E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sot mbërrijnë në Shqipëri eshtrat e Mbretit Zog I

16-11-2012 / Gazeta 55

Nesër ceremonia e homazheve, në Pallatin e Brigadave, nga ora 10 - 12

Në këtë vit jubile te 100-vjetorit të Pavarësisë, Qeveria Shqiptare ka vendosur që të riatdhesojë eshtrat e Mbretit Zog I. Dy ditë më parë në Paris u zhvillua ceremonia e zhvarrosjes së eshtrave të Mbretit Zog I, të cilat preheshin në France që prej më shumë se 51 vitesh. Ndërsa ditën e djeshme arkivoli me eshtrat e Mbreti Zog mbërriti në Stamboll, ku autoritetet turke zhvilluan një ceremoni të ngjashme.
Në Shqipëri, eshtrat e Mbretit Zog mbërrijnë në aeroportin e Rinasit sot, në orën 08:10. Ndërkohë Franca vendi i prehjes së Mbretit Zog organizoi një ceremoni dinjitoze zhvarrimi. Në emër të përfaqësuesve të Shtetit francez foli Deputeti dhe Ministri, Renaud Muselier, i cili theksoi se Franca ka qenë gjithmonë një vend mikpritës ku zotërojnë vlerat e demokracisë dhe lirisë. 
Ai i bëri homazh Mbretit Zog duke e cilësuar atë si një monark vizionar dhe theksoi se kthimi i trupit të tij në Atdheun e vet ka qenë ëndrra e Mbretit Zog. Më pas fjalën e mori ambasadori Shqiptar në Francë Ylljet Aliçka, i cili  theksoi se po e përcjellim drejt Atdheut të vet një Mbret, një aleat dhe një mik të Francës dhe se me nderimet që shteti francez po i bën Mbretit Zog, njëkohësisht po nderon edhe një komb mik dhe aleat. Ministrja Bregu theksoi se, “Kjo ceremoni është nderimi i mohuar që i takon këtij burri që ndërtoi shtetin shqiptar, dhe shtoi se, sot është dita kur këtij burri të madh po i jepet e drejta më njerëzore: të prehet më në fund i qetë në vendin e tij, atje ku ka të parët dhe trashëgimtarët”.
Ndërkaq në emër të Princit Leka dhe të Familjes Mbretërore Shqiptare, Skënder Zogu falënderoi shtetin francez, presidentin e saj dhe popullin francez për nderimet që i bënë Mbretit Zog dhe kujtoi lidhjet e ngushta të Mbretit Zog I me Gjeneralin de Gaulle. Ai tha se populli shqiptar do të jetë gjithmonë mirënjohës ndaj Francës dhe popullit saj për miqësinë që tregoi ndaj shqiptarëve dhe Mbretit tonë dhe përfundoi duke i uruar Francës paqe, prosperitet dhe sukses.
Nën kujdesin e përfaqësuesve të autoriteteve më të larta franceze, ceremonia zyrtare shtetërore filloi në orën 11:00 me interpretimin e Himnit të Flamurit dhe të Himnit Francez nga Banda e Ushtrisë franceze si dhe me nderimet ushtarake nga një togë e Legjionit të Nderit. Në atë ceremoni, qeveria shqiptare ishte e përfaqësuar nga Ministrja Majlinda Bregu,  Zëvendësministrat Arben Ristani dhe Ekrem Spahiu si dhe nga ambasadori i Shqipërisë në Paris, Ylljet Aliçka. Familja Mbretërore përfaqësohej nga Princi Leka, Skënder Zogu, Sylviane Muselier dhe Renaud Muselier.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›