E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha përshëndeti sot 50 vjetorin e themelimit të Bashkimit Evropian. Në përshëndetjen e bërë gjatë një konference për shtyp në ambientet e hotel Adriatik, në Durrës, Krye

Kryeministri Berisha përshëndeti sot 50 vjetorin e themelimit të Bashkimit Evropian. Në përshëndetjen e bërë gjatë një konference për shtyp në ambientet e hotel Adriatik, në Durrës, Kryeministri u shpreh:

"Si sot, 50 vjet më parë, më 25 mars të vitit 1957, Franca, Gjermania, Italia dhe vendet e Beneluksit firmosën në Romë, Traktatin, që do të shndërrohej në dokumentin më të rëndësishëm në tërë historinë e Evropës, do të shndërrohej në traktatin e themelimit të BE-së. Vendet themeluese të këtij bashkimi u shndërruan me shpejtësi në një pol të fuqishëm që si magnet bashkuan rreth vetes dhe vende të tjera evropiane që ndodheshin në anën e lirë të perdes së hekurt. Bashkimi Evropian është bashkimi vullnetar i vendeve të Evropës bazuar në vlerat e paqes, lirisë, rritjes ekonomike, kohezionit social. Ishin këto vlera, zhvillimi dhe konsolidimi i tyre në anën e lirë të perdes së hekurt, një nga faktorët më përcaktues së shembjes së kësaj perdeje, të këtij muri.

Sot BE-ja grupon në gjirin e tij rreth 500 milion qytetarë të Evropës, ndër të cilët një numër i madh i tyre vinë nga vendet ish komuniste, vende të cilat gjysmën e dytë të shekullit të 20-të e kaluan në tiraninë më të egër që këto kombe kishin njohur gjatë historisë tyre të gjatë, në regjimet totalitare komuniste.

Bashkimi Evropian dhe integrimi në këtë bashkim përbëjnë projektin më madhor të kombeve evropiane. Edhe për kombin shqiptar ky mbetet projekti më madhor. Në këtë kontekst, qeveria shqiptare mbetet thellësisht e angazhuar për të përmbushur të gjitha detyrimet që rrjedhin lidhur me kriteret, standardet, normat, praktikat e domosdoshme, që edhe Shqipëria dhe shqiptarët të bashkohen me këto kombe në emër të vlerave që ndajnë, vlerave të paqes, lirisë, prosperitetit, kohezionit social.

Dje, në Berlin u zhvillua Samiti i Partive Popullore Evropiane, në të cilën morën pjesë rreth 60 personalitete kryesore të Qendrës së Djathtë Evropiane. Mikpritësja e këtij samiti ishte Kancelarja Anxhela Merkel. Gjithashtu, në Samit ishin të pranishëm edhe drejtuesit kryesorë të Parlamentit Evropian, të Komisionit Evropian, Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, të cilët i përkasin qendrës së djathtë Evropiane, kryetarët shtetesh, kryeministra, kryetarë të partive kryesore të vendeve anëtare të BE-së.

Ky Samit miratoi një deklaratë, në të cilën pasi u shpallën vlerat mbi të cilat është themeluar BE-ja dhe bënë vlerësimin më të madh për etërit themelues, De Gasperin, Adenauerin, Robert Shumanin, Helmut Kolin, i cili nuk është themelues, por me kontributet që dha është shpallur edhe ai një ndër themeluesit e BE-së dhe qytetar i mbarë Evropës. Deklarata thekson domosdoshmërinë e zhvillimit dhe konsolidimit të vlerave mbi të cilat është bazuar ky bashkim, dërgon mesazhin e hapjes dhe të mirëpritjes së anëtarëve të rinj, përcakton dhe vlerëson sukseset e mëdha të arritura në këto 50 vjet, nga BE-ja. Natyrisht nuk injoron vështirësitë me të cilat përballet sot, por në historinë e BE-së, vështirësitë kanë qenë një stimul i fuqishëm për zgjidhjen e tyre, çka do të thotë se ky proces është i parikthyeshëm dhe i pandalshëm.

Edhe njëherë dua të përshëndes shumë përzemërsisht, t'i shpreh mirënjohjen më të thellë Bashkimit Evropian për solidaritetin më të jashtëzakonshëm që ka dëshmuar ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve, gjatë këtyre 15 viteve të tranzicionit të tyre dhe të siguroj se Shqipëria është e vendosur të bëjë të gjitha përpjekjet për të merituar anëtarësimin në këtë organizatë gjatë viteve që do të vijnë.

Sot është një ditë e madhe për mbarë Evropën, për të gjithë qytetarët e këtij kontinenti."

Më pas, Kryeministri iu përgjigj interesimit të gazetarëve.

Pyetje: Zoti Kryeministër, deri ku jemi ne, nga sa keni kontaktuar me homologët tuaj, në procesin e integrimit?

