E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prokuroria po shndërrohet në parti politike

PD-PR hapin siparin e ndërtimit të koalicionit të djathtë zgjedhor. Kryeministri akuzon organin e akuzës për hetim politik me dosjen e Gërdecit
“Prokuroria, me akuzat false që ka formuluar në fillim, ka përdhosur të vdekurit. Mos harroni se ata janë vëllezërit e mi, vëllezërit e tu, nënat tona, motrat tona, njerëzit tanë”

TIRANE - Kryeministri Sali Berisha, kritikoi punën e organit të akuzës, lidhur me akuzat e ngritura fillimisht për ngjarjen e rëndë të Gërdecit, duke theksuar se tentoi të formulojë pseudo-akuza me urdhra politikë. Shefi i ekzekutivit, i bëri këto deklarata pas nënshkrimit të marrëveshjes politike PD-PR, në përgjigje të pyetjes së gazetarëve se çfarë ndikimi do të ketë nënshkrimi i një marrëveshje me një kryetar partie ish ministër që është i akuzuari direkt për tragjedinë e Gërdecit.
“Prokuroria, me akuzat false që ka formuluar në fillim, ka përdhosur të vdekurit. Mos harroni se ata janë vëllezërit e mi, vëllezërit e tu, nënat tona, motrat tona, njerëzit tanë. Në mënyrën se si nisi Prokuroria, me urdhrat politikë, për të formuluar pseudo - akuza, ka qenë ky kryeministër që ju ka thënë ju se duhet të zbardhet e vërteta dhe duhet të jeni të bindur se e kam bërë jo për të mbrojtur ndokënd mbi tokë, por vetëm për të mbrojtur hetimin që duhet të bëhej, pasi, nëse e akuzon tjetrin për atë që nuk qëndron, siç iu tha zotit Mediu se ai ka shmangur dhe anashkaluar ushtarakët, kjo është si t’i thuash këtij populli se ‘ti ha bar’. Me formulat e vjetra dhe unë mund të të them ty ç’të duash dhe ti më beson, por aty ishin 32 dokumente, secili me nga 3 deri në 7 firma dhe nuk kishte asnjë shmangie. Por, ku ishte problemi? Problemi ishte se duhej devijuar një linjë e tërë, në mënyrë që dikush, diku, të dilte krejtësisht i larë”, u shpreh kryeministri.
Sipas kryeministrit, kjo është një çështje që qeveria i ka dhënë dhe do i japë vëmendje çdo ditë.
“A e keni parë sot dosjen të publikuar në media? Kush e nxori dosjen? E nxori opozita? Jo, nuk e ka nxjerrë opozita. Unë do doja të thosha se e ka nxjerrë opozita. E ka nxjerrë ai që do të shndërrojë prokurorinë në parti politike. Kemi besim të plotë te sistemi gjyqësor i këtij vendi, por nuk mund të pranojmë përdorimin e shpirtrave të të vdekurve për politikë. Kjo nuk mund të ndodhë dhe këtë nuk duhet ta pranoni as ju, si gazetar, asnjë shqiptar, pasi jemi të gjithë vdekatar. Kjo është përgjigjja ime. Po të ishte për opozitën, mund ta atakoja unë, por nuk mund t’i bie në qafë. Dosja sot del nga të dobëtit, të keqpërdorur politikisht, që kanë frikë nga ligji dhe marrin e bëjnë mediatizim. Ky nuk është shteti ligjor”, theksoi kryeministri.

PD dhe PR nënshkruajnë marrëveshjen e bashkëpunimit
Partia Demokratike dhe ajo Republikane formalizuar dje bashkëpunimin e tyre, në kuadër të zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit. Dy krerët e këtyre partive, Sali Berisha dhe Fatmir Mediu, duke çelur siparin e serie marrëveshjesh, duke qenë se koalicioni do të jetë i gjerë, nënshkruan dje një marrëveshje bashkëpunimi, ndërsa kryeministri Berisha tha se ky sipar natyrisht, do të hapej me aleatin kryesor, me të cilin Partia Demokratike ka rrugën e saj tashmë 17-vjeçare që nga themelimi dhe përmbysja e diktaturës komuniste
Pas bashkimit të PDR-së me PD-në dhe nënshkrimit të një marrëveshjeje elektorale mes PD-së dhe PAD-së, dje ka qenë radha e konfirmimit të aleancës me republikanët, njërit nga aleatët më të vjetër të Partisë Demokratike, që nga shembja e regjimit komunist. Kryeministri Sali Berisha, u shpreh se koalicioni që do të çojë drejt një mandati të dytë të djathtën, do të jetë një bashkim i gjerë, ashtu sikurse solli në fitore katër vjet më parë Partinë Demokratike dhe aleatët e saj.
 “Në 17 vjetorin të fitores së përbashkët me Partinë Republikane mbi diktaturën komuniste, në 17 vite aleance të plotë, të përshkuar fund e krye nga luajaliteti dhe përkushtimi ndaj vlerave progresive, në 4 vitet e qeverisjes së përbashkët dhe transformimeve më të mëdha të këtij vendi,  të kontributit thelbësor të forcave tona politike në realizimin e projektit më të madh në historinë e këtij kombi, anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, Partia Demokratike firmos me Partinë Republikane marrëveshjen e koalicionit të fushatës elektorale dhe qeverisjes së përbashkët, për mandatin e dytë të kësaj dekade dhe të dekadës që vjen. Koalicioni do të jetë i gjerë”, vuri në dukje Berisha.
Sipas kryeministrit, koalicioni me PR-në dhe forcat e tjera të spektrit politik të qendrës së djathtë, i jep ritmeve të zhvillimit dhe integrimit të këtij vendi, shpejtësi që nuk janë njohur më parë. 
“Në katër vite, ky koalicion shndërroi Shqipërinë që vërtitej në labirintet e krimit të organizuar dhe sistemit të kleptokracisë, Shqipërinë për të cilën një fjalë të mirë kurrkush nuk e thoshte, Shqipërinë e kronikave më të zeza të mediave të Evropës dhe botës, e shndërroi në vendin serioz, në vendin që e votuan në parlamentet e tyre për Marrëveshjen e Stabilizim - Asociimit dhe për Protokollin e Anëtarësimit në NATO, 27 vende anëtare të BE-së dhe 26 vende anëtare të NATO-s, Shqipërinë që më datën 4 prill ulet në Strasburg si anëtare e Atlantikut të Veriut dhe ngre flamurin e saj në Bruksel, si flamur i një vendi anëtar”, u shpreh kryeministri Berisha.
Berisha shprehu falënderimin e tij për republikanët shqiptarë, për luajalitetin dhe për përkushtimin e tyre.
Ndërsa kreu i republikanëve Fatmir Mediu e vlerësoi kontributin e përbashkët të dy forcave aleate, duke u ndalur në veçanti tek përmbushja e njërit prej angazhimeve që e përafroi Shqipërinë me vendet anëtare të NATO-s dhe që pritet të formalizohet në fillim të muajit prill. Marrëveshja e bashkëpunimit e nënshkruar nga dy liderët e partive, kryeministri Berisha dhe republikani Fatmir Mediu synon t’i sjellë një mandat të dytë koalicionit të djathtë qeverisës si dhe vlerëson bashkëpunimin konkret të dy partive në kuadrin politik dhe institucional në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, si dhe përafrimin e Shqipërisë në strukturat e familjes evropiane.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›