Sot mbledhja, Ujësjellësi i kalon Bashkisë së Tiranës

Këshilli Bashkiak i Tiranës
Do shqyrtohen 5 projektvendime. Parashikohet edhe një shtesë në buxhet.
Ndërmarrja e Ujë-sjellës-Kanalizimeve do të kalojë në pronësi të Bashkisë së Tiranës. Sot, në mbledhjen e radhës të Këshillit, pritet të miratohet projektvendimi i propozuar nga kryebashkiaku Lulzim Basha. Në mbështetje të akteve ligjore, Bashkisë së Tiranës i transferohen 72.5% e aksioneve të shoqërisë Ujësjellës-Kanalizime sh.a. Tiranë. Ky transferim bëhet vetëm për një pjesë ta aksioneve shtetërore të kësaj shoqërie, pasi pjesa tjetër e kapitalit të saj, për shkak të vendndodhjes së pronave në territore jashtë juridiksionit territorial të Bashkisë, i transferohet komunave respektive, thuhet në relacion. Në këtë mënyrë, sipas tij, Bashkia kthehet në aksionerin kryesor. Në mbledhjen e sotme, Këshilli Bashkiak do të shqyrtojë projektvendimin Për shpërndarjen në programe dhe zëra buxhetorë të fondit të papërdorur të vitit 2011, prej rreth 357 milionë lekësh, i cili në bazë të ligjit Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë, trashëgohet në vitin pasardhës. Fondi i trashëguar nga viti 2011 do të alokohet 56% për investime dhe 37% për shpenzime korente, në programet kryesore të zhvillimit të qytetit, ndërsa 7% e këtij fondi do të jetë transfertë për njësitë bashkiake. Një tjetër projektvendim i rendit të ditës është propozimi i kryetarit të Bashkisë për zmadhimin e kapitalit të klubit të futbollit Tirana. Ky vendim parashikon dhënien e një shume prej 80 milionë lekësh Klubit të Tiranës, i cili do të përdoret për nevojat e klubit, si për përmirësimin e infrastrukturës, ndërtimin e Akademisë, përmirësimin e kushteve të stërvitjes, rinovimin e bazës materiale e nevoja të tjera të adresuara nga drejtuesit e klubit të futbollit Tirana. Këshilli Bashkiak do të shqyrtojë edhe propozimin: Për krijimin e qendrës sociale Shtëpia e Përbashkët. Kjo qendër ndodhet në territorin e Njësisë Bashkiake Nr. 11 në Laprakë. Në këtë qendër do tu ofrohen shërbime të ndryshme kategorive në nevojë, si informim, këshillim, asistencë ligjore. Po kështu, kryetari i Bashkisë do ti paraqesë Këshillit propozimin për vendosjen e pllakës përkujtimore në banesën ku ka jetuar Artisti i Popullit (Nder i Kombit) Kadri Roshi, konsideruar si legjendë e skenës dhe ekranit shqiptar.
Projektvendimet
. Projektvendim Për një shtesë në vendimin e Këshillit Bashkiak të Tiranës nr.25, datë 28.12.2011, Për miratimin e buxhetit të vitit 2012.
. Projektvendim Për marrjen në pronësi të Bashkisë së Tiranës të aksioneve të Ujësjellës-Kanalizimeve Tiranë
. Projektvendim Zmadhimin e kapitalit të klubit të futbollit Tirana
. Projektvendim për Krijimin e qendrës sociale Shtëpia e Përbashkët dhe miratimin e strukturës organizative
. Projektvendim për Vendosjen e pllakës përkujtimore në banesën ku ka jetuar Artisti i popullit, Kadri Roshi, Nder i Kombit
ZIRINA LLAMBRO