E Diel, 1 Nëntor 2026

Lumasi i Beratit jep një leksion mbi entuziazmin me të cilin pritet alternativa e Berishës për investime dhe ndryshim reformator

01-05-2013 / Gazeta 55

Turi i takimeve të Kryeministrit Sali Berisha vijoi në Berat, në bashkëbisedimin me intelektualë, fermerë e të rinj. “Rama me pengmarrjen e statusit të vendit kandidat privoi Shqipërinë nga qindra milionë euro investime”

“Edi Rama me pengmarrjen e statusit të vendit kandidat privoi Shqipërinë nga qindra milionë euro investime”.
Kështu u shpreh dje, midis të tjerave, Kryeministri Sali Berisha, gjatë fjalës së tij në ceremoninë e përurimit të qendrës së komunës Lumas në Berat.
Në takimin me banorët e Lumasit, Kryeministri theksoi, se Partia Demokratike angazhohet të bëjë gjithçka për mirëqenien e fermerëve të Lumasit, Beratit dhe të gjithë Shqipërisë. “Do të bëjmë gjithçka të ndërtojmë në këtë komunë çdo kilometër rrugë. Të ndërtojmë dhe rindërtojmë çdo shkollë, qendër shëndetësore. Të ndërtojmë sistemin më të mirë të vaditjes. Të bëjmë gjithçka që ju, me mundin, djersën tuaj, të rrisni në mënyrë të pandërprerë mirëqenien tuaj, të familjeve tuaja, të komunitetit tuaj, të Beratit dhe Shqipërisë”. “Vij te ju për t’iu garantuar se 4 vitet që vijnë do të asfaltojmë çdo kilometër rrugë në komunën e Lumasit. Garantoj fermerët e Lumasit se 4 vitet që vijnë do të trefishojmë grantet për fermat tuaja dhe projektet tuaja. Vij për t’ju dhënë fjalën se 4 vitet që vijnë do të vazhdojmë rritjen e madhe të pensioneve në komunën tuaj dhe mbarë Shqipërinë. Vij këtu për t’ju garantuar se 4 vitet  që vijnë ju do të keni zero taksa, do të rimbursojmë me para në dorë çdo import që bëni për fermat tuaja, për naftën, plehrat kimike, fidanët dhe imputet e tjera që përdorni. 4 vitet që vijnë do të rimbursojmë taksën e vlerës së shtuar (TVSH-në) për çdo gjë që përdorni ju, për ullishtat, vreshtat, serat, gjedhët, të imtat, bletët dhe çdo gjë tjetër të ekonomive tuaja”, iu drejtua Kryeministri Berisha banorëve të komunës Lumas.
Vij tek ju, vijoi kreu i qeverisë, “për t’ju siguruar se mundi dhe djersa juaj, projektet për fermat tuaja, kanë vlerësimin më të madh nga kjo qeveri dhe qeveria e fitores së zgjedhjeve të qershorit 2013. Vij për t’ju dhënë fjalën se puna juaj, fermat tuaja janë në krye të axhendës tonë, për t’ju ndihmuar për begatinë tuaj. Vij këtu dhe ndjehem krenar me ju. Duke ardhur kësaj lugine pashë se si ju keni qëndisur me qindra mijëra rrënjë ullinj në këto kodra. Ju bëj thirrje ju grave dhe burrave punëtorë të Lumasit se aty ku ka një shkurre mbillni një ulli, një vresht. Mbillini pasi ne do t’ju mbështesim me të gjithë fuqinë tuaj”.
Sipas Kryeministrit Berisha, 4 vitet që vijnë mbështetja e qeverisë për fermerët do të shumëfishohet edhe nëpërmjet Komisionit Europian. “Me përpjekjet më të ndershme, më të mëdha, të përbashkëta ia dolëm të meritojmë heqjen e vizave dhe ju sot lëvizni të lirë në mbarë Europën. Ia dolëm që në tetorin e vitit të shkuar KE të rekomandojë Shqipërinë për statusin e vendit kandidat, me kusht që të votojë 3 ligjet. Rama ishte ai që mori peng statusin e vendit kandidat për Lumasin, Beratin dhe Shqipërinë. Ai që duke marrë peng statusin e vendit kandidat privoi fermerët shqiptarë nga një shumëfishim i mbështetjes së tyre financiare. Privoi Shqipërinë nga qindra milionë euro investime në rrugë, ura, kanalizime, ujësjellësa. Nga krijimi i qindra mijëra vendeve të punës. Ai bëri një gabim që do mbetet në histori. 23 qershori po vjen. Së bashku me ne do të votojnë të gjithë qytetarët e Lumasit, Beratit dhe mbarë Shqipërisë që duan ta shohin vendin e tyre kandidat për anëtar në BE. Që duan që Shqipëria të hapë negociatat për në BE. Që duan që fermerët shqiptarë të përfitojnë më shumë për fermat e tyre, që të rinjtë të studiojnë në vendet europiane”, tha Berisha. Më 23 qershor, vijoi Kryeministri Berisha, “do të votojmë për Lumasin me rrugë, shkolla, kanalizime, qendra shëndetësore të niveleve më të mira. Në komunën Lumas janë mbjellë 320 mijë rrënjë ulliri. Do të votojmë për Lumasin një kopsht të mrekullueshëm të Beratit dhe Shqipërisë. Do të votojmë për rritjen e punësimit, pensioneve dhe mirëqenies”.

“Angazhim total kundër dhunës në familje”
Në morinë e takimeve në Berat, Kryeministri Sali Berisha apeloi dje edhe për angazhimin total të vajzave e grave dhe  të gjithë shoqërisë, për të ngritur një opinion të fuqishëm kundër dhunës në familje. Këtë thirrje drejtuar shoqërisë shqiptare, Kryeministri Berisha e bëri gjatë bashkëbisedimit në Berat, me përfaqësuese të  administratës lokale dhe shoqërisë civile, të angazhuara kundër dhunës në familje si punonjëse sociale, mjeke dhe infermiere, psikologe, përfaqësuese të pushtetit lokal dhe të shoqatave të ndryshme të fushës.
Së bashku, tha Kryeministri, duhet të bëjmë gjithçka për një opinion të fuqishëm, por edhe të një serie masash për goditjen e krimit në familje, për mbrojtjen e mbështetjen e grave dhe vajzave, për ngushtimin e diferencës në pagë midis burrit dhe gruas dhe luftimin e pabarazisë gjinore në përgjithësi.
Duke përshëndetur pjesëmarrëset në këtë takim për mbështetjen e madhe që i kanë dhënë në këto vite Partisë Demokratike, programit të saj të transformimit të Shqipërisë, Kryeministri Berisha theksoi se, “roli juaj në të gjitha arritjet e vendit ka qenë kryesor dhe mbetet i tillë. Duke theksuar këtë, së bashku duhet të njohim një problem madhor që ekziston në shoqërinë tonë, një problem që fatkeqësisht ekziston në çdo shoqëri të lirë dhe që është i lidhur me murin e patriarkisë, murin e ndërtuar në shekuj e mijëvjeçarë, një mur që edhe në kohërat moderne ka gjetur mbështetjen e tij. Ky mur është shumë i fuqishëm dhe jo vetëm ndërpret karriera, por ka edhe aspekt agresiv, dhunën që ushtrohet ndaj gruas në familje”.
Berisha tha se duhet t’i shohim gjërat “drejt e në sy”, në mënyrë që të mund t’i ndryshojmë. “Në traditën tonë ka qenë i palëkundur respekti ndaj gruas. Por sot, dhuna në familje është bërë një problem serioz për shoqërinë tonë. Kjo kërkon guxim e kurajë. Statistikat e denoncimit të kësaj dhune janë gjithnjë e më shumë premtuese. Gra e vajza e denoncojnë dhunën, por duhet të bëjmë gjithçka për t’ju garantuar mbrojtjen dhe mbështetjen e duhur. Me dhunë nuk ndërtohet familja, por ndërtohet skllavëria. Ndaj për ne është e një rëndësie të jashtëzakonshme një angazhim total i vajzave dhe grave, për të ngritur një opinion të fuqishëm kundër dhunës”, tha Kryeministri Berisha.
Kryeministri informoi se forcimi që i bëmë Kodit Penal ka dhënë rezultate.
Duke iu referuar arritjeve të vajzave dhe grave Berisha tha se "sot, 70 për qind e studentëve të mjekësisë janë vajza, 60 për qind në ekonomi janë vajza. E vërteta është se edhe në programet e kualifikimit e të punësimit, 71 për qind e qytetarëve që kanë përfituar janë vajza e gra. Ne përpiqemi e do të përpiqemi të përmirësojmë pozicionin e tyre, por ndjekja e karrierës është jashtëzakonisht e rëndësishme për një vajza e grua. Me këtë dua të them se duhet të bëjmë gjithçka që vajzat e gratë që diplomohen t’i përkushtohen profesionit, pavarësisht se i shoqi mund të ketë një punë a biznes të atillë që i bën të ardhurat e saj të parëndësishme. Problemi nuk qëndron tek të ardhurat, por tek potencialet, kontributi e roli i saj". Berisha kërkoi që në këtë proces të mos udhëhiqemi vetëm nga rrafshi njerëzor, ndonëse edhe ky është i rëndësishëm.

Berati në vitet e fundit

Janë shumëfishuar investimet, është dyfishuar numri i bizneseve”

Në këto vite në qarkun e Beratit janë ndërtuar dhe rikonstruktuar mbi 500 kilometër rrugë, 60 shkolla e kopshte, 31 ujësjellës e kanalizime, 46 qendra shëndetësore e ambulanca, si dhe janë subvencionuar 2600 hektarë me ullishta, pemëtore, vreshta, spërkatje e sera, prej të cilave kanë përfituar 6840 fermerë, 25 herë me shumë se gjatë qeverisjes socialiste. Në këto vite në Berat është investuar, gjithashtu, 25 milion euro në sistemin e energjisë elektrike, për përmirësimin e kapaciteteve të rrjetit. Po ashtu edhe numri i bizneseve është dyfishuar, nga 2820 biznese që kanë qenë në vitin 2005, në vitin 2012 arritën në 5350 biznese.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›