Vetëvendosje bën thirrje të mos pranohen koncesionet

Lëvizja Vetëvendosje edhe njëherë u ka bërë thirrje të gjitha institucioneve të Republikës së Kosovës, e së pari Qeverisë që mos të pranojnë koncesionet e paralajmëruara për heqje dorë nga Republika dhe për paraqitjen e Kosovës, ndërkombëtarisht, me fusnotë.
Sipas subjektit më të zëshëm opozitar, këto koncesione janë kthim prapa, por në të njëjtën kohë janë edhe trashëgimi shumë e keqe për brezat që vijnë pas.
Vetëvendosje vlerëson se koncesionet e paralajmëruara nuk janë për të ndihmuar Kosovën, për t’u forcuar si shtet sovran, i pavarur dhe demokratik, por janë koncesione që i ka kërkuar Serbia për të fituar statusin e kandidatit për në BE.
“Prandaj, në këto momente edhe Qeveria, edhe Kuvendi, edhe subjektet politike dhe të gjitha organizatat shoqërore e politike duhet të jenë në funksion të vullnetit dhe dëshirës së popullit të Kosovës, për Republikë me të vërtetë sovrane e demokratike”, thuhet në thirrjen e Vetëvendosjes.