Rishfaqet në Elbasan fenomeni natyror i hapjes së gropave karstike
Gropa karstike, e hapur një ditë më parë në fshatin Shalës, 20 km larg qytetit të Elbasanit me një diametër prej 30 metra dhe thellësi prej 100 metrash, është një fenomen natyror që duhet të mbahet nën kontroll, pasi në të kundërt kthehet në një rrezik për banorët e zonës. Inxhinier Ndriçim Sinani tha se “kjo dukuri është karakteristikë e zonës së Dumresë, zonë që ndodhet mbi formacion gjeologjik të tipit gips dhe që në prani të lagështirës së ujërave nëntokësore tretet”. Sipas tij fundi i gropës karstike, shfaqur dje në fshatin Shalës, rezulton të jetë i mbushur me ujë. “Fenomene të tilla janë edhe shkak i formimit të 80 liqeneve aktualë të zonës së Dumresë”, shpjegon z. Sinani, duke shtuar se “nëse kjo gropë ka burim të vazhdueshëm mund të kthehet në një liqen”. Gropa të tilla janë hapur në fshatin Shalës në vitet 1982, 1998 dhe së fundi në vitin 1999, në fshatin Fierzë. Ndërkohë, specialistët e bordit të kullimit në vendin e ngjarjes këshillojnë që të ngrihet një grup verifikimi dhe inspektimi me specialistë të fushës së gjeologjisë, që duhet të studiojnë fenomenin dhe të japë konkluzionin mbi aktivitetin e gropës. Sipas Sinanit, “gropa përbën rrezik për banorët dhe bagëtitë si dhe për rezervuarin e Kashtës, me kapacitet 2.7 milion m3 ujë”. Në të gjithë qarkun e Elbasanit janë mbi 60 rezervuare të mëdhenj, dhe rreth 40 të vegjël. Vetëm pesë prej tyre janë të paqëndrueshëm, dhe mbahen nën kontroll të vazhdueshëm nga specislistët.
...