Sot në mesditë, Kryeministri Berisha mori pjesë në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Demokratike, në të cilën foli për domosdoshmërinë e vazhdimit të reformave të gjithanshme në
Sot në mesditë, Kryeministri Berisha mori pjesë në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Demokratike, në të cilën foli për domosdoshmërinë e vazhdimit të reformave të gjithanshme në vend.
Kryeministri siguroi përkushtimin total të qeverisë në nxitjen e reformave, veçanërisht në realizimin e Kartave të Identitetit, modernizimin e gjendjeve civile, zgjidhjen me shpejtësi dhe përparësi të problemeve të pronësisë, çështjen e dëmshpërblimit të të përndjekurve politikë në përputhje me ligjet e vendit, legalizimi me shpejtësi, nxitja e investimeve, si dhe shndërrimi në realitet i të gjitha premtimeve të bëra.
Në fjalën e tij, ndër të tjera, Kryeministri bëri këto komente:
"Tani që zgjedhjet po shkojnë drejt finalizimit, përveç çështjeve që janë në autoritetin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe të Kolegjit Zgjedhor, edhe njëherë, dëshiroj të theksoj dhe të siguroj shqiptarët për vazhdimin e reformave. Ata i dhanë një votë plebishitare koalicionit qeveritar me një distancë dyshifrore në proporcional, domethënë, partitë e koalicionit kanë marrë vota në një përqindje dyshifrore më shumë sesa blloku i majtë, kanë fituar drejtimin në 2/3 e bashkive dhe komunave të vendit, kanë marrë mbi 140 këshilltarë më shumë në qytetet e Shqipërisë dhe dominojnë parlamentet e 4 qyteteve kryesore të mëdha. Nuk kanë fituar në Tiranë dhe në disa qytete të tjera të mëdha të vendit, çka përbën një detyrim për shqyrtim serioz të këtij qëndrimi të qytetarëve. Ne e respektojmë këtë votë dhe jemi të bindur se përgjigjia më e shkëlqyer, si ndaj atyre që votuan dhe mbështetën kaq fuqishëm koalicionin, si ndaj atyre që votuan kundër, janë reformat, reformat dhe vetëm reformat.
Ndaj dua t'ju siguroj se qeveria, së bashku me ju, do të dëshmojë një përkushtim total në reforma, duke filluar nga Kartat e Identitetit, gjendjet civile, modernizimi i tyre, zgjidhja me përparësi e problemeve të pronësisë, shpejtimi i këtij procesi të mundimshëm për pronarët shqiptarë, dëmshpërblimi i të përndjekurve politikë në përputhje me ligjet e vendit, legalizimi me shpejtësi dhe shndërrimi në realitet i të gjitha premtimeve të marra në këtë kontekst, nxitja e investimeve. Në këtë drejtim, mund t'ju them se vendi është realisht në prag të investimeve gjigante, investime të cilat pritet të fillojnë gjatë muajve në vazhdim, në mënyrë të veçantë me përqëndrim më të madh në fushën e energjisë.
Interesi ndërkombëtar për investime në fushën e energjisë është më i madh se kurrë. Janë disa projekte madhore ndërkombëtare që priten të fillojnë gjatë këtij viti, TEC-e me naftë/gaz, por edhe me qymyr, si burimi më konstant dhe më i pandikueshëm nga konjukturat, si dhe hidrocentrale. Qeveria po merr të gjitha masat për të shpejtuar maksimalisht konçensionimin e dhjetra e dhjetra hidrocentraleve të vogla dhe të mesme, sikundër, konçensionimin e disa hidrocentraleve të mëdha, nga Bushati te kaskada e Devollit, e më gjerë.
Natyrisht, nuk është jashtë vëmendjes së plotë edhe potenciali më madhor i zhvillimit të këtij vendi, turizmi. Negociata shumë serioze po zhvillohen me grupe të mëdha, ndër më prestigjiozet, në mënyrë që të shpejtohet me të gjitha mekanizmat, financiare, ligjore kombëtare dhe ndërkombëtare, zhvillimi i turizmit të një lloj turizmi në ri në bregun shqiptar, që përbën dhe pasurinë më të madhe kombëtare të vendit.
Në këtë kontekst, reformat mbeten të një rëndësie të jashtëzakonshme, por dua t'u them këtu, se, reformat kërkojnë një administratë publike të aftë, kompetente, transparente në veprimtarinë e saj. Ligji i shërbimit civil, si ligji themelor i shtetit, duke mos injoruar kontributin që ka sjellë në konsolidimin e një sektori pa të cilin shteti nuk mund të ekzistojë, ose e ka shumë të vështirë të ekzistojë, për fat të keq, ka edhe kufizime shumë serioze, kufizime të mëdha për shkak të të cilave shqiptarët paguajnë një faturë shumë të rëndë.
Po përpiqemi dhe po studiojmë të gjitha mënyrat që të inkurajojmë përfshirjen në administratën publike të njerëzve me ekspertizën më të lartë. Programi brain gain, i parashikuar fillimisht për botën akademike, do të shtrihet edhe në administratën shtetërore.
Krahas kësaj, është e domosdoshme që në administratë të shqyrtohet mënyra e shpërblimit sipas meritës, gradës, arritjeve, performancës. Kjo detyrë nuk është e thjeshtë, por është shumë e domosdoshme në rast se duam t'u përgjigjemi nevojave të mëdha që ka vendi për reforma. Reformat kërkojnë ekspertizë të shkallës më të lartë, ekspertizë e cila mungon realisht në shumë sektorë. Ne po përpiqemi që, nëpërmjet konsulencës, ta kompensojmë këtë mungesë, por zgjidhja është zhvillimi i kapaciteteve njerëzore brenda administratës aktuale. I gjithë problemi i shërbimit civil dhe i administratës duhet të shihet në raport me detyrimet, me misionin, që këto grupe kanë ndaj reformave, vendit dhe shoqërisë në tërësi.
Është e domosdoshme që kapacitetet e administratës publike të rriten, të përmirësohen, të përsosen, ndaj duhet të kristalizohet një qëndrim shumë i vendosur në këtë drejtim. Aktualisht, mënyra e shpërblimit në administratë e bën pak tërheqës këtë sektor, në raport me jetën akademike. Ne po punojmë që këtyre problemeve t'u japim zgjidhje me shpejtësi, në mënyrë që të kapërcejmë disa vështirësi në zhvillimin e kapaciteteve njerëzore dhe ekspertizën brenda administratës".