Ilir Meta bashkon falangat me Edvinin, sipas parimit “gjithçka për të marrë pushtet”
Demagogjia ka zgjatur pak dhe kreu i LSI-së Ilir Meta nuk e ka të vështirë të shpallë koalicionin e nekropolitikës me Edvinin, mjaft që secili të mbajë nga një kothere pushteti. Shuhet propaganda për korrupsion e monopole, përballë nevojës për të shtrënguar radhët e për të shkatërruar reformat e së djathtës, ende në mes të kurbës për realizim
TIRANE – E keqja, si virtyt, që plotëson boshllëkun e PS-ës dhe LSI-së, ka bërë që, kreu i një gjysmëopozite, duke kalkuluar efektet negative elektorale të deklaratës së disa ditëve më parë të kryeministrit Sali Berisha sipas të cilit pas zgjedhjeve PD mund të nënshkruante një marrëveshje bashkëpunimi me Lëvizjen Socialiste për Integrim, ka artikuluar dje një deklaratë të sforcuar “dashurie” ndaj Partisë Socialiste duke thënë se në rast të dështimit të nismës për të dalë forcë e pare politike në vend ai do të pranonte të bashkëpunonte vetëm më forcat e majta.
“Në rast se nuk do të arrijë të fitojë e vetme në këto zgjedhje, padyshim që LSI koalicionin do e bëjë me forcat e majta dhe natyrisht në radhë të parë me Partinë Socialiste. Sepse ne asnjëherë nuk na ka ndarë dhe nuk na ndan asnjë gjë nga socialistët dhe idealet e tyre për një Shqipëri më të mirë, në themel të së cilës të jetë solidariteti dhe jo intrigat, as të Berishës dhe as të atyre të tjerëve që i pëlqejnë intrigat e Berishës”, deklaroi Ilir Meta dje, duke shkaktuar jo pak çudi për rikthimin te dashuria e vjetër, pikërisht pas nënshkrimit të marrëveshjes së bashkëpunimit për zgjedhjet e 28 qershorit me Partinë Lëvizja për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut, të drejtuar nga Ligoraq Karamelo. Edhe ca më çuditshëm, një orë më vonë gjatë përshëndetjes së punimeve të konferencës Kombëtare të partisë Socialiste të Vërtetë 91, lideri i LSI-së nuk ka kryer sulmet e ashpra ndaj selisë rozë për bashkëpunim me Berishën. Madje në këtë aktivitet Meta premtoi një bashkim të së majtës pa Ramën që ai e klasifikoi si përfaqësues të kastës.
“Çfarë do ndodhi pas zgjedhjeve? Unë jam i bindur se pas zgjedhjeve falë kontributit tonë, falë përkushtimit tonë dhe falë tolerancës dhe zemërgjerësisë tonë, socialistët, progresistët do të bashkohen për të qeverisur Shqipërinë dhe jo për t’i shërbyer një kaste. Është për të ardhur keq, kur shikojmë ata që gëzohen për ndonjë diversion pa kripë që bën Kryeministri ynë në prag të daljes në pension në 28 qershor se gjoja ai do bëjë koalicion me Lëvizjen Socialiste për Integrim, apo me koalicionin tonë”, deklaroi Meta.
I pyetur mbi këtë deklaratë, deputeti socialist Kastriot Islami tha se porsa i përket aleanca parazgjedhore bashkëpunimi me LSI është për t’u harruar ndërsa pas zgjedhjeve ai la të kuptohet se kjo është diçka që do të vendoset nga numrat që to të fitohen në Kuvendin e ardhshëm.