E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Kapacitetet për aplikim dhe koha janë të mjaftueshme për procesin”

Kartat, PS thellon strategjinë për të çoroditur procesin e pajisjes me karta identiteti. Sipas Ministrisë së Brendshme, procesi po funksionon në mënyrë të shkëlqyer

TIRANE - Ministria e Brendshme ka denoncuar përpjekjet e reja të Partisë Socialiste për të shtuar artificialisht kakofoninë e procesit të paisjes së qytetarëve me karta identiteti,
në një kohë që ky proces sipas zëdhënësit Fatmir Konja “po funksionon në mënyrë të shkëlqyer”. “Numri i qytetarëve që aplikojnë për kartat e identitetit ka ardhur çdo ditë në rritje dhe aktualisht po bëhen 13 mijë aplikime në ditë, duke realizuar deri më datën 19 mars mbi 300 mijë aplikime. Koncesionari po i përgjigjet procesit duke prodhuar 16 mijë letërnjoftime elektronike në ditë duke arritur të prodhojë deri më sot mbi 200 mijë letërnjoftime elektronike. Njëkohësisht kapaciteti është i gatshëm të pranojë aplikimin
e 15 mijë qytetarëve në ditë dhe prodhimin e 18 mijë kartave në ditë, kapacitet i cili deri
në datën 15 qershor 2009 mund të prodhojë deri në 1 milion e 300 mijë karta identiteti”, deklaroi Konja.
Sipas tij, Ministria e Brendshme i ka kërkuar kompanisë koncesionare të mundësojë funksionimin e procesit edhe ditët e shtuna gjë që kompania “Sagem” ka filluar që ta realizojë.
“Ministria e Brendshme siguron edhe njëherë të gjithë qytetarët se kapacitetet për aplikim dhe koha në dispozicion deri në zgjedhjet e ardhshme parlamentare janë plotësisht të mjaftueshme që çdo qytetar të ketë dokumentin përkatës të identifikimit që përcakton Kodi Zgjedhor për të votuar”, theksoi zëdhënësi Konja.
Reagimi i zëdhënësit të Ministrisë së Brendshme erdhi pas deklaratave të deputetit socialist njëherazi nënkryetarit në komisionin parlamentar ad hoc për monitorimin e procesit të përgatitjes së infrastrukturës zgjedhore, Kastriot Islami, i cili u shpreh sërish se procesi zgjedhor është futur në qorrsokak nga qeveria për shkak të vonesave në pajisjen e qytetarëve me kartat e reja të identitetit. Ndërkaq deputeti i PS-së ka artikuluar disa propozime të reja për përshpejtimin e këtij procesi.
“Të saktësohet urgjentisht baza e të dhënave e të gjithë votuesve pa pasaportë ose kushdo që paraqitet dhe deklaron se nuk ka pasaportë të lejohet të aplikojë dhe të mbahet shënim emri i tij për të verifikuar saktësinë e deklarimit të tij. Orari i punës për të gjithë pikat të jetë deri në orën 19 në mënyrë që të mund të aplikojnë edhe ata që janë në punë duke përfshirë të shtunën dhe të dielën. Të merren masa që të mos ndërpritet energjia dhe lidhja me internet apo aksesi në bazën e të dhënave sepse kjo demotivon vajtjen sistematike të votuesve. Të bëhet një analizë dhe një  plan special veprimi nga Kompania Aleat në bashkëpunim me qeverinë për të garantuar pajisjen me kartë identiteti të çdo votuesi pa pasaportë dhe ky plan të bëhet publik. Të ndërmerret nga kompania një fushatë sensibilizuese masive dhe intensive për të lajmëruar e nxitur votuesit pasaportë të aplikojnë- deklaroi ai. Islami përjashtoi në çdo rast mundësinë e bojkotit të zgjedhjeve ndërsa theksoi se “kemi një strategji të qartë që zgjedhjet t’i fitojmë duke
bërë çdo ditë atë që duhet bërë që zgjedhjet të jenë të lira ë të ndershme”.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›