Universitetet, formulari A2 do plotësohet online
Pas formularit A1, të cilin maturantët do ta plotësojnë në variant të printuar, formulari A2 pritet të plotësohet online. Gjithçka e bën me dije Ministria e Arsimit. Sipas këtij dikasteri, në formularin A2 do të aktohen 10 preferencat për degët ku duan të studiojnë maturantët në shkollat e larta. Jemi në fazën intensive të realizimit të kontratës dhe shumë shpejt mund të fillojë aplikimi për këtë kontratë, moduli online për Maturën Shtetërore, aplikimi online. Në të ne kemi të dhënat njëherësh dhe në kohën e duhur, sqarojnë drejtuesit e Agjencisë Kombëtare të Provimeve. Ndërkohë, afati i fundit i plotësimit të formularit A1 është data 10 mars. Në rast se maturantët nuk e dorëzojnë, humbasin shansin për të konkurruar në universitet. Dy ditë më parë u publikuan datat e provimeve, të cilat nisin më 2 qershor dhe përfundojnë më 30 qershor. MASH u ka bërë apel maturantëve që të bëjnë kujdes në përcaktimin e lëndëve me zgjedhje. Ata kanë të drejtë këtë vit të zgjedhin 2-3 lëndë, të cilave u korrespondojnë minimalisht 8 kredite. Përveç kësaj, ata duhet të bëjnë kujdes që të zgjedhin lëndë që kanë koeficiente që i ndihmojnë. Lista e tyre është bërë tashmë publike. Nëse zgjedhin lëndë të cilat nga universitetet kanë koeficente të larta, maturantëve u rritet shansi për të. Provimet këtë vit pritet të jepen në ambiente universitare.