E Diel, 1 Nëntor 2026

Sot pasdite, Kryeministri Berisha priti në një takim udhëheqësit politikë të shqiptarëve të Luginës së Preshevës, Bujanovcit dhe Medvegjës. Pas takimit, Kryeministri Berisha dhe drejtuesit

Sot pasdite, Kryeministri Berisha priti në një takim udhëheqësit politikë të shqiptarëve të Luginës së Preshevës, Bujanovcit dhe Medvegjës. Pas takimit, Kryeministri Berisha dhe drejtuesit politikë të Luginës së Preshevës, bënë këto komente për mediat:

Kryeministri Berisha: Patëm një diskutim vëllazëror me udhëheqësit politikë të shqiptarëve të Preshevës, Bujanovcit dhe Medvegjës. Diskutuam gjerësisht mbi zhvillimet në Shqipëri, zhvillimet në këto tre zona ku dominojnë gjerësisht shqiptarët. Ne diskutuam lidhur me progresin e bërë në zbatimin e marrëveshjes së nënshkruar me OSBE-në dhe të legjitimuar edhe nga NATO-ja. Mirëpritëm këtë progres, por është i domosdoshëm progresi i mëtejshëm.

Siç dihet, Serbia shkon drejt zgjedhjeve të përgjithshme politike, në datën 21 janar 2007. Thirrja ime vëllazërore për të gjithë qytetarët e këtyre komunave, për forcat politike, eshte të marrin pjesë në këto zgjedhje, në mënyrë që të japin kontributin e tyre në rrjedhat demokratike, në mënyrë që përfaqësimin e tyre ta fuqizojnë, si në Parlamentin e Serbisë, ashtu edhe në institucionet e tjera ndërkombëtare, ku ky Parlament është i aderuar.

Është bindja ime se pjesëmarrja e shqiptarëve në proçeset demokratike është interes jetik i tyre. Unë kam kënaqësinë të konstatoj se kemi mirëkuptim të plotë me udhëheqësit politikë shqiptarë lidhur me domosdoshmërinë e mbrojtjes dhe përfaqësimit të të drejtave njerëzore dhe të lirive të qytetarëve të Preshevës, Bujanovcit dhe Medvegjës.

Sikundër, ata më informuan se disa formacione ushtarake të tepërta ndodhen në këtë zonë dhe herë pas here ngacmojnë dhe mërzisin popullatën civile. Por gjykoj se autoritetet serbe duhet të dëshmojnë përkushtimin e tyre në respektimin, njohjen, garantimin e lirive dhe të drejtave të qytetarëve shqiptarë në këto komuna, sepse kjo është në interesin e paqes dhe stabilitetit të Serbisë.

Vendet tona duhet ta kenë shumë të qartë se minoritetet janë faktor madhorë. Të gjitha vendet e Ballkanit duhet ta dinë që minoritetet janë vërtetë minoritete, por ato janë realisht faktor madhorë për paqen, stabilitetin, për zhvillimin, për demokracinë dhe për tolerancën e një shoqërie.

Qeveria do të bëjë përpjekje të çojë vëzhgues në këto zgjedhje. Do të bisedojë me Këshillin e Europës apo institucionet e tjera vëzhguese që të ketë një vëzhgim sa më të vëmendshëm të zgjedhjeve në këto zona. Nuk mund të paragjykoj, kam bindjen se pavarësisht nga kundërshtitë, vullneti për zgjedhje të lira ekziston edhe në Serbi. Kështu që uroj që ky të jetë një proces zgjedhor i lirë dhe i ndershëm.

Prefekti i Komunës së Preshevës, njëkohësisht Kryetar i Partisë Demokratike shqiptare, zoti Ragmi Mustafa: Jemi, sot, këtu, në kryeqytetin shqiptar, me ftesën e Kryeministrit, gjithë përfaqësuesit politikë të Luginës së Preshevës. Kemi biseduar në lidhje me të gjitha ato shqetësime që preokupojnë për momentin shqiptarët e Luginës së Preshevës.

Kryeministri i Shqipërisë përcolli me vëmendje të veçantë shqetësimet tona për të cilat ka qenë i njoftuar edhe më parë. Natyrisht, ai ka dhënë edhe kontributin e tij, duke përcjellë një mesazh të qartë, njëlloj sikurse bashkësia ndërkombëtare, ndaj shqiptarëve të Luginës së Preshevës, për pjesëmarrjen në zgjedhjet parlamentare të 21 janarit të vitit 2007.

Edhe ne si politikanë, por besoj se edhe elektorati i gjerë i Luginës së Preshevës, do të respektojmë mesazhet e qarta të politikës kombëtare, mbi rrafshin kombëtar dhe gjithashtu, mesazhet e qarta të bashkësisë ndërkombëtare, për zhvillimin e një jete plurale, plotësisht demokratike, mbi bazat e zhvillimeve europiane, përkatësisht euroatlantike.

Kryetari i Partisë për Veprim Demokratik, zoti Riza Halimi: Mbështetja e shtetit shqiptar për banorët e Luginës së Preshevës ka qenë çdo herë me rëndësi të posaçme, prandaj edhe kjo përkrahje që Kryeministri Berisha jep për daljen masive të shqiptarëve në 21 janar në zgjedhjet e Serbisë, besoj se do të ketë një efekt të madh pozitiv. Ne do të arrijmë që të zgjedhim përfaqësuesit legjitimë, që, në mënyrë të denjë, do të mbrojnë interesat e shqiptarëve në parlamentin serb.

Prefekti i Bujanovcit, zoti Nagip Arifi: Ne edhe deri tani kemi patur përkrahjen e qeverisë shqiptare. Sot patëm një kënaqësi të posaçme të bisedojmë me Kryeministrin shqiptar. E njohëm me situatën politike dhe zhvillimet në rajonin e Preshevës, Bujanovcit dhe Medvegjës, e njohëm me arritjet, por edhe me problemet që ekzistojnë atje. Ne do ta kemi përkrahjen e qeverisë së Shqipërisë, konkretisht të Kryeministrit Sali Berisha.

Zëvendëskryetari i Lëvizjes Kombëtare shqiptare, Zoti Nexhan Memishi: Falënderoj Kryeministrin e Shqipërisë, Zotin Sali Berisha dhe qeverinë dhe gjithë popullin shqiptar për ftesën që na kanë bërë për të vizituar, sot, Shqipërinë.

Kryetari i Lëvizjes Progresi Demokratik, Zoti Jonuz Musliu: Roli i Shqipërisë çdo herë ka qenë konstruktiv, edhe në ditë të vështira, edhe tani. Dihet shumë mirë se çfarë fusha veprimi ka kaluar hapësira shqiptare dhe mendoj se tani ka ardhur koha që shqiptarët, kudo që janë, të luajnë një rol vendimtar, të japin ndihmesë aty ku është më pozitive, sidomos tani, në kohën më të duhur, kur proceset në Kosovë po ecin drejt një zgjidhjeje vendimtare. Besoj se këtë rol do ta ketë edhe Lugina e Preshevës me daljen në këto zgjedhje parlamentare të 21 janarit 2007.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›