edhe për të ardhmen e shoqërisë. Ne kemi rritur në mënyrë progresive buxhetin për arsimin, do ta rrisim deri sa ta dyfishojmë dhe tejkalojmë dyfishimin e tij. Ne kemi garantuar një kredi prej 65 milionë euro për arsimin. Asgjë më të madhe nuk mund të bëjmë për të ardhmen tonë, sesa të shkollojmë fëmijët tanë. Ne do të vazhdojmë programin me tolerancë zero edhe ndaj analfabetizimit. Imagjinoni një shoqëri që i rrit vogëlushët e saj në errësirë. Ministri i Arsimit ka marrë porosi të prerë që të paraqesë projektin që asnjë fëmijë të mos mbetet pa mësuar gërmat e gjuhës mëmë dhe tabelën e shumëzimit. Ne do ta bëjmë këtë kudo që ata ndodhen.
Ne jemi të vendosur të reformojmë edhe shëndetësinë, ta shndërrojmë atë në një shërbim që ju e meritoni. Unë jam i vetëdijshëm se situata nuk është ajo që ju meritoni, por unë kërkoj mirëkuptimin tuaj. Janë reformat ato që i japin përgjigje dhe ne i kemi nisur këto reforma.
Paratë e mbledhura ne synojmë t'i investojmë në rrugë, ujësjellësa, termocentrale. Ne duhet të kuptojmë një gjë, që vetëm në rrugë ne kemi të garantuara, sot, fonde prej 1.2 miliardë euro dhe këto i garantuam vetëm sepse hoqëm dënimin, korrupsionin. FMN, me të cilën ne kemi marrëveshje - dhe do ta zbatojmë atë, - konstatoi se me të vërtetë parashikimet tona, sado amicioze që u dukën, i bëmë realitet, konstatoi se ka marrë një goditje shumë të rëndë vjedhja e taksave tuaja. Më parë nuk jepeshin fonde nga vendet e tjera, pasi ata mendonin se këto para do të vidheshin dhe nuk kishin pse të jepnin para për t'u shpërdoruar. Kjo ishte arsyeja.
Javën e kaluar u trefishua niveli i kreditimit për Shqipërinë dhe është trefishuar nga 120 milionë euro, në 380 milionë euro. Ju siguroj se, në rast se ne luftojmë me eficencë kokrrupsionin, në rast se ne nxjerrim shtetin nga kapja, këto shifra që unë citoj, në një kohë shumë të shkurtër, do të duken tepër të vogla.
Shqipëria ka potenciale të jashtëzakonshme dhe ne këto 1.2 miliardë euro do t'i shndërrojmë në rrugë në të katër anët e vendit.
Çfarë do të bëjmë për Pogradecin? Do të mbrojmë liqenin në të gjitha aspektet, do të përfundojmë kolektorin Lin-Tushemisht dhe sistemin e kanalizimeve. Do të shmangim trafikun rrugor nga zona e liqenit dhe rruga afer tij do t'i mbetet turizmit, pasi trafiku e dëmton turizmin. Nis së shpejti autostrada Korçë- Qafë-Thanë dhe Pogradeci do të ketë daljen e vet. Ne jemi shumë të vendosur për t'i bërë këto. Jemi të vendosur të marrim cdo masë tjetër që ky liqen, kaq i adhuruar nga ju dhe nga të gjithë ata që e vizitojnë atë, të marrë parametrat më të mirë që i takojnë.
Ne do të zbatojmë në Pogradec edhe politikat e strehimit. Vitin që vjen trefishohen financimet e qeverisë për zgjidhjen e problemit të strehimit. Burimi kryesor për Pogradecin është turizmi. Sezonin veror që kaloi ka patur një rritje të paparashikuar të turizmit, në shkallë vendi, ndër më të mëdhatë, me 33 përqind. Ne do të punojmë që turistët që do të vijnë në Shqipëri të gjejnë të gjitha kushtet. Në këtë drejtim, ne duhet të përhapim traditën tuaj. Tradita e Pogradecit është tradita më e shkëlqyer e Shqipërisë. Turizmi është përparësi për ne dhe përpiqemi me të gjitha mundësitë për të lehtësuar investimet dhe investitorët.
Revolucioni ynë fiskal është vlerësuar dhe nga një kompanitë më të mëdha të vlerësimit. Shqipëria këtë vit qëndron e para në planet për uljen e taksave në përqindje. Dhe ky është një mesazh shumë i mirë që ne u japim biznesmenëve shqiptarë dhe të huaj. Ne do të vazhdojmë më tej në këtë drejtim. Nisma" Shqipëria një euro" është një tjetër mesazh shumë i madh që ne u dërgojmë biznesmenëve. Ligjet i kemi ndryshuar. Edhe ato janë një garanci tepër e madhe. Këto shifra, pak vite më vonë do të duken shumë të vogla, pasi ne jemi të vendosur të ndezim fuqishëm të gjithë motorrët e rritjes ekonomike të vendit.
Ne jemi në prag të një evenimenti të madh politik dhe këto janë zgjedhjet vendore, së pari, sepse qytetarët me to zgjedhin qeveritarët e tyre direkt. Së dyti, sepse ne nuk e kemi kaluar provimin e zgjedhjeve të lira. Në korrik, në një rast unik në historinë e zgjedhjeve, opozita fitoi në kushtet e zgjedhjeve jo të lira dhe të ndershme. Kjo do të thotë që, sado që vodhi dhe dhunoi qeveria, aq të shumta ishin votat sa nuk arriti të përmbysë rezultatin. Ky ishte një verdikt historik. Por tani ne duhet të bëjmë që cdo votë e qytetarëve shqiptarë, për çdo parti që të hidhet, të nderohet dhe çmohet në mënyrën më të qytetëruar. Kërkoj edhe bashkëpunimin tuaj.
Unë siguroj të gjithë qytetarët e Pogradecit të të gjithë spektrit politik se, qeveria ime mbetet totalisht e përkushtuar për proces zgjedhor të lirë dhe të ndershëm, sepse në këtë mënyrë ne i zgjidhim vendit një nyje që ia lidhi në fyt sistemi kleptokratik. Asnjë komb rreth nesh nuk diskuton më për zgjedhjet. Ata votojnë të lirë, ndërrojnë qeveritarët sipas mendimit të tyre, i votojnë ata sipas mendimit të tyre. Edhe ne nuk kemi asnjë dallim nga të tjerët. Kishim një sistem kleptokratik që na pengoi. Le të votojmë të gjithë të lirë në këto zgjedhje.
Opozita sot ka probleme serioze. Kreu i opozitës, apo kryetari de juro në PS, futi me një shpejtësi të madhe dhe riktheu në partinë tij 97-ën, u përpoq ta trasferonte atë në shoqëri, por e pa që shoqëria ishte krejt e ftohtë dhe e gatshme ta ndëshkonte, ndaj u tërhoq. Tani 97-a është kthyer në PS. Kërcasin grushtat e karriget, nga kryesia qëndrore deri në ato të degëve. Një grusht një votë, një karrige një votë, ka zëvendësuar parimin një anëtar një votë. Kjo është e vërteta.
Por, pavarësisht nga kjo, unë i garantoj gjithë qytetarët se përkushtimi im absolut, i qeverisë që unë drejtoj, i forcës politike, është zgjedhje të lira dhe të ndershme. Kjo është jetike për kombin, këtë do ta realizojmë pa mëdyshje.
Edhe njëherë ju përshëndes shumë përzemërsisht dhe ju siguroj se këtë premtim do ta shndërrojmë në realitet. Unë nuk kam forcë tjetër për të mbajtur fjalën time përvec mbështetjes suaj, bashkëpunimit me ju, përpunimit të vizionit për zhvillimin e vendit, sëbashku me ju".