Qeveria: Durrës-Kukës do sjellë mbi 130 milionë euro këtë vit
Rruga Durrës-Kukës do t’i sjellë Shqipërisë mbi 130 milionë euro. Ky është premtimi që Kryeministri Berisha ka bërë gjatë mbrojtjes së 16 neneve të ndryshuara për buxhetin e vitit 2010. “A e dini ju sa automjete e kalojnë tunelin e Kalimashit? Këtë vit, vetëm rruga Durrës-Kukës do i sjellë ekonomisë shqiptare mbi 130 milionë euro”, u shpreh Kryeministri. Sipas tij, ka një rritje dyshifrore transporti, tregtia dhe eksporti. “Ka po thuajse një barazi në fondet me të ardhurat nga eksportet “made in Albania” me të ardhurat nga materialet e importuara. Do të ndërtohen 320 rrugë dytësore dhe 100 rrugë rurale e qindra e mijëra metra rrugë kombëtare nga Tropoja në Gjirokastër. Ajo që u mbetet juve është të vini të bëni shkollën e praktikës me mua, të inaugurojmë së bashku në çdo zonë tuajën investimet”, tha ai. “Isha në Berat, ku u inaugurua një nga projektet më të mëdha për ujin. Asnjë deputet socialist nuk ishte i pranishëm. Pse nuk erdhët, por ia lini të gjitha meritat qeverisë. Taksapaguesit nuk janë vetëm demokratë, por janë edhe socialistë. I lini inatet se nuk ecet me inat po me logjikë. Seriali i inaugurimeve do të nisë së shpejti”, theksoi Berisha. Për sa i përket buxhetit, Kryeministri Berisha u shpreh se ndihma ekonomike është dyfishuar dhe janë shkurtuar disa projekte ekonomike. “Nga 320 projekte rrugore në mbarë vendin, kanë mbetur 100 projekte rurale”, tha Berisha.
#