E Diel, 1 Nëntor 2026

Sot paradite, Kryeministri Berisha mori pjesë në ceremoninë e ndërrimit të komandës së Shtabit të NATO-s në Shqipëri, organizuar në Komandon e Doktrinës dhe Stërvitjes në Tiranë. Komand

Sot paradite, Kryeministri Berisha mori pjesë në ceremoninë e ndërrimit të komandës së Shtabit të NATO-s në Shqipëri, organizuar në Komandon e Doktrinës dhe Stërvitjes në Tiranë. Komanda e Shtabit të NATO-s kalon nga gjeneral major Georgios Mouroutsos, që ka drejtuar këtë Shtab për një vit, nën drejtimin e gjeneral brigade Anastasios Rintis.

Të pranishëm në ceremoni ishin Komandanti i Joint Force Comand Napoli, Air Marshall Dusty Miller, ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu, ministri i Brendshëm Bujar Nishani, drejtues të lartë të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, ambasadorë dhe atashe ushtarakë të akredituar në Shqipëri, përfaqësues të komuniteteve fetare, si dhe personalitete të tjerë.

Në përshëndetjen e tij, Kryeministri Berisha u shpreh:

"Jemi mbledhur sot së bashku për të përcjellë në detyrën e re gjeneral major Mouroutsos, një mik të çmuar, një komandant të aftë, të zotin, për t'i shprehur mirënjohjen dhe vlerësimin për kontributin e tij të madh që ai dha gjatë një viti, në drejtim të Shtabit të NATO-s në Shqipëri, në afrimin, në bashkëpunimin mes Shqipërisë dhe Aleancës së Atlantikut të Veriut, në mbështetjen e reformave të rëndësishme, në të cilën janë angazhuar Forcat tona të Armatosura.

Gjeneral Mouroutsos largohet nga Shqipëria, pas përfundimit me sukses të plotë të misionit të tij. Gjatë këtij viti që drejtoi Shtabin e NATO-s në Tiranë, marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe NATO-s, u bënë më të ngushta se asnjëherë tjetër. Këtë vit Shqipëria mori mesazhin e madh, të shumëpritur, nga Samiti i Rigës, mesazh në të cilin kryetarët e shteteve dhe qeverive të vendeve anëtare, vendosën të konsiderojnë Shqipërinë si një vend të mundshëm për të marrë ftesën në Samitin e ardhshëm të Zgjerimit.

Dua t'ju siguroj ju, të siguroj Forcat e Armatosura të Shqipërisë, se qeveria do të bëjë çdo përpjekje që të meritojë këtë ftesë, do të vazhdojë me përkushtim dhe vendosmëri të madhe reformën e Forcave tona të Armatosura, përpjekjet për të arritur të gjitha standardet politike dhe të tjera, që në Samitin e ardhshëm në Washington, Shqipëria, së bashku me Kroacinë dhe Maqedoninë, të meritojë ftesën për anëtarësim të plotë në Aleancën e Atlantikut të Veriut.

Në këtë aspekt, ne jemi të vendosur të përparojmë drejt një ushtrie të vogël, profesionale, e cila të përmbushë me dinjitet të gjitha detyrimet që rrjedhin nga anëtarësimi i Shqipërisë në NATO. Vetëm pak ditë më parë qeveria vendosi që në vitin 2008, shpenzimet për FA të rriten me 2 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto.

Theksova të gjitha këto, për të nënvizuar se Ju, gjeneral Mouroutsos, largoheni sot me një mision të plotë të përmbushur. Kolegët tuaj në Shtabin e Përgjithshëm të ushtrisë greke kanë shumë arsye për t'ju pritur me krenari, por më shumë se kushdo tjetër bashkëshortja juaj e nderuar. Ndaj dua t'i përcjell një përshëndetje të përzemërt dhe një falënderim të sinqertë edhe asaj, për mbështetjen që ju ka dhënë në misionin tuaj.

Dua të përshëndes këtu praninë e Marshallit të ajrit, Dusty Miller, dhe nëpërmjet tij, t'i përcjell urimet më të mira Admiralit Ulrih. Ne jemi shumë krenarë për bashkëpunimin që kemi me komandën e Napolit dhe shumë mirënjohës për të gjithë ndihmën që kjo komandë i ka dhënë dhe i jep Forcave të Armatosura të Shqipërisë. Të jeni të sigurt se qëndrimi juaj ka kontribuar thelbësisht në afrimin e Shqipërisë me NATO-n. Marshalli i Ajrit Dusty Miller, Admirali Ulrih dhe bashkëpunëtorët e tyre, e kanë më të qartë se kushdo tjetër se anëtarësimi i Shqipërisë në NATO bën krahun juglindor të saj, që është edhe krahu më i rëndësishëm i Aleancës, më i sigurt, më i qetë. Ne do të përpiqemi të përmbushim të gjitha detyrimet tona.

Së fundi, dua t'i uroj mirëseardhjen gjeneral brigade Rintis. Ju vini në një moment shumë të rëndësishëm, por keni një trashëgimi të shkëlqyer nga paraardhësit tuaj. Jam i sigurt se do të përmbushni me nder e dinjitet detyrën që merrni. Ju siguroj se do të keni të gjithë bashkëpunimin dhe mbështetjen tonë në përpjekjet tuaja shumë të rëndësishme për të integruar Shqipërinë në NATO.

Le ta quajmë këtë ditë, ditë e NATO-s në Shqipëri. Pra, është një ditë e madhe dhe dua t'ju siguroj se qeveria shqiptare e konsideron anëtarësimin e Shqipërisë në NATO si projektin më madhor të paqes dhe sigurisë, për shqiptarët, për Shqipërinë, por edhe projekt me rëndësi për rajonin. Faleminderit".

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›