“EURALIUS rikonfirmoi vlerësimin pozitiv për reformat në drejtësi”

Reagon Ministria e Drejtësisë
TIRANE – “EURALIUS është përgjithësisht optimist mbi substancën e ligjeve. EURALIUS thekson se procesi i draftimit të ligjeve është menaxhuar me sukses të konsiderueshëm, në kuptimin që shumica e këshillimeve dhe shqetësimeve të ngritura prej tyre janë marrë në konsideratë, ku duhet theksuar projektligji për prokurorinë”.
Ky ka qenë qëndrimi zyrtar i Misionit Evropian të Asistencës për Sistemin e Drejtësisë në Shqipëri (EURALIUS), i shprehur nëpërmjet një draft raporti të tij dhe i ripërsëritur dje nga Ministria e Drejtësisë, pas shtrembërimeve të këtij drafti nga një pjesë e mediave.
“Media dhe individë të veçantë në pasqyrimet e tyre kanë shtrembëruar këtë projekt-raport gjë që u cilësua edhe në përgënjeshtrimin që Misioni EURALIUS bërë dy ditë më parë (datë 20.3.2009), publike. Sipas deklaratës së këtij misioni citoj saktësisht se, ‘Informacioni në media i datës 19 mars 2009 mbi disa pjesë të raportit jep një pamje të pasaktë dhe të shtrembëruar të përmbajtjes së raportit dhe të përparimit në sektorin e drejtësisë’”, bëri të ditur dje në një komunikim për shtyp, zëdhënësja e Ministrisë së Drejtësisë, Migena Demirxhi.
Zëdhënësja e Ministrisë së Drejtësisë, ka bërë ët ditur më tej se, ky draft raport u prezantua disa ditë më parë në prezencë të Ministrit të Drejtësisë, nga Misioni EURALIUS.
Ky draft dokument përbën një raportim të misionit EURALIUS II mbi veprimtarinë e tij përpara Bashkimit Evropian, në cilësinë e financuesit të këtij misioni për një periudhë raportimi gjashtëmujor (16 gusht 2008 – 15 shkurt 2009).
“Siç theksohet në hyrje të draft raportit, projekti i misionit EURALIUS II përgjithësisht ka arritur progres të mirë, veçanërisht në prezantimin e sistemit të shërbimit përmbarimor privat në Shqipëri, në prezantimin e Shërbimit të Provës, në financimin dhe menaxhimin financiar të gjykatave dhe Zyrës së Administrimit të Buxhetit Gjyqësor. ‘EURALIUS është përgjithësisht optimist mbi substancën e ligjeve. EURALIUS thekson se procesi i draftimit të ligjeve është menaxhuar me sukses të konsiderueshëm, në kuptimin që shumica e këshillimeve dhe shqetësimeve të ngritura prej tyre janë marrë në konsideratë, ku duhet theksuar projektligji për prokurorinë’. Në draft raport paraqitet bashkëpunimi i ngushtë në rritje midis këtij misioni dhe bashkëpunëtorëve shqiptarë”, bëri të ditur më tej dje Zëdhënësja e Ministrisë së Drejtësisë, Migena Demirxhi, duke cituar edhe pjesë nga draft raporti i EURALIUS.
Duke saktësuar se ky draft raporton veprimtarinë teknike të misionit EURALIUS në përmbushje të objektit të këtij misioni “lehtësimi, nëpërmjet ndërtimit të kapaciteteve të kërkuara brenda Ministrisë së Drejtësisë dhe Gjyqësorit, i zhvillimit të një sistemi gjyqësor më modern, më transparent, më profesional, më efektiv, më të paanshëm dhe më të pavarur”, Demirxhi, duke cituar qëndrimin e EURALIUS, konfirmoi se, “Draft raporti nuk përbën një dokument vlerësues politik mbi zhvillimet e reformës në drejtësi në Shqipëri apo mbi aktivitetin politik të Ministrisë së Drejtësisë apo të Qeverisë Shqiptare”.
Ministria e Drejtësisë si përfituese e drejtpërdrejtë e projektit të EURALIUS shpreh kënaqësinë për produktet e përbashkëta të deritanishme, në kuadër të reformës në Drejtësi. Sipas kësaj ministrie, bashkëpunimi, ndihma dhe konsultimi nuk ka munguar në asnjë nga iniciativat ligjore dhe nënligjore të ndërmarra nga Ministria e Drejtësisë, ne kuadër të një marrëdhënie reciprociteti besimi.
“Ministria e Drejtësisë dhe Qeveria Shqiptare, shpreh bindjen për suksesin e nismave të përbashkëta ndërmarra, pjesa me e madhe e të cilave janë miratuar në Kuvendin e Shqipërisë, dhe kërkon edhe nga aktoret e tjerë politike ligjvënës dhe zbatues të ligjit t’i bashkohen përpjekjeve për reformimin cilësor të sistemit të drejtësisë. Këto përpjekje mbeten të orientuara drejt ndërtimit të një sistemi gjyqësor të aftë profesionalisht, me status të përcaktuar me ligj dhe të përgjegjshëm ndaj Kushtetutës e ligjeve si premisa bazë për paanësinë dhe pavarësinë e pushtetit gjyqësor”, përfundoi zëdhënësja e Ministrisë së Drejtësisë.