Kryeministri: Sigurisht që ne kemi një projekt dhe ky projekt është Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit. Zbatimi i saj përbën kushtin më përcaktues të ecjes në rrugën e integrimit, Unë mund t'u informoj se qeveria këtë projekt e ka program pune, një kontrate mbi të cilën ne punojmë për ta realizuar dhe anëtarësimi realizohet mbi bazën e mirëfunksionimit, mbi bazën e mirëqeverisjes dhe zbatimit të kontratës së MSA. Vendet e Ballkanit Perëndimor kanë një perspektivë të qartë evropiane, e konfirmuar kjo në mënyrë të përsëritur. Këto vende natyrisht duhet që të konsolidojnë standardet, kriteret, normat, praktikat e domosdoshme për t'u anëtarësuar në BE.

Pyetje: Për sa kohë mendoni do të hyjë në zbatim zona e shkëmbimit të lirë mes Shqipërisë dhe BE-së?

Kryeministri: Shqipëria nënshkroi marrëveshjen e CEFTA-ne, e cila është një zonë shkëmbimeve të lira që shtrihet nga Kroacia në Moldavi dhe po punohet me shpejtësi për shndërrimin e saj në realitet. Natyrisht në kuadrin e MSA, nënshkruam në muajin nëntor marrëveshjen e ndërmjetme, e cila, në fakt, dyfishoi uljen e taksës doganore, sepse u llogarit një vit i plotë ulja në nëntor, gjë për të cilën unë shprehem i kënaqur, sepse jam i bindur se, pavarësisht nga disa vështirësi, ajo nxit në vetvete zhvillimin dhe prodhimin në Shqipëri. Fakt është që eksporti po rritet. Një nga risitë reale është rritja progresive e eksporteve. Sado që disbalanca është e madhe, duhet theksuar që eksportet kanë një rritje të konsiderueshme.

Pyetje: Mendoni se do të jetë më shpejt se 10 vjet?

Kryeministri: Më shpjet padyshim.

Pyetje: Në raundin e bisedimeve që do të zhvillohen në muajin maj me BE-në, çështja kryesore do të jetë presidenti konsensual. Mendoni se do ta kapërceni këtë?

Kryeministri: Unë nuk di që kjo është çështje kryesore. Unë mendoj që komisioneri Olli Rehn deklaroi qartë që kjo është një çështje e brendshme e Shqipërisë. Natyrisht që BE-ja ka bërë sugjerimin e saj që të gjendet mirëkuptimi për këtë çështje, por unë nuk shoh që kjo çështje do të jetë një problem për rrugën e Shqipërisë drejt integrimit, pasi jam i bindur se gjithçka do të zgjidhet në mënyrën më demokratike. Shqipëria është një demokraci që funksionon, pavarësisht nga vështirësitë e veta.

Pyetje: A do të uleni në një takim me zotin Rama për reformat siç edhe ka deklaruar edhe zoti Topi se zoti Berisha duhet të ulet me zotin Rama në emër të reformave.

Kryeministri: Besoj se kjo qeveri që në themelimin e saj e deri më sot ka vetëm një kurs dhe ai është kursi i reformave. Ne këtë kontekst, secili faktor i rëndësishëm dhe cilido është shumë i mirëpritur të kontribuojë në rrugën e reformave. Për pyetjen konkrete unë nuk preferoj të ndërhyj në fushatën elektorale të partisë kundërshtare. Ata janë në një fushatë elektorale. Më takon të respektoj të gjitha zhvillimet aty dhe të ruaj paanësinë.

Unë nuk mund të konceptoj praktika mos takimi me politikanët shqiptarë. Këto janë tërësisht jashtë koncepteve të mia. Nuk ka rëndësi për mua duhen apo nuk duhen, unë mbetem i hapur për ata që duan.

Pyetje: Cilat do të jenë angazhimet e Shqipërisë me BE-në deri në fund të mandatit tuaj qeverisës?Ç'përfitime do të sjellë për lëvizjen e lirë?

Kryeministri: Mendoj zbatimi i të gjitha detyrimeve që rrjedhin nga MSA, zbatimi i kontratës.

Për sa i përket regjimit të liberalizimit të vizave unë mund t'u siguroj se marrëveshja që nënshkruhet, është një nga më të favorshmet që ka nënshkruar ndonjë vend ndonjëherë. Në kategoritë që marrëveshja përfshin, duhet të jemi shumë mirënjohës, sepse kanë qenë jashtëzakonisht bujarë për një vend në stadin e të cilit jemi ne. Natyrisht vende, të cilat kanë firmosur asociimin, kanë standard tjetër, por standardet që janë përshtatur kësaj here për Shqipërinë janë ndër më të gjerat e përshtatura për një vend të stadit në të cilit ne ndodhemi. Komisioni po punon me shumë vendosmëri që ajo marrëveshje të finalizohet.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›