E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sot në mesditë, Kryeministri Berisha mirëpriti në takim kryetarin e Partisë Bashkimi Demokratik për Integrim të shqiptarëve të Maqedonisë, Zotin Ali Ahmeti. Takimi u përqendrua në zhvillim

Sot në mesditë, Kryeministri Berisha mirëpriti në takim kryetarin e Partisë Bashkimi Demokratik për Integrim të shqiptarëve të Maqedonisë, Zotin Ali Ahmeti. Takimi u përqendrua në zhvillimet në të dy vendet, në Kosovë dhe më gjërë në rajon.

Pas takimit, Kryeministri Berisha dhe Zoti Ahmeti bënë, para mediave, këto komente mbi takimin:

Kryeministri Berisha: Me kryetarin e Partisë Bashkimi Demokratik për Integrim të shqiptarëve të Maqedonisë, Zotin Ali Ahmeti pata një takim të zgjeruar mbi zhvillimet politike në të dy vendet, në Shqipëri, Maqedoni dhe zhvillimet në rajon. Për qeverinë shqiptare, për të dy forcat tona politike, paqja dhe stabiliteti i rajoni janë një përparësi madhore.

Diskutuam për çështjen e Kosovës, statusi final i së cilës, në përputhje me vullnetin e qytetarëve të Kosovës për pavarësi, është një kusht përcaktues për paqen dhe stabilitetin jo vetëm në Kosovë, por edhe më gjërë, si dhe respektimin e plotë të lirive dhe të drejtave të serbëve në Kosovë.

Sikundër diskutuam edhe mbi situatën në Maqedoni. Zoti Ahmeti më njohu me përpjekjet e tij serioze për zhvillimin dhe konsolidimin e zbatimit të marrëveshjes së Ohrit dhe frymës së dialogut të domosdoshëm ndërinstitucional, ndërpartiak në republikën e Maqedonisë.

Zoti Ahmeti: Takimi i sotëm është në vazhdën e takimeve. Kam kënaqësinë të takoj dhe ta njoh Zotin Kryeministër me lëvizjet politike dhe veprimet që bëhen në Maqedoni. Është interes madhor i të dy vendeve tona të kemi kontakte dhe njohuri të vazhdueshme mbi ngjarjet që ndodhin, sepse ne, shqiptarët, jemi përcaktuar që të luajmë një rol konstruktiv edhe brenda rajonit.

Siç e theksoi edhe Kryeministri, në diskutim e sipër është statusi final i Kosovës. Vlerësimi i përbashkët është që statusi final i Kosovës prodhon stabilitet për rajonin. Ne e mirëpresim në Maqedoni, sepse paqja, siguria e stabiliteti, me dhënien fund të këtij problemi, janë përparësi jashtëzakonisht e madhe.

Unë e kam përsëritur shumë herë se ne e mbështesim pavarësinë e Kosovës. Madje ky është qendrim zyrtar edhe i Maqedonisë, që do të mbështesë çdo zgjidhje që do të arrihet mes Prishtinës dhe Beogradit me ndërmjetësinë e faktorit ndërkombëtar, por edhe pavarësia e Kosovës ka mbështetje.

Vlerësimi ynë është i përbashkët që këto takime duhet të vazhdojnë edhe më tej me qëllim që të ndihmojmë proceset për të ecur përpara.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›