E Diel, 1 Nëntor 2026

Sot, homazhe për martirët Tom Ndoja dhe Sokol Sokoli

01-06-2011 / Gazeta 55

Masakra e Qafë-Barit

Në ambientet e Institutit të Integrimit të të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë, zhvillohet sot ceremonia e homazheve dhe më pas e varrimit të dy prej të pushkatuarve të revoltës së Qafë Barit, eshtrat e të cilëve u gjetën para pak ditësh në Shkodër, Tom Ndoja dhe Sokol Sokoli.
Ceremonia do të zhvillohet në orën 10.30, dhe në të jenë të pranishëm dhe bashkëvuajtës të Ndojës dhe Sokolit, por edhe anëtarë të tjerë të Shoqatës së të Përndjekurve Politikë.
Eshtrat e Tom Ndojës dhe Sokol Sokolit u zbuluan në varrezat e fshatit Kuç, në afërsi të lumit Kir, në afërsi të antenave të Radio Shkodrës.
Kryetari i Institutit të të Përndjekurve Politikë, Simon Mirakaj, bëri me dije se eshtrat u gjetën pasi Ministria e Brendshme u dha drejtuesve të gërmimit një skicë të vendit të dyshuar.
Revolta e Qafë Barit ka ndodhur më 20 maj të vitit 1984, pra rreth 27 vjet më parë. Të burgosurit, kryesisht të dënuar politikë, u revoltuan ndaj kushteve skandaloze të burgut dhe torturave që kryheshin ndaj tyre nga gardianët. Sokol Sokoli vdiq në tortura, të cilat sipas dëshmitarëve u kryen në mes të kampit, me qëllim që ta shihnin të burgosurit e tjerë. Ndërsa Tom Ndojën e pushkatuan si kreun e revoltës së Qafë Barit.
Ish-i përndjekuri Simon Mirakaj theksoi se revolta e Qafë Barit ishte një revoltë mbijetese, pasi të burgosurit politikë aty u revoltuan për shkak të kushteve tejet të rënda dhe për plotësimin e normave më themelore të jetesës.
Dega e Shoqatës së ish-të Përndjekurve në Shkodër, i ka kërkuar Kryeministrit të përshpejtojë punën për ngritjen e Task Forcës, e cila do të shërbejë për gjetjen e eshtrave të të pushkatuarve të regjimit.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›