E Diel, 1 Nëntor 2026

“Të plagosurat paraqiten në një gjendje të qëndrueshme dhe ecuri pozitive”

23-05-2012 / Gazeta 55

Ministri i Shëndetësisë Petrit Vasili viziton të plagosurat në Spitalin Ushtarak

Ministri i Shëndetësisë Petrit Vasili është njohur dje nga afër me gjendjen shëndetësore të studentëve që po marrin ndihmën mjekësore në reanimacionin e Spitalit Ushtarak.
“Pas verifikimit më të fundit që bëmë së bashku me drejtorin e spitalit ushtarak mund të themi se rastet paraqiten në një gjendje të qëndrueshme, pra janë ruajtur të gjitha parametrat e arritura dje më shumë vështirësi dhe besoj se një pjesë e mirë e tyre kanë kaluar një natë të vështirë por kanë një ecuri që do ta konsideroja pozitive”, u shpreh Ministri Vasili.
Vasili konfirmoi se vazhdon të mbetet problematike dhe tepër serioze gjendja e dy vajzave, traumat e të cilave kanë qenë të gjera por megjithatë edhe në këtë rast parametrat e tyre vazhdojnë të mbahen në mënyrë të qëndrueshme nga stafi reanimator.
Gjithashtu Ministri Vasili ka nënvizuar punën tërësisht profesionale të mjekëve ndërsa theksoi se përgjithësisht se gjendja e të plagosurave në Spitalin e Vlorës ka qenë më e qetë dhe ka kaluar pothuajse tërësisht rreziku për jetën duke pasur rezultate postoperatore shumë të mira pas ndërhyrjeve që iu janë nënshtruar.
Lidhur me transportin e rasteve më të rënda Ministri Vasili theksoi se vlerësimi do të bëhet dalëngadalë nga stafi mjekësor duke mos bërë asnjë veprim të nxituar.
“Për shkak të ndjekjes së tyre në terapi intensive dhe me frymëmarrje të drejtuar transporti i tyre për momentin është i pamundur sepse janë të lidhura tërësisht me aparaturat të cilat i mbajnë në jetë”, u shpreh Ministri i Shëndetësisë Petrit Vasili.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›