E Diel, 1 Nëntor 2026

Sot, Kryeministri Berisha pati një drekë pune me anëtarë të Dhomës Amerikane të Tregtisë, me të cilët bashkëbisedoi mbi çështje të reformës fiskale, përmirësimin e kuadrit ligjor dhe

Sot, Kryeministri Berisha pati një drekë pune me anëtarë të Dhomës Amerikane të Tregtisë, me të cilët bashkëbisedoi mbi çështje të reformës fiskale, përmirësimin e kuadrit ligjor dhe klimës së investimeve, si dhe angazhimin e biznesit në projektin "Shqipëria 1 euro".

Në takim ishte e pranishme ambasadoria amerikane, Zonja Marsi Ries, përfaqësues të kompanive amerikane që operojnë në Shqipëri, biznesmenë vendas dhe të huaj, anëtarë të Dhomës Amerikane të Tregtisë.

Gjatë fjalës së tij, Kryeministri bëri këto komente:

"Dëshiroj t'ju falenderoj për mundësinë për t'ju adresuar juve, sot, duke ju siguruar se për mua është një rast shumë i mirë dhe i veçantë.

Dëshiroj të përshëndes, gjithashtu, të gjithë anëtarët e Dhomës Amerikane të Tregtisë për investimet që kanë bërë dhe bëjnë në Shqipëri dhe të shpreh kënaqësinë e madhe se marrëdhëniet në fushën e biznesit midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara po njohin rritje reale, duke ndjekur marrëdhëniet e shkëlqyera politike dhe në fushat e tjera që ekzistojnë midis dy vendeve tona.

Prania e biznesit amerikan në Shqipëri ka një rëndësi shumë të madhe. Ne jemi shumë krenarë që, sot, në Shqipëri operojnë me flamurin e tyre kompani amerikane të mëdha në mbarë botën si Lookheed Martin, kompania Bechtel, Coca Cola. Një nderim të veçantë dua t'i shpreh Fondit Shqiptaro-Amerikan dhe Bankës Shqiptaro-Amerikane, të cilët me veprimtarinë e tyre të gjatë në Shqipëri janë jo vetëm pararendës të interesit të biznesit amerikan për Shqipërinë, por, gjithashtu, janë të angazhuar në projekte të mëdha dhe shumë të rëndësishme dhe gjithnjë të suksesshme. Pak kohë më parë, vizitova aeroportin ndërkombëtar "Nënë Tereza", i cili në kompleksin e tij, sëbashku me natyrën, dukej një ndër aeroportet më të bukura.

Dua t'ju siguroj se mbështetja ndaj jush dhe shndërrimi i Shqipërisë në një vend shumë tërheqës dhe të sigurtë për ju është përparësi e të gjitha përparësive për qeverinë që unë drejtoj. Ne po përpiqemi të vendosim standartet më liberale dhe të garantojmë lirinë e tregut si kushtin më vendimtar për të patur një ekonomi tregu.

Gjatë një viti, në një dialog konstant me biznesin, ne kemi ndërmarrë një sërë vendimesh dhe ligjesh, të cilat kanë ndryshuar në mënyrë thelbësore politikën fiskale të vendit. Sipas KPG-së, Shqipëria renditet e para, në vitin 2006, për uljen e taksave si përqindje. Gjithashtu është ulur 31 për qind kontributi i sigurimeve shoqërore, 15 për qind taksa e koorporatës, 13 për qind taksa e të ardhurave personale, 50 për qind taksa e biznesit të vogël, jemi përpjekur të ulim koston e prodhimit duke ulur çmimin e energjisë 33 deri në 45 për qind, në një kohë kur nevojat për energji janë shumë të mëdha. Një punë shumë e madhe është bërë për kuadrin ligjor. Janë përmirësuar rrënjësisht procedurat e leasing-ut, është miratuar ligji i ri i koncesioneve dhe partneritetit publik privat, në të cilin është përfshirë edhe nisma e qeverisë "Shqipëria 1 euro", si dhe janë në përmirësim ligje të tjera.

Nisma "Shqipëria 1 euro" është një nismë shumë e rëndësishme. Kjo nismë është realisht një ofertë me një listë të gjatë nga kontrata për tokën për qëllime industriale, bujqësore, turistike deri tek uji teknologjik, minierat për t'u shfrytëzuar si dhe një listë e tërë tarifash e shërbimesh.

Ne kemi mbyllur me sukses negociatat dhe Marrëveshjen me FMN-në. Ne ia dolëm të provojmë, kundrejt skepticizmit të këtij institucioni, performancën krejtësitsht të ndryshme të qeverisë që unë kryesoj.

Arritje reale janë shënuar në luftën kundër korrupsionit. Unë e di që korrupsioni nuk është zhdukur, por kundër tij tashmë ekziston një klimë e qartë. Dua të përmend një shembull. Në dhjetor të vitit 2005, ne bëmë një shkurtim, por empirik, të shpenzimeve operative të administratës qendrore prej 46 milion dollarë, duke i konsideruar ato si të tepërta. Kjo klimë funksionoi për të gjitha nivelet e administratës dhe dy javë më parë ne ishin në gjendje që nga shpenzimet operative të administratës të spostonin drejt investimeve edhe 55 milion të tjera. Në tërësi kostoja e prokurimeve publike është ulur me 25 për qind, të ardhurat, me gjithë uljen e taksave, kanë pësuar rritje të ndjeshme. Ne nuk do të kursejmë asnjë reformë për të luftuar korrupsionin. Po punojmë ngushtë me SHBA-të në tre projekte madhore, të cilat synojnë të lehtësojnë punën tuaj: ‘one sto shop', administrimi më i mirë fiskal dhe ombudsman-i i prokurimeve publike, i cili do të mbikqyrë gjithashtu partneritetin publik privat.

Në një vit, ne kemi ndërmarrë një sërë masash dhe ia dolëm të kemi disa efekte pozitive të shpejta. Por cila është ekonomia shqiptare sot? Në dallim nga parashikimi i fillimvitit, sipas të cilit do të kishte një rënie në rritje, por që nuk u provua, ekonomia ka një rritje dhe shpresat janë se do të mbyllet me një rritje 6 për qind. Më lejoni të theksoj edhe disa tregues të tjerë. Indeksi i shitjeve në 3 mujorin e tretë në sektorin e ndërtimit ka qenë 55 për qind më i lartë se në tre mujorin e parë. Po ashtu janë rritur edhe eksportet. Ne po punojmë shumë për të përmirësuar klimën e eksporteve, pasi ende nuk është klima që duhet.

Unë jam i bindur se ne hymjë në vitin 2007 në prag të ndezjes së motorëve të rritjes më të shpejtë dhe tërheqjes së investimeve më të mëdha të biznesit.Çdo ditë unë pres përfaqësues të kompanive të mëdha dhe gjithnjë më shumë se një nga SHBA-të dhe vende të ndryshme të Europës, çka dëshmon se besimi dhe entuziazmi për të investuar në Shqipëri po vjen. Unë jam optimist se Shqipëria, me punën që do të bëjmë bashkërisht, gjatë vitit që vjen do të shkojë drejt qëllimit që kemi: ta bëjmë atë vendin më tërheqës për investimet e huaja dhe vendase. Faleminderit."

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›