E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sot paradite, Kryeministri Berisha priti në takim Ministrin e Tregtisë së Kosovës, zotin Bujar Dugolli. Diskutimi mes tyre u përqendrua në forcimin e marrëdhënieve ekonomike mes dy vendeve, nj

Sot paradite, Kryeministri Berisha priti në takim Ministrin e Tregtisë së Kosovës, zotin Bujar Dugolli. Diskutimi mes tyre u përqendrua në forcimin e marrëdhënieve ekonomike mes dy vendeve, njehsimin e tregjeve dhe rritjen e shkëmbimeve dypalëshe tregtare, si dhe përmirësimin e infrastrukturës në funksion të zhvillimit ekonomik të të dy vendeve. Kryeministri vlerësoi Marrëveshjen e Mirëkuptimit për Standardizimin, të nënshkruar një ditë më parë me Ministrinë shqiptare të Ekonomisë, duke theksuar rëndësinë e konkretizimit në çdo klauzolë të saj. Kjo marrëveshje u vlerësua e rëndësishme edhe nga ministri Dugolli, i cili theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ekonomik rajonal, veçanërisht forcimit të bashkëpunimit me Shqipërinë në këtë drejtim. Bashkëbiseduesit u ndalën, gjithashtu, në zhvillimet në Kosovë.

Pas takimit mes tyre, Kryeministri Berisha dhe Ministri Dugolli bënë këto komente në lidhje me statusin e Kosovës:

Kryeministri Berisha: Dëshiroj të përshëndes qëndrimin e qeverisë së Kosovës, parlamentit dhe Presidentit të Kosovës në raport me këtë dokument historik dhe shumë të rëndësishëm, si edhe qëndrimin e qytetarëve të Kosovës, të cilët kanë dëshmuar vlerësim serioz e të rