Sot mbahen zgjedhjet presidenciale dhe lokale në Maqedoni, provë për integrimin euroatlantik të vendit

Sot në Maqedoni mbahen zgjedhjet presidenciale dhe vendore. Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve është shprehur i shqetësuar, për shkak të kushteve të vështirësuara nga rreshjet e dëborës, që rrezikon shpërndarjen e materialeve të nevojshme për zgjedhjet nëpër zona të thella të vendit. Mënyra se si zhvillohen këto zgjedhje do të ndikojë shumë në procesin e integrimit të Maqedonisë në Nato dhe në Bashkimin Evropian.
Zgjedhjet e sotme cilësohen si më të ndërlikuarat që ka patur vendi
Fushata gjatë këtyre tre javëve ka kaluar e qetë për dallim nga zgjedhjet e kaluara, ato të qershorit të vitit 2008, të cilat ishin mjaft të dhunshme dhe për pasojë, pati madje një të vrarë.
Partitë politike dhe organizata joqeveritare u kanë bërë thirrje votuesve, që të dalin në numër sa më të madh në zgjedhje. Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve i ka dërguar materialet e zgjedhjeve në të gjitha komisionet komunale, ndërkohë që këto të fundit e kanë për detyrë t'i shpërndajnë nëpër të gjitha vendvotimet. Por kushtet e vështirësuara klimaterike mund të rrezikojnë procesin e votimit nëpër fshatra të thella. Maqedonia dje është mbuluar nga dëbora dhe vende-vende trashësia kalon gjysëm metri, duke pamundësuar ose vështirësuar tej mase qarkullimin.
Zgjedhjet e sotme konsiderohen si më të ndërlikuarat që ka pasur ndonjëherë Maqedonia, për shkak se votohet njëkohësisht për presidentin e vendit, për kryetarë komunash dhe anëtarë të këshillave komunalë, në lista të veçanta votimi. Banorët e Shkupit, madje duhet të plotësojnë edhe dy fletëvotime më shumë: një për prefekt të Shkupit dhe një për Këshillin e qytetit.
Zgjedhjet do të vëzhgohen nga 300 pjesëtarë të misionit të ODIHR-it, disa qindra pjesëtarë të ambasadave në Shkup dhe më shumë se gjashtë mijë vëzhgues të organizatave vendase.
Gara presidenciale, ku në mesin e shtatë kandidatëve janë tre shqiptarë, sipas pritjeve do të çojë në balotazh Gjorgje Ivanovin e VMRO-DPMNE-së në pushtet dhe Lubomir Fërçkovskin e Lidhjes Social Demokrate. Nuk pritet të fitojë një kandidat presidencial në raundin e parë.
Ndërkohë, shqiptarët presin të fitojnë postet e prefektëve në Tetovë, Gostivar, Dibër të Madhe, në Çair të Shkupit, mbase dhe në Strugë, si dhe në disa komuna rurale.
Komuniteti ndërkombëtar paralajmëron se këto zgjedhje duhet të kalojnë në një atmosferë të qetë, demokratike, pa dhunë dhe të mos ketë parregullsi. Ky është kushti që i është vënë Maqedonisë për vazhdimin e rrugës së saj drejt integrimeve euroatlantike.//lk