E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sot paradite, nën drejtimin e Kryeministrit Berisha, u zhvillua në hotel Adriatik, në Durrës, takimi informues me anëtarët e Këshillit të Ministrave lidhur me sistemin e planifikimit të integ

Sot paradite, nën drejtimin e Kryeministrit Berisha, u zhvillua në hotel Adriatik, në Durrës, takimi informues me anëtarët e Këshillit të Ministrave lidhur me sistemin e planifikimit të integruar dhe fillimin e procesit të hartimit të buxhetit afatmesëm 2008-2010. Takimi kishte si qëllim informimin e anëtarëve të qeverisë me politikat buxhetore, procesin e hartimit të buxhetit afatmesëm dhe zbatimit të një sistemi të planifikimit të integruar. Duke folur për politikat buxhetore, Kryeministri theksoi:

"Takimi hap një seri takimesh që do të organizohen me zyrtarë të të gjitha niveleve lidhur me veprimtarinë më themelore të qeverisë, agjencive të saj nga qendra në bazë, politikat buxhetore. Ky proces, ndonëse është shtylla kryesore e veprimtarisë së një qeverie dhe me gjithë progresin e njohur që ka bërë, për fat të keq për një seri faktorësh përballet me deformime serioze dhe jo pak indiferencë.

Politika dhe procesi i buxhetimit përbëjnë themelin e veprimtarisë së çdo qeverie dhe agjencie. Viti që shkoi ne vendosëm sistemin e planifikimit të integruar, i cili ka për komponent kryesor buxhetin afatmesëm të vendit. Në 10 ditëshin e fundit, Komiteti i Planifikimit Strategjik është mbledhur tre herë dhe ka diskutuar të gjitha komponentët e buxhetit afatmesëm tre vjeçar, i cili fillon në vitin 2008 dhe shtrihet deri në vitin 2010. Ky buxhet ka risinë e shtrirjes pritej mandatit të parë të kësaj qeverie. Në hartimin e tij duhet të angazhohet direkt ministri, zëvendësit e tij dhe drejtorët përkatës. Komiteti ka miratuar drejtimet kryesore, tavanet, paketën fiskale, ndryshimet e paketës fiskale siç janë vendosja e taksës së sheshtë 10 për qind, çka e shndërron vendin në distancë me vendin me barrën fiskale më të ulët, u përcaktua rritja e buxhetit të mbrojtjes në 2 për qind në përputhje me objektivat e anëtarësimit të vendit në NATO.

Buxheti duhet të dalë nga disa praktika, të cilat, realisht, janë rrënuese, ndër të cilat do të veçoja fragmentimin e tij. Vitin e shkuar, ne ia dolëm të dorëzojmë buxhetin në muajin shtator, në Ministrinë e Financave. Me gjithë përkushtimin e punonjësve të kësaj ministrie, puna e bërë nga ministritë ishte e ndikuar fuqishëm nga mekanizmi i fragmentimit të buxhetit, mekanizëm ky që, po ta shqipërosh në një gjuhë tjetër, është mekanizmi i avullimit të buxhetit. Edhe këtë vit buxheti duhet të dorëzohet sërish në fund të muajit gusht, por ai duhet të jetë i hartuar mbi një koncept tërësisht të ri, duhet të jetë produkt i një diskutimi të gjerë me grupet interesit dhe qytetarët, të pasqyrojë objektivat tanë kryesorë, të përqendrohet në projekte të rëndësishme dhe të shënojë një vijë ndarëse të qartë me buxhetet lokale. Nuk mundet që ministria të mbajë përgjegjësitë e vogëlsirave lokale, të cilat i ka tërësisht jashtë kontrollit. Ministria duhet të delegojë dhe risia e këtij buxheti është një delegim edhe më i madh drejt qeverisjes vendore, një rritje reale e grantit për qeverinë vendore. Buxheti qendror duhet të ketë shtrirje tërësisht në projekte kombëtare, në projekte të vlerësueshme dhe të kontrolluara. Nuk do të lejohet dhe nuk mund të paraqiten më klishetë e buxheteve të mëparshme.

Ministria e Financave bëri një punë shumë serioze gjatë muajve shtator dhe tetor për t'i ofruar ato drejt objektivit tonë. Gjithashtu u bë një punë e madhe edhe nga ministrat. Praktika e viti të parë duhet të shërbejë si një praktikë e çmuar për një buxhet krejt tjetër të vitit 2008. Sikundër buxheti 2007 kërkon një ndjekje jashtëzakonisht të vëmendshme për zbatimin e tij. Ligji i ri i buxhetit dhe ligji i ri i prokurimeve publike i japim mundësi të mëdha çdo ministrie që zbatimin e buxhetit ta realizojnë sipas një programi të përcaktuar. Nuk janë të pakta ankesat që vijnë për Ministrinë e Financave dhe pengesat që kjo ministri nxjerr. Në tërësi e tyre ankesat janë jo thelbësore dhe vijnë nga trajtimi dhe vlerësimi jo në nivelin e duhur të problemeve të buxhetit nga ministritë dhe agjencitë që varen prej tyre. Ministria e Financave është e autorizuar dhe e detyruar të ushtrojë kontrollin më rigoroz në të gjithë praktikën e trajtimit të buxhetit. Ndaj dhe ju, zotërinj ministra, duhet të merreni vetë direkt me të dhe duhet të keni të qartë se drejtoria e buxhetit në institucionin që ju drejtoni është drejtoria e parë për nga rëndësia. Zyrat e auditit, të cilat kanë detyrë të kontrollojnë përdorimin e tij janë të një rëndësie shumë të veçantë për çdo ministri. Zyrat e investimeve duhet të jenë zyrat më kompetente.

Pavarësisht nga vështirësitë, viti që kaloi u mbyll me një realizim prej 93 për qind të investimeve me burime financiare të brendshme, realizim ky që vlerësohet shumë i mirë. Nuk është në këto nivele, janë larg këtij niveli, ato me burime të jashtme financiare. Edhe këtu është e domosdoshme që të shqyrtojmë të gjithë praktikën tonë me financimet e huaja. Së pari, kjo praktikë duhet të përpiqet të thjeshtojë të gjithë burokracinë e të zhdërvjelltësoi komunikimin me institucionet financiare ndërkombëtare, së dyti, këto investime duhet të diversifikohen e jo të mbeten të përqendruara, sepse historiku i realizimit të financimeve të huaja në Shqipëri është një histori e dhimbshme. Gjatë 10 viteve të fundit, këto realizime kanë njohur nivelin më të madh vitin e kaluar me 60 për qind, ndërkohë që kanë njohur edhe nivele 25, 30, 40 për qind, realizime këto jashtëzakonisht të papranueshme. Ndaj i kam kërkuar Ministrit të Financave që të diversifikojë burimet e financimeve të huaja. Sot, tregu bankar shqiptar është shumë i zhvilluar, por janë edhe institucione të tjera financiare që ofrojnë financime. Natyrisht interesat mund të jenë pak më të lartë. Në një seri takimesh me ministrin e Financave kam shtruar këtë domosdoshmëri, sepse ka një faktor që ka çmimin më të madh, më të kushtueshëm dhe, fatkeqësisht, jo dhe aq të përfillur dhe ai është faktori kohë, është vendi me kohë të humbur dhe ne jemi vendi me kohën më të humbur. Kjo ka qenë historia jonë. Historia e diktaturave është histori e kohës së ndaluar në rrafshin filozofik dhe jo vetëm se ka qenë një sistem i kohës së ndaluar, por, për fat të keq, është edhe një trashëgimi e saj, e cila bën që çmimi i kohës të mos përfillet kaq shumë. Ne duhet që këtë çmim ta kemi parasysh më shumë se çdo çmim tjetër, pasi ky është çmimi më i rëndë që paguajnë shqiptarët.

Unë u ndala vetëm në një aspekt, atë të investimeve. Në rast se financimet e huaja ka vite që janë realizuar 20 apo 40 për qind, imagjinoni se çfarë pasojash të rënda ka pasur kjo në zhvillimin ekonomik të vendit, sesi kjo praktikë i ka shndërruar në letër pa vlerë parashikimet tona. Nuk përjashtojmë burokracinë e këtyre institucioneve financiare, por përgjegjëse kryesore është burokracia shqiptare, e cila duhet të ketë një shkallë komunikimi shumë më të shpejtë, direkt dhe një ndjekje shumë më të përgjegjshme. Sikundër detyrimisht duhet të shtojmë drejt diversifikimit të burimeve të kredive që ne marrim, të cilat janë të domosdoshme, por më i rëndësishëm është menaxhimi i tyre. Ministria e Financave edhe në këtë aspekt ka vendosur praktika të reja shumë të dobishme. Theksova çështjen e financimeve të huaja sepse konstatoj me keqardhje një lloj plogështie në ndjekjen dhe realizimin e tyre, duke theksuar se kjo nuk varet nga ne, por nga institucionet. Unë e ndjek me vëmendje dhe ju siguroj se shumica e vonesave vijnë nga ne. Sikundër ka edhe vonesa që vijnë prej tyre, këtë nuk e mohoj, por theksoj se shumica e vonesave vijnë prej burokracisë dhe koncepteve tona.

Kjo mbledhje pune do të vazhdojë me takime të niveleve të tjera, por, në rast se buxheti nuk bëhet çështja e parë në axhendën tuaj, ju siguroj se asnjë ministër nuk përmbush dot misionin e tij jashtë këtij konteksti. Realizimi, hartimi dhe programimi i buxhetit është mekanizmi bazë e më themelor për përmbushjen e misionit tuaj në fushat që ju drejtoni".

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›