Si të vihet Kina në lëvizje
Udhëtimi i parë i Kerryt në Kinë ishte një fillim drejt reduktimit të mosbesimit strategjik ndërmjet dy shteteve, mirëpo ai duhet të pasohet nga një sistem i rregullt i bisedave telefonike dhe vizitave shtesë, me qëllim të çlirimit të Gadishullit Korean nga armët bërthamore
“Çmenduria”, raportohet të ketë thënë Albert Einstein, është kur “e bën të njëjtën gjë pa pushim dhe pret rezultate të ndryshme”. Për të gjithë ata që prej kohësh e kanë përqeshur mundësinë që Kina një ditë do mund të jetë e gatshme të merret me vendosmëri me fqinjin e vet të bezdisshëm, Korenë Veriore, rezultatet e vizitës së fundit të sekretarit amerikan të Shtetit, John Kerry, në Pekin, do të ishin tejet të parashikueshme. Por, për ata që e shikojnë me kujdes tablonë e pandryshueshme të politikave të brendshme të Kinës, shumëçka është duke ndodhur e që e justifikojnë më se miri udhëtimin e Kerryt. Në të vërtetë, nëse administrata e presidentit amerikan, Barack Obama, duhet kritikuar për mënyrën se si e menaxhoi “krizën” e fundit në Korenë e Veriut, atëherë problemi kryesor nuk ishte mbështetja e tepërt në Kinë, por e pakët.
Teoritë për qëndrimin e Kinës karshi Koresë Veriore shpesh fillojnë dhe përfundojnë me këndvështrimin se ajo prej së cilës ky shtet frikësohet, mbi të gjitha, është një fluks refugjatësh në rast të kolapsit të Koresë Veriore – një përhapje kjo që mund të prishë balancën delikate etnike në krahinat verilindore të Kinës. Problemi është se, derisa disa kinezë vërtet shqetësohen për refugjatët, “Kina” nuk mund të shihet si një emër kolektiv me qëndrim njëjës për pothuajse gjithçka; sikurse çdo shtet modern kompleks, Kina përmban shumë qëndrime të ndryshme për shumë çështje të ndryshme.
Natyrisht, ka të tillë në Pekin që shqetësohen ditë e natë për refugjatët nga Koreja Veriore; por ka po ashtu edhe shumë të tillë në Pekin, Shangai dhe vende të tjera, të cilët shqetësohen për krizën kronike që shpërthimet periodike të Koresë Veriore po i shkaktojnë në një rajon përndryshe stabil të botës. Siç edhe ka thënë në mënyrë më se elokuente presidenti kinez, Xi Jinping, në një forum vjetor të biznesit në Boao, në ishullin Hainan, në fillim të muajit: “Askush nuk do duhej lejuar ta zhysë një rajon dhe madje të gjithë botën në kaos për përfitime vetjake”.
Xi nuk është diktator që mund t’ia imponojë vullnetin e tij Kinës. Në të vërtetë, pa marrë parasysh të gjitha ato karakterizime që i bëhen Kinës si një shtet despotik nga e djathta politike në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, presidenti kinez gëzon më pak kompetenca se sa homologu i tij amerikan. Arritja e konsensusit në Kinë është një proces i akullt që nuk do të mund të arrihej me një fjalim të vetëm.
Komentet e Xi padyshim se shtrihen përtej një shqetësimi për refugjatë. Koreja Veriore, çuditërisht, është një çështje e brendshme për Kinën. Sa për fillim, ai është një aleat historik për të cilin shumë kinezë kanë luftuar dhe vdekur, kujtesa për ta nuk ruhet vetëm nëpër monumente në Kinë. Së dyti, përkundër mungesës së supozuar të ideologjisë në Kinën bashkëkohore, aty në të vërtetë, është ndezur debati – e që shpesh zhvillohet nën radarë – rreth së ardhmes së sistemit politik të Kinës dhe marrëdhëniet e saj me ekonominë. Dhe, derisa sistemi komunist i Koresë Veriore dhe ai i Kinës janë bërë gjithnjë e më pak të ngjashme, disa kinezë druajnë se një kolaps i mundshëm i rendit të Koresë Veriore mund të ndryshojë vijat e betejës së këtij debati. Së fundmi, ka të tillë që do ta shihnin kolapsin e Koresë Veriore si një ndihmesë për interesat strategjike të SHBA-së dhe një pengesë për interesat kineze. Një qëndrim i tillë i ashpër, zero mendim, nuk është prodhim i instituteve amerikane të hulumtimit. Disa kinezë pyeten se cilat do të ishin rregullat e lojës në rast se Gadishulli Korean do të bashkohej nën Korenë Jugore. A do të mund të prisnin të shihnin trupa dhe baza amerikane përgjatë kufirit kinez në lumin Yalu, apo mbase një varg postimesh për të mbledhur informata? Edhe pse zhvillimet e tilla do të ishin të papërfytyrueshme për shumicën e amerikanëve (në të vërtetë, detyrë e vërtetë do të ishin ruajtja e mbështetjes buxhetore në Kongres dhe në vende të tjera për çdo lloj vendosjeje në një Kore të bashkuar), ekspertët kinezë sigurisht kanë shqetësime. Megjithëse SHBA-ja dhe Kina nuk kanë mungesë temash për të diskutuar, dialogu bilateral në fushën e sigurisë ka mungesë thellësie dhe freskimi. Kinezët kurrë nuk kanë qenë të interesuar të diskutojnë me homologët e tyre amerikanë se çfarë do të duhej të bënin këto dy shtete për çështjen e Koresë së Veriut. Mirëpo, nëse bisedimet e tilla do të mbaheshin më shpesh dhe çështja të adresohej seriozisht (dhe vazhdimisht), progresi do të mund të arrihej padyshim në kapërcimin e dyshimit për këtë çështje. Në të vërtetë, detyrë kryesore e Kerryt është të fillojë përpjekjen për të reduktuar mosbesimin strategjik ndërmjet dy shteteve, që është një faktor i rëndësishëm që fshihet prapa ngurrimit të Kinës për të bërë më shumë në Korenë e Veriut. Kjo gjë do të kërkonte që të dyja palët të përqendrohen për çështjen në fjalë – sfidë kjo e madhe veçanërisht për amerikanët, diskutimet zyrtare të të cilëve me kinezët janë shndërruar pashmangshmërisht në përpjekje për t’i përmbushur një mori detyrash.
Përqendrimi dhe caktimi i prioriteteve do të duhet të jetë prioritet për palën amerikane. Udhëtimi i parë i Kerryt në Kinë ishte një fillim drejt këtij caku, mirëpo duhet të pasohen nga një sistem i rregullt i bisedave telefonike dhe vizitave shtesë, me qëllim të çlirimit të Gadishullit Korean nga armët bërthamore. Në mënyrë paradoksale, Kim Jung-uni i Koresë Veriore, një lider ky që është dukshëm i pambështetur nga arritjet apo mençuria, do të mund të ishte katalizator i një fillimi të ri në marrëdhëniet SHBA-Kinë.
Kris Hill, ish-ndihmëssekretar amerikan i Shtetit për Azinë Lindore, është dekan i shkollës Korbel për studime ndërkombëtare, pranë Universitetit të Denverit. Marrë nga “Project Syndicate”