E Diel, 1 Nëntor 2026

Sot Kryeministri, përurime dhe takime në Korçë

01-05-2013 / Gazeta 55

Kryeministri Sali Berisha do të marrë pjesë sot në përurimin e rrugës Zemblak – Liqenas, investim i buxhetit të shtetit me vlerë mbi 1 miliardë lekë.
Rruga me gjatësi 13.1 km ofron për banorët e zonave përreth të gjitha parametrat e një infrastrukture bashkëkohore dhe të standardeve më të larta, njoftoi zyra e shtypit e Qeverisë. Ky segment fillon në Zemblak, në kryqëzimin e rrugës së re Korçë- Bilisht me Zemblakun, kalon përmes fushës së Korçës për rreth 3 km, pastaj ngjitet në Qafen e Zvezdes dhe vazhdon përgjatë fushës së Korijeve, përgjatë Malit të Zvezdës deri në kryqëzimin e fshatit Liqenas me rrugën e Doganes së Gorricës.
Gjithashtu, Kryeministri Berisha do të marrë pjesë mesditën e së mërkurës, në përurimin e rikonstruksionit të godinës së Universitetit “Fan Noli”, në qytetin e Korçës, investim me vlerë 122 milion lekë. Kjo godinë e shndërruar tashmë në një institucion modern universitar, ka auditore të pajisura me mjete audiovizuale e të teknologjisë së informacionit, duke rritur në këtë mënyrë cilësinë e mësimdhënies për 7000 studentët e saj.
Universiteti ka sot 4 Fakultete si dhe filialin e Pogradecit, i çelur në vitin 2009. Në të bëjnë pjesë 13 departamente, si dhe një Qendër Ekselence në Fakultetin e Edukimit dhe Filologjisë. Ky universitet ofron 24 programe studimi  Bachelor; 13 programe studimi: Master Professional; 5  programe studimi: Master i Shkencave; 1 program studimi: Doktoraturë. Në mjediset  e tij funksionojnë 3 salla videokonference dhe 28 laboratorë.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›