Në përfundim të vizitës në qytetin e Korçës, Kryeministri Berisha zhvilloi, pasditen e djeshme, një takim me studentë të Universitetit të Korçës, ku ishin të pranishëm studentë te degÃ
Në përfundim të vizitës në qytetin e Korçës, Kryeministri Berisha zhvilloi, pasditen e djeshme, një takim me studentë të Universitetit të Korçës, ku ishin të pranishëm studentë te degëve Filozofi, Ekonomi-Biznes dhe Mësuesi.
Kryeministri bashkëbisedoi me studentët dhe ndau mendime rreth çështjeve kryesore të reformës në sistemin arsimor, problemeve me të cilat ndeshen sot universitetet, etj. Gjithashtu, Kryeministri u njoh me shqetësimet e studentëve, veçanërisht me interesimin e tyre për mundësitë që ofrohen për punësim pas përfundimit të studimeve. Kryeministri siguroi studentët e këtij universiteti, por edhe të gjithë universiteteve të vendit, se do te kenë mbështetjen e plotë të qeverisë dhe do të jenë përparësi absolute e saj, pasi kjo qeveri e konsideron jetike për të ardhmen e vendit investimin në sistemin e edukimit të të rinjve shqiptarë.
Më pas, Kryeministri u takua me pedagogë të Universitetit të Korçës. Rektori i këtij universitetit Gjergji Pendavinji i uroi mirëseardhjen Kryeministrit, në emër të stafit akademik të Universitetit. "Ju falënderojmë vecanërisht, sepse ju jeni i pari Kryeministër që vizitoni Universitetin e Korçës, si dhe për kujdesin që tregoni për universitetet dhe për rritjen e investimeve në sistemin arsimor", u shpreh zoti Pendavinji. Gjithashtu, ai vlerësoi bashkëbisedimin e drejtëpërdrejtë që Kryeministri zhvilloi me studentët e universitetit.
Rektori Gjergj Pendavinji i dorëzoi Kryeministrit, në emër të stafit akademik të universitetit, stemën e këtij universiteti dhe një sërë botimesh shkencore të pedagogëve të tij.
Kryeministri Berisha vlerësoi mikpritjen dhe nderin e veçantë që iu bë gjatë vizitës në këtë universitet. Zoti Berisha siguroi pedagogët se qeveria ka përparësi absolute arsimin. "Ne jemi shumë të vendosur që të modernizojmë sistemin arsimor të vendit, të modernizojmë universitetet tona. Ju duhet ta keni të qartë se çfarë do të thotë për një qeveri që të kalojë brenda 15 muajve nga një buxhet me 2.2 përqind të prodhimit të brendshëm bruto, në një buxhet prej 3.45 përqind të PBB-së që është sivjet buxheti për arsimin", theksoi Kryeministri. Kryeministri shprehu vendosmërinë e qeverisë për ta dyfishuar këtë buxhet dhe për ta tejkaluar madje këtë objektiv.
Unë besoj, - u shpreh Kryeministri, - se "investimi më i sigurt dhe më frytdhënës është investimi në arsim. Në këtë kontekst, unë i garantoj universitetin tuaj dhe të gjitha universitetet e vendit se do te keni një mbështetje të madhe nga kjo qeveri. Ne e konsiderojmë jetike për të ardhmen tonë investimin në sistemin e edukimit të të rinjve shqiptarë". Kryeministri ftoi pedagogët e studentët që të angazhohen me guxim në reformat në arsim, të cilat, - vlerësoi ai, - "synojnë të forcojnë autonominë tuaj dhe t'ju përshtasin juve me kushtet e tregut"
Duke iu referuar takimit me studentët, Kryeministri bëri të ditur se preokupimi i tyre më madhor ishte çështja e punësimit të tyre. Kryeministri vlerësoi shumë të drejtë këtë shqetësim të tyre, duke nënvizuar se është jashtëzakonisht e rëndësishme që universitetet të mund të përshtaten me kushtet e tregut, të mund të ndjekin kërkesën e tregut dhe t'i përgjigjen asaj.
"Qeveria do të investojë në arsim dhe jemi të vendosur për këtë. Nga 400 milionë që ka qenë në vitin 2004 investimi për arsimin, këtë vit është 1.4 miliardë dhe do të jetë më shumë vitin tjetër. Ne do të bëjmë cdo përpjekje për të siguruar fondet. Kemi siguruar një kredi prej 65 milionë euro për arsimin. Por mund të shkojmë edhe në 150 milionë, por kjo kërkon edhe soft-in e saj, kërkon që ne të dimë ku të investojmë, si të investojmë dhe si të përshtatemi. Ne jemi komb i ri, prandaj dhe duhet t'i drejtohemi së pari të rinjve. Në këtë proces ne do të ecim drejt reformës gradualisht. Në botën akademike është gradualiteti ai që duhet përdorur. Është më e dobishme që reforma të bëhet gradualisht, duke u pranuar dhe jo duke u imponuar. Intelektuali ka një detyrë; të mos pranojë status-quo-në dhe të mos harrojë se, për fat të keq, kjo është sëmundja më e keqe e tij. Intelektuali duhet të shohë gjithnjë përpara, të mund të shohë se si të realizohet më tej, sepse i ka të gjitha potencialet. Ne kemi bërë hapa të rëndësishëm për arsimin tonë dhe do të bëjmë akoma më shumë", theksoi Kryeministri Berisha.