Sot në mesditë, Kryeministri Berisha u takua me banorë të Beratit. Në fjalën drejtuar banorëve, Kryeministri u shpreh: "Para së gjithash dëshiroj t'ju shpreh kënaqësinë
Sot në mesditë, Kryeministri Berisha u takua me banorë të Beratit. Në fjalën drejtuar banorëve, Kryeministri u shpreh:
"Para së gjithash dëshiroj t'ju shpreh kënaqësinë e madhe e t'ju sjell këtu mesazhin e fitores nga të 4 anët e vendit, Saranda, Tepelena, Delvina, Gjirokastra, Përmeti, Dibra, Burreli, Tirana, kryeqyteti i Shqipërisë.
18 shkurti është dita e parë e pranverës të Shqipërisë, se në këtë ditë qytetarët e Berat e Shqipërisë do të votojnë të vazhdojmë së bashku kontratën që firmosëm më 3 korrik.
Vota është firmë, vota është kontratë, ndaj dhe unë jam sot këtu për t'ju informuar se me votën tuaj firmosëm Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit. Me votën tuaj ne vendosëm para ligjit bandat e kriminelët në të 4 anët e vendit e bëmë Beratin më të sigurt se kurë. Me votën tuaj zbatuam politikën e duarve të pastra dhe shpëtuam nga abuzimi, kontrabanda e evazioni fiskal 600 milion euro. Me votën tuaj ne i kthyem këto në mirësi për çdo shqiptar. Me këtë votë, ne rritëm pensionet dhe vendosëm pensionin minimal në fshat 50 mijë lekja dhe në qytet 100 mijë lekë. Me këtë votë rritëm rrogat e arsimtarëve 23 për qind dhe ju garantojmë ata se edhe këtë vit do të rritem 20 për qind. Me votën tuaj ne hapëm dyert e universiteteve të vendit për të rinjtë shqiptarë. Me paratë që mblodhëm me politikën e duarve të pastra rritëm rrogat e punonjësve buxhetorë mesatarisht 20 për qind, kompensuam rritjen e çmimit të energjisë elektrike 36 milion euro. Kontraktuam rrugë, autostrada, ura, porte më shumë se në 50 vitet e marra së bashku.
Jam sot këtu për t'ju ftuar të votoni Sali Hoxhën dhe ju jap fjalën se çdo votë për të do të shndërrohet në mirësi për secilin prej jush, sepse qeveria do të financojë çdo projekt të tij për asfaltimin të gjitha rrugëve të qytetit, për shërbime cilësore ndaj jush, për unazën e qytetit dhe urën e Gorricës, për shkolla moderne. Ju jap fjalën se me Sali Hoxhën në ketë qytet do të hapim degë për universitetin e Beratit. Berati do të ketë degën e tij të universitetit.
Vëllezër e motra,
Ju e dini që unë nuk mund të mos jem i sinqertë kur në shpirt jam kundër çdo diskriminimi. A mund të adresohen fonde tek Fadil Nasufi, i cili ndërton vilën e tij pa ndërtuar asnjë banesë sociale për qytetarët, i cili asfalton rrugën deri tek dera e oborrit të shtëpisë së tij, pa e shtyrë atë asnjë metër më tutje, i cili e punëson familjen e tij në bashki dhe i jep si përgjegjësi ndarjen e ndihmave sociale për qytetarët e Beratit.
Ju lutem, vëreni veten për një moment në vend të Kryeministrit. A do të mund t'i adresoni taksat tek ky shok, që ka dhënë prova se punon e vjedh? Ku i gjeti të gjitha paratë për shtëpi në Berat, në Tiranë, në Golem? Fadili ndërton këtu vilën kështjellë, Edvini ndërton, në Tiranë, pallatin në mes të rrugës në qendër të qytetit, kurse gonxhen e nis në kryeqytete të tjera. Këta zotërinj nuk mendojnë për qytetarët, rrugët e rrugicat e tij, shkollat e shërbimet ndaj tyre. Këta kanë vetëm një qëllim të pasurohen për veten e tyre.
Sot, në Tiranë, ne dorëzuam tapitë e para ishte një ditë e gëzuar për mbarë shqiptarët, sepse janë mbi 420 mijë familje shqiptare që presin të bëhen pronarë të pronave të tyre. Edhe këtu në Berat janë një numër i madh familjesh. I garantoj të gjithë qytetarët që presin legalizimin që qeveria do të bëjë të gjitha përpjekjet që ky proces të kompletohet sa më shpejt, sikundër garantoj pronarët se qeveria do t'i kthejë e kompensojë një më një pronat e tyre. Reforma e pronësisë është vendimtare për stabilitetin e rendit tonë shoqëror.
Ndaj ta kthejmë 18 shkurtin në datën në të cilën ne firmosim për veten tonë, fëmijët tanë Beratin, Shqipërinë e të ardhmen e saj."