E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sot do të nisë procesi i Studimit të Fizibilitetit

Ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj pret që Komisioni Evropian të dalë në një konferencë për media për ta njoftuar opinionin publik në Ballkan për fillimin e hartimit të një Studimi të Fizibilitetit, në mënyrë që Kosova, pas një kohe të caktuar, ta nënshkruajë Marrëveshjen e Stabilizim-Asociiimit.

(E plotësuar) Arritja e një marrëveshjeje për bashkëpunimin rajonal në kuadër të dialogut Prishtinë-BE-Beograd, interpretohet si parakusht dhe ndihmesë për hapjen e procesit të integrimit evropian për Kosovën.

"Presim që Komisioni Evropian të dalë në një konferencë për media për ta njoftuar opinionin publik në Ballkan për fillimin e hartimit të një Studimi të Fizibilitetit, në mënyrë që Kosova, pas një kohe të caktuar, ta nënshkruajë Marrëveshjen e Stabilizim-Asociiimit", tha ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, duke folur për përfitimet që Kosova do t’i ketë pas arritjes së marrëveshjes për bashkëpunim rajonal me palën serbe.

Hoxhaj tha se përfaqësimi i Kosovës në nismat rajonale përmes një fusnote, e cila do ta merrte parasysh rezolutën 12 44 të Këshillit të Sigurimit, Deklaratën e shpalljes së pavarësisë së Kosovës dhe Mendimin këshillëdhënës të GJND-së, do të avancojë pozitën e vendit në arenën ndërkombëtare.

“Modaliteti, i cili mund të gjendet sot, është një modalitet i përkohshëm, meqë zgjidhja përfundimtare e një denominimi të tillë është anëtarësimi i plotë i Kosovës në OKB dhe anëtarësimi i plotë në Bashkimin Evropian”, u shpreh Hoxhaj, pas takimit me raportuesen e Parlamentit Evropian për çështjet e liberalizimit të vizave, Tanja Fajon, dhe eurodeputetit, Knut Flekenshtajn.

Shefi i diplomacisë kosovare, Hoxhaj, shprehu bindjen se pas arritjes së marrëveshjes për bashkëpunim rajonal, do të rritet edhe numri i vendeve që e kanë njohur Kosovën.

“Ju do të shihni që, në javët e ardhshme, Republika e Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran, do të njihet edhe nga shtetet e tjera. Kjo do të thotë se jemi duke lëvizur në kontinuitet në një formë shumë pozitive drejt forcimit të subjektivitetit tonë ndërkombëtar”, vlerësoi Hoxhaj.

Me gjithë insistimin e deritashëm që dialogu Prishtinë-Beograd të mos përzihet me çështjen e liberalizimit të vizave dhe pavarësisht deklarimeve se integrimi evropian i Kosovës ndodh me përmbushjen e kritereve teknike, Fajon dhe Flekenshtajn folën për përfitimet që Kosova do t’i ketë pas një suksesi eventual të raundit në nëntë të dialogut.

Fajon tha se Parlamenti Evropian do të vazhdojë përpjekjet për t’i bindur pesë shtetet evropiane që ende s’e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, ta bëjnë një gjë të tillë.

“Mendoj se jemi duke shkuar në drejtimin e duhur dhe nëse lajmet pozitive nga Brukseli perceptohen si duhet, do të mund të diskutojmë edhe me pesë shtetet evropiane që s’e kanë njohur Kosovën”, theksoi Fajon.

Për europarlamentarin Flekenshtajn marrëveshja për bashkëpunim rajonal duket të jetë parakusht për avancimin e agjendës integruese të Kosovës në BE.

“Duhet ta vrisni pulën para se ta hani atë, andaj le t’i presim lajmet e mira për të hyrë në detaje”, tha Flekenshtajn.

Tanja Fajon në Kosovë

Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj pret sot raportuesen e Parlamentit Evropian për çështjet e vizave, Tanja Fajon.

Takimi zhvillohet një ditë pasi që autoritetet evropiane në Prishtinë thanë se me përkrahjen e modelit të fundit për formën e përfaqësimit të Kosovës në nismat dhe forumet rajonale Kosovës do t’i hapej rruga për në Bashkimin Evropian.

Përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian në Kosovë, Samuel Zhbogar, përmendi të mërkurën një pako evropiane për Kosovën, e cila do të mundësonte edhe relaksimin e qëndrimeve të pesë shteteve evropiane që nuk e kanë njohur atë.

“Kjo do të jetë një ndihmë kruciale edhe brenda vet BE-së lidhur me pesëshen që s’e njeh Kosovën, në vazhdimin e agjendës evropiane në mënyrë që në ditët e ardhshme, ne nga BE-ja të jemi në gjendje t’ia japim Kosovës një pako evropiane me të cilën do të tregohet se ka një rrugë të qartë evropiane për Kosovën”, u shpreh Zhbogar. /rel/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›