Sot në mesditë, Kryeministri Berisha dha një konferencë për shtyp. Në fillim të saj, Kryeministri bëri këtë deklaratë: "Ngjarjet e 10 shkurtit në Prishtinë ishin pikëlluese dhe tron
Sot në mesditë, Kryeministri Berisha dha një konferencë për shtyp. Në fillim të saj, Kryeministri bëri këtë deklaratë:
"Ngjarjet e 10 shkurtit në Prishtinë ishin pikëlluese dhe tronditëse. Duke shprehur mbështetjen e plotë për qëndrimin e qeverisë së Kosovës dhe grupit të unitetit ndaj këtyre ngjarjeve, shprehur dhimbjen e thellë dhe ngushëllimet më të sinqerta familjeve që humbën njerëzit e tyre të dashur në demonstratat e Prishtinës, në emër të qeverisë u bëj thirrje qytetarëve të Kosovës të shmangin çdo akt dhune. Kosova po ecën e sigurt në mënyrë të pa rikthyeshme në rrugën e pavarësisë. Dhuna është faktori që mund të dëmtojë më shumë këtë rrugë. Sikundër shpreh bindjen se hetimi serioz, i shpallur nga autoritetet zyrtare të Kosovës për të identifikuar përgjegjësitë në rastin e jetëve të humbura, do të nxjerrë të vërtetën në shesh. Por ajo që Kosova ka më shumë nevojë është nevoja për një dialog të hapur, të qetë, intensiv për marrëveshjen që Presidenti Ahttisari paraqiti, që u është bërë e qartë të gjithë qytetarëve të Kosovës dhe që do të jetë në tryezën e bisedimeve të ardhshme që do të mbahen në Vjenë."
Më pas, Kryeministri bëri këto komente në përgjigje të interesimit të gazetarëve.
Pyetje: Duke patur parasysh qëndrimin e Beogradit që deklaron se nuk e pranon paketën Ahttisari, por edhe një gjendje të vështirë në Kosovë, mendoni se situata do të shkojë drejt përmirësimit?
Kryeministri: Unë mendoj që është detyrë e çdo qytetari të Kosovës, para së gjithash e qytetarëve shqiptarë që të japin çdo kontribut për të parandaluar dhunën dhe aktet e dhunës. Në një vend të lirë demonstratat janë një standard i pamohueshëm, por rëndësi të jashtëzakonshme ka që jo dhuna, por të mbizotërojë dialogu për marrëveshjen dhe të karakterizojë të gjithë klimën. Kosova ka bërë sakrificat më të jashtëzakonshme për këtë ditë. Dhe kjo ditë e gjen Kosovën më afër se kurrë në realizimin, absolutisht të pashmangshëm, të projektit të saj të madh të pavarësisë.
Pyetje: Mendoni se po të mos shtyhej propozimi i paketës së Zotit Ahttisari do shmangeshin këto probleme?
Kryeministri: Shtyrja nuk është se ndihmon. Unë kam bindje të prerë se Beogradi nuk ka ndërmend ta pranojë atë paketë, por kjo nuk do të thotë se nuk duhet provuar. Pavarësisht, përpjekja për të bindur Beogradin, prova për t'i ulur dhe njëherë nuk është një gjë negative.
Pyetje: Albtelekom ka parashikuar 13 milion euro për blerjen e 200 mijë portaleve. Si e gjykoni këtë tender në prag të privatizimit të Albtelekom-it?
Kryeministri: Së pari, duhet të jem shumë i hapur me ju. Kjo është një pyetje që vjen nga qarqet private monopoliste. Ajo që bëhet me ADSL-në ka vetëm një qëllim, që Telekomi, të cilin shqiptarët vazhdojnë ta kenë pasuri publike, t'u ofrojë një shërbim dhe ky shërbim ka të bëjë me Shqipërinë në moshën e teknologjisë. Natyrisht kjo i përvëlon ata që mbajnë çmimet 30-40 euro për internet, 4 herë më të lartë sesa në Evropë. E gjithë kjo zhurmë ka vetëm këtë qëllim dhe, më saktë, dikush tjetër mund ta shtronte këtë përveç tyre, por kushdo që ta shtrojë pyetjen unë do të shoh interesin e abonentit telefonik shqiptar. Albtelekomi deri tani i ka sjellë zile telefonit. Unë dua që t'i sjellë internet me bandë të gjerë. Për këtë ka një reformë, e cila është përcaktuar ADSL për çdo abonent dhe pjesa më e rëndësishme është kompjuter për sa më shumë fëmijë. Ata, të cilët janë thjesht segmente të mafies monopoliste, nuk kanë interes të zbresë çmimi nën 30-40 euro, për ta bërë internetin një mollë jo të ndaluar, por gjysmë të ndaluar, që fëmijët e të varfërve shqiptarë dhe atyre që janë nën mesatare të mos kenë mundësi të klikojnë në hapësirën e tij të pafundme. Nuk mund të them se nuk e kam ndjekur debatin, por e vërteta e këtij debate është vetëm kjo. Natyrisht reformën nuk do ta ndalë asgjë.
Pyetje: Këtë javë u deklarua se do të ketë 24 orë drita. Cilat janë efektet e këtij vendimi në vlera monetare, sa energji është blerë, me çfarë çmimi dhe a do të ketë drita 24 orë edhe pas datës 19 shkurt?
Kryeministri: Lidhur me çmimet, me të cilat kontraktohet energjia, ato janë publike dhe nuk ka asnjë qindarkë të këtij vendi që të shpenzohet pa u bërë publike. Mund të shkoni dhe të merrni në KESH çdo marrëveshje. Mund t'ju them se çmimet, për disa shkaqe, kanë qenë në të gjitha ofertat absolutisht dyfishi i atyre të vjetshme. Tani fatmirësisht, çmimet kanë një tendencë uljeje. Cili është qëndrimi ynë? Qëndrimi ynë është se pavarësisht nga çmimi, se më i shtrenjti çmim është mungesa e energjisë, çka do të thotë energji sa më shumë. Ky është koncepti ynë dhe mbi këtë bazë ne kemi importuar nga 11 deri në 13 milion KW/orë, sepse për ne, e theksoj edhe një herë, çmimi më i shtrenjtë është energjia që mungon.
Së dyti, përsa janë hequr kufizimet. Pengesat janë hequr në një kohë kur prurjet garantojnë vazhdimësinë e rritjes së nivelit të digave, ekziston një rrethanë e tillë. Sërish po importojmë 11 deri 12 milion KW/orë. Mbrëmë tregu i vendit ka thithur 19. 5 milion KW/orë. Jemi të vendosur t'i japim sasinë që ka përveç defekteve. Dhe mund të them se kjo është sasia që mban rrjeti, sepse po të mbante më shumë rrjeti i importit, nuk do të kishte shqiptar që do t'i mungonte energjia elektrike. Ne jemi shkëputur nga koncepti dhe doktrina e dënimit kolektiv. Ne duam dhe do të bëjmë çdo përpjekje për furnizimin 24 orë me energji. Ky është një qëllim politik
Pyetje: Zoti Meta dhe Zoti Rama ju kanë bërë ju përgjegjës për publikimin e fotove të Edi Ramës?
Kryeministri: Mund të them se është një trillim që synon veçse të justifikojnë humbjen fatale e të sigurt të tyre në këto zgjedhje me publikimin e këtyre fotove. Ato foto nuk kanë asnjë lidhje dhe është e turpshme të komentohet një lidhje midis zhveshjes së liderit të opozitës në një plazh publik para fëmijëve e të tjerëve, fotografimit të tij dhe shpërndarjes së fotove. E dëgjova ‘little Ramën', domethënë Zotin Meta dhe mund t'ju them se më e mundshme është se mund të jetë luftë brenda llojit. Por kjo nuk na intereson. Ne strategjinë e fitores e kemi të bazuar në mbajtjen e fjalës, në projekte dhe në politikat që kemi shpallur dhe kurrë në nudizmin e njërit apo tjetrit dhe në problemet e tyre. Ju e dini se nuk ka pasur dhe nuk ka asnjë lidhje midis gazetë që i ka publikuar dhe Partisë Demokratike.
Pyetje: Në rast se Sokol Olldashi do të humbë në Tiranë, a do ta riktheni në postin e Ministrit të Mbrendshëm?
Kryeministri: Jo të gjitha rastësitë mund të transpozohen. Në njërin krah humbja është e sigurt, në krahun tjetër, Sokol Olldashin, qytetarët e Tiranës po e presim me padurim ditën e dielë dhe të hënë për ta vendosur kryetar bashkie ku ai e meriton. Zoti Olldashi ka bërë një fushatë të shkëlqyer, ka vendosur gishtin tek të gjitha problemet e mëdha të këtij qyteti dhe ka paraqitur projektet më të shkëlqyera për zgjidhjen e tyre.
Pyetje: Pak ditë para zgjedhjeve kanë ndodhur disa incidente. Sa mund ta cënojnë ato ditën e zgjedhjeve dhe integritetin e tyre, duke pasur parasysh edhe problemet mes komisionerëve?
Kryeministri: Unë kam një apel dhe vetëm një apel. Thirrja ime është për çdo qytetar shqiptar, për çdo anëtar mbështetës të Partisë Demokratike, për çdo zyrtar të saj në komisione, të mos harrojnë për asnjë sekondë se përparësia jonë absolute janë zgjedhjet e lira e të ndershme. Kontributi më i madh që qytetarët shqiptarë mund të japin në këto zgjedhje janë zgjedhjet e lira e të ndershme. Unë kam shumë besim tek maturiteti i tyre dhe standardet demokratike të shoqërisë shqiptare janë shumë më të larta sa mund të mendohen. Unë parashikoj një proces zgjedhor shumë të mirë.