Në mbledhjen e sotme të grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Kryeministri Sali Berisha kërkoi angazhimin e të gjitha strukturave qeveritare në realizimin e reformës në administratë, me
Në mbledhjen e sotme të grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Kryeministri Sali Berisha kërkoi angazhimin e të gjitha strukturave qeveritare në realizimin e reformës në administratë, me qëllim thjeshtimin e gjitha procedurave shtetërore, lehtësimin e tyre, si dhe shkurtimin e afateve për të garantuar shërbime cilësore për qytetarët.
Kryeministri tërhoqi vëmendjen e zyrtarëve të administratës që të mos pengojnë dhe vonojnë qytetarët përmes procedurave burokratike, duke u shprehur se afatet shfrytëzohen shpesh nga zyrtarët burokratë, për të mos iu përgjigjur qytetarëve në kohë, gjë e cila përbën një pengesë shumë serioze. E rëndësishme në këtë drejtim, - u shpreh Kryeministri, - është funksionimi i procedurave dixhitale në të gjithë sektorët e rëndësishëm. Kompletimi i këtij procesi sa më shpejtë të jetë e mundur, së bashku me dokumentet e identitetit, është i domosdoshëm për të modernizuar administratën. Më tej, Kryeministri bëri këto komente:
"Dua t'ju informoj se një drejtim kryesor i reformave është reforma e administratës. Vetëm një administratë kompetente, e përgjegjshme mund të bëhet lokomotiva e vërtetë e reformave dhe mund të përmbushë misionin e saj jashtëzakonisht të rëndësishëm, mund të garantojë shërbimet më cilësore dhe më të merituara për qytetarët.
Në këtë kontekst, Ministri i Drejtësisë ka në shqyrtim të gjitha procedurat e shtetit, mbi bazën e një katalogu të plotë që ekziston dhe po shqyrtohet thjeshtimi i tyre tërësor, heqja e tyre aty ku ato janë të panevojshme në mënyrë që kjo reformë, e cila mbikëqyret dhe udhëhiqet nga zëvendëskryeministri, të ecë me ritme shumë më të shpejta. Në këtë shqyrtim tërësor të procedurave të këtij shtetit, një drejtim tjetër do të jetë shkurtimi i afateve. Afatet janë mekanizmi i vrasjes së kohës. Afatet shfrytëzohen nga zyrtarët burokratë, për të mos ju përgjigjur deri ditën e fundit, gjë e cila përbën një pengesë shumë serioze. Në vend të pasionit për të dhënë përgjigje mundësisht ditën e parë, burokracia vuan nga virusi i vrasjes së kohës, virusi më i tmerrshëm, i trashëguar nga diktatura, e cila ishte regjim i kohës së ndalur. I përcjellë në qindra e mijëra mënyra, ky virus duhet përfundimisht të dalë nga administrata, duhet të dalë nga psikologjia e saj, psikologji e cila ka të bëjë me vlerësimin e gjithçkaje tjetër përveç kohës që është më e çmuara. Koha, që ka çmimin më të lartë në trashëgiminë tonë, është mjerisht më pak e kuotuara. Ndaj dhe kjo reformë synon që të nxjerrë administratën nga një sëmundje me pasoja shumë të dëmshme për shoqërinë. Burokrati thotë se ka kohë, se ligji i njeh këtë apo atë afat. Por të gjitha këto do të rishqyrtohen në sensin e shpejtimit të kohës.
Në këtë kontekst, nuk ka mëdyshje se vektori më i shpejtë është procedura dixhitale. Duke qenë jo dhe aq afër objektivit, me kënaqësi mund t'ju them se nuk jemi dhe larg. Agjencitë e ndryshme janë angazhuar në këtë proces, është kompletuar regjistri elektronik i bizneseve, është i kompletuar regjistri elektronik i penaliteteve, të cilat krijonin radhët më të mundimshme, më të pamëshirshme. Shumë shpejt kompletohet prokurimi elektronik në tërësi. Janë bërë hapa shumë të rëndësishëm dhe të gjitha dosjet e objekteve për legalizim po i nënshtrohen dixhitalizimit të tyre. Po kështu, zyrat e tyre do të punojnë për dixhitalizimin. Ndërkohë, institucioni i thesarit është i dixhitalizuar. Sidoqoftë, kompletimi i këtij procesi sa më shpejtë të jetë e mundur, së bashku me dokumentet e identitetit, është i domosdoshëm për të modernizuar administratën.
Nga ana tjetër, me Departamentin e Marrëdhënieve Publike po punojmë për një sistem shpërblimesh për gradat shkencore, duke përdorur si model pak a shumë atë të universiteteve. Do të vendosen shpërblime shtesë për masterin post-universitar, për doktoratën, për titujt, asistent profesorë dhe profesorë, në mënyrë që potencialet intelektuale të shoqërisë të mund të shfrytëzohen në interesin më të mirë.
Po ashtu, ajo që filloi si "brain gain" për universitetet do të shtrihet tani dhe në sektorët kryesor të administratës publike. Pra, ne jemi të vendosur të investojmë shuam seriozisht për aftësimin, për kualifikimin e administratës publike, konsolidimin e shërbimit civil të kësaj administrate, si korpusi kryesor i saj. Mendova të informoj për këto reforma sepse këto reforma janë të padukshme, por janë të domosdoshme.
Nuk u ndala në aspektin e reformës rregullatore të tregut, e cila ka bërë progres të qartë. Një progres shumë më i madh pritet në periudhën prill-qershor, ku ministritë e linjës kanë shprehur zotimet konkrete, për të thjeshtuar, për të ulur në maksimum procedurat për licencat dhe lejet, për të thjeshtuar kërkesat për dhënin e tyre dhe jam i bindur se brenda qershorit, në drejtim të lliçensimeve dhe në drejtim të lejeve, shënohet një hap i ri cilësor.
Sikundër, "One Stop shop", në kuadrin e pragut të llogarisë së Mijëvjeçarit, do të jetë realitet i afërt. Progres i ndjeshëm është bërë. Parlamenti, gjatë këtyre javëve do të emërojë Ombudsman-in e prokurimeve publike, në përputhje me ligjin e ri. Hapa shumë të rëndësishëm janë shënuar, ashtu siç e theksova, në drejtim të prokurimeve dhe po vazhdohet në drejtim të modernizimit të administrimit fiskal. Këto janë linjat më themelore. Do të kemi një përqëndrim kryesor te qeverisja elektronike (e-government). E theksova se në shumë aspekte është punuar dhe është shënuar progres, por tani është i domosdoshëm një koordinim i plotë dhe finalizim i këtij procesi sa më shpejt".