E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sot debati televiziv Sarkozy-Hollande

Sot, 1.5 milionë francezë pritet të ndjekin në mbrëmje debatin televiziv mes presidentit Nikolas Sarkozy dhe kandidatit socialist në garë, François Hollande.

Analistët thonë se debati i sotëm është mundësia e fundit për Nikolas Sarkozy për të shmangur humbjen në garën elektorale të 6 Majit.

Kreu i pallatit Elisee do të përballet me atë që analistët e quajnë “provën e së vërtetës”. Disavantazhi në raunin e parë të zgjedhjeve ka ngritur pikëpyetje të mëdha për stafin elektoral të Nikolas Sarkozy, i cili e sheh vetën të kërcënuar përballë rivalit të tij socialist. Sarkozy dhe Hollande kanë shkëmbyer vazhdimisht akuza të ndërsjellta duke rritur tensionin e garës elektorale.

Presidenti në detyrë e ka quajtur kandidatin socialist si gënjeshtar dhe të paaftë, ndërsa François Hollande ka deklaruar se Nikolas Sarkozy është një president i dështuar. “Debati i sotëm nuk do të jetë një konkurs fjalësh, por çasti i së vërtetës”, ka deklaruar Sarkozy.

Bashkëpunëtorët më të afërt të presidentit francez kanë zbuluar se Sarkozy do të qëndrojë pjesën më të madhe të ditës në shtëpinë e tij, përpara debatit vendimtar me rivalin François Hollande.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›