Westerwelle vlerëson përpjekjet e Serbisë

Ai i ka bërë këto komente në Beograd, pas takimit me homologun serb, Vuk Jeremiq.
“Vizita ime është mirënjohje për atë që keni bërë dhe inkurajim për metrat e tjerë që kanë mbetur”, transmetojnë mediat serbe deklaratën e Westerwelles.
Jeremiq ka thënë se Serbia ka bërë gjithçka të mundur për të përmbushur kushtet e vëna nga Bashkimi Evropian, me qëllim marrjen e statusit të kandidatit për anëtarësim në këtë mekanizëm.
Ai ka përsëritur para gazetarëve se “Serbia nuk do të pranojë kushtëzime me Kosovën”.
Në dhjetorin e vitit të kaluar, BE-ja ka shtyrë vendimin për kandidaturën e Serbisë, duke i kërkuar normalizimin e marrëdhënieve me shtetin kosovar.
Shqyrtimi i radhës i kërkesës së Serbisë do të bëhet muajin e ardhshëm.
Westerwelle në Beograd, bën presion për Kosovën
Ministri i Jashtëm i Gjermanisë Guido Westerwelle pritet të vizitojë të enjten Beogradin, me qëllim që t’iu bëjë presion autoriteteve serbe, që të shkojnë përpara në bisedimet me Kosovën dhe të përmbushin kushtet e Bashkimit Evropian, po që se dëshirojnë të marrë kandidaturën, njofton agjencia gjermane e lajmeve, DPA.
Gjatë kësaj vizite ai pritet të takojë presidentin Boris Tadiq.
Vizita vjen në kohën kur brenda BE-së ka përçarje nëse i duhet dhënë Serbisë statusi i kandidatit.
Bashkimi Evropian e shtyu atë vendim nga dhjetori në mars, për t’i dhënë Serbisë më shumë kohë për të bërë përparim në bisedimet me Kosovën.
Bisedimet e ndërmjetësuara nga BE-ja, kanë rifilluar të mërkurën në Bruksel, pas një ndërprerje disamuajshe.
Bashkimi Evropian dëshiron të shohë raporte të normalizuara mes Serbisë dhe Kosovës së banuar me shqiptarë etnikë, e cila shpalli pavarësinë katër vjet më parë, shkruan DPA. (REL)