E Shtunë, 31 Tetor 2026

Edhe një parti i shtohet Kosovës

Subjekti më i ri politik në Kosovë, Partia Demokracia Sociale e Kosovës (PDSK), ka shpalosur programin e saj e cila bazohet në 11 pika, që ka për qëllim ndërtimin e një shteti ligjor dhe funksional, mirëqenie sociale-ekonomike, respektim të drejtave të njeriut, etj. Kryetari i kësaj partie, Begzad Gashi ka thënë se do të punojë për Kosovën evropiane.

Si parti në fillet e saj të para, PDSK-ja nuk ka pasur edhe shumë pjesëmarrës në shpalosjen e programin e saj. Por, kjo nuk ka paraqitur problem për kryetarin e kësaj partie, Begzad Gashi i cili në një fjalë para të pranishmëve ka thënë se në Kosovë gjërat nuk janë duke shkuar mirë.

Edhe pse nuk ka kritikuar ndonjë subjekt të caktuar, Gashi tha se gjithë ata që kanë udhëhequr qeveritë që nga viti 1999 e këndej, nuk kanë shfrytëzuar ato resurse që i ka Kosova.

“Në Kosovë kohëve të fundit fatkeqësisht kanë shkuar gjërat për të keq, nuk kanë mundur që të realizohen të gjitha ato resurse që i kemi pasur aty ku duhet. Nuk bëhet fjalë për ndonjë qeveri çfarëdo qofshin ato që nga viti 1999 e këndej si fraksion i djathtë që kanë udhëhequr politikën dhe qeverinë në Kosovë nuk kanë arritur që konform rregullave dhe pasurive që kanë pasur bile edhe ato para që i kanë pasur të i sistemojnë aty ku duhet”, ka thënë ai.

I pari i kësaj partie është një mërgimtar nga Gjermania, i cili ka vendosur që të vijë në Kosovë dhe të themeloj një parti. Ai ka thënë se asnjë reformë sociale ku do të preken njerëzit, ku do të përfitonin njerëzit nuk është vënë në ligj në Kosovë.

Për më tepër ai ka shtuar se fëmijët e Kosovës janë të vetmit në gjithë Evropën që nuk marrin subvencione nga shteti, ndërsa në buxhetet komunale dhe qendrore gjithnjë ka suficit. Gashi ka premtuar që do të punoj për Kosovën evropiane.

“Në kongresin e fundit të Partisë Socio-Demokratike të Gjermanisë Helmut Shmit ju tha gjermanëve, Gjermania në Evropë, me Evropën, për Evropën, ndërsa unë sot ju bëjë ftesë që të punojmë, që organizojmë Kosovë për Kosovën, në Evropë, me Evropën për Evropën”, ka theksuar Gashi.

Nga ana tjetër, anëtari i PDSK-së, Gazmend Isufi ka shpalosur programin ideor të kësaj partie, i cili përmban 11 pika;

1. shteti ligjor dhe funksional,

2. mirëqenia sociale-ekonomike,

3. respektimi i të drejtave të njeriut,

4. respektimi i drejtave të punës,

5. kujdesi i veçantë i familjes dhe i demokracisë,

6. kujdes i veçantë i vlerave së UÇK-së,

7. respektimi i vlerave reale të religjionit,

8. kujdes i veçantë për agrobujqësin dhe blegtorinë,

9. respektimi reciprok me politikën ndërkombëtare,

10. respektimi reciprok me investitorët ndërkombëtar,

11. kujdes të veçantë me kapacitetet e saja. /Kosovapress/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›