Sot Putini propozohet si qytetar nderi i Kosovës
PRISHTINE-Përfaqësuesit e të ashtuquajturës "Bashkësia e komunave të krahinës autonome të Kosovës e Metohisë" janë shprehur se sot në një kuvend solemn të kësaj bashkësie në Zubin Potok, do të shpallin kryeministrin rus, Vladimir Putin, qytetar nderi të Kosovës. Kryetari i bashkësisë, Radovan Niciç u shpreh dje se Putin do të shpallet qytetar nderi për meritat e tij në ruajtjen e integritetit territorial të Serbisë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Ndërkohë, duke folur për dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, nënkryetari i bashkësisë, Marko Jakshiç vlerësoi se këto bisedime i janë imponuar Serbisë. Sipas tij, ato u duhen shqiptarëve, të cilët nuk mund të lëvizin lirshëm jashtë Kosovës, meqë nuk kanë dokumente të pranuara në rang ndërkombëtar. Jakshiç vlerësoi se Beogradi zyrtar në këto bisedime do të pranojë çdo gjë, përveç njohjes së pavarësisë, në mënyrë që të marrë statusin e kandidatit për në BE.
(d.b/GSH/BalkanWeb)
(d.b/GSH/BalkanWeb)