Sot, në fuqi ligji, noterët do regjistrojnë pronat në Hipotekë

Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme
Qytetarët që do të blejnë apo shesin një pasuri të paluajtshme, nga dita e sotme nuk do të jenë të detyruar të shkojnë dhe të bëjë regjistrimin apo çregjistr-imin në zyrat e Hipotekës. Këtë detyrë tashmë do ta kryejnë noterët, pasi kështu e sanksionon ligji i ri për noterinë, që hyn sot në fuqi. Pra, zyrat e noterëve kthehen automatikisht në one stop shop në shërbim të qytetarëve, duke ulur edhe nivelin e burokracive dhe duke u kursyer atyre kohë. Por, nga ana tjetër, ligji i shërben edhe uljes së korrupsionit apo problematikave që shfaqen në regjistrimin e pronave. Tashmë noterët do të kenë akses direkt me Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme duke bërë online verifikimin e pasurisë dhe regjistrimin e saj. Mënyra se si do të aksesohet informacioni është përmes sistemit elektronik, i cili si kod sigurie ka shenjën e gishtave të noterëve. Gjithsesi, për çdo rast verifikimi të një pasurie të paluajtshme, noteri duhet që të ketë autorizimin e qytetarit, pasi çdo hyrje e tyre e paautorizuar lë shenja në sistem. Ulja e hallkave që janë të përfshira në procesin e transaksionit të pasurive nga noterët do ti shërbejë, mbi të gjitha, edhe saktësisë. Ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi, lidhur me hyrjen në fuqi të ligjit për noterinë, shprehet se dixhitalizimi i sistemit të noterisë me ligjin e ri u shërben qytetarëve dhe biznesit. Të gjitha transaksionet për pasuritë e paluajtshme do të bëhen në zyrën e noterit. Do të futet në sistemin e pasurive të paluajtshme dhe do të përfitojë të gjithë informacionin që e kërkon klienti. Pa dyshim, do të ketë një shkurtin të procedurave dhe të kohës që një qytetar do të shpenzonte për një veprim të tillë, vlerëson Halimi. Një tjetër pikë që është pozitive për qytetarët lidhur me këtë ligj të ri, është edhe ulja e shpenzimeve. Të pasurit e më pak procedurave është pikërisht në shërbim të kësaj. Ligji i ri, që dixhitalizon shërbimin e noterisë, është pritur pozitivisht edhe nga këta të fundit. Në mes të muajit mars pritet që të fillojë edhe trajnimi i noterëve dhe specialistëve të Hipotekës në shërbim të zbatimit të drejtë të ligjit të ri.
3 dite maksimumi do të duhen tashmë për të kryer transaksionin e pasurive të paluajtshme me ligjin e ri. Më parë për këto procedura duheshin deri në 25 ditë.
Projekti LAMP
Aktualisht, Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme po zbaton projektin LAMP, i mbështetur nga Banka Botërore. Prej disa kohësh, nga ana e kësaj zyre po afishohen listat me pasuritë e paluajtshme të regjistruara, të cilat verifikohen dhe saktësohen nga vetë qytetarët. Regjistrimi i saktë i tyre do të krijojë lehtësi edhe për noterët që do të mund të aksesojnë përmes sistemit të ZRPP-së çdo pasuri të paluajtshme për të cilën shfaqet interes transaksioni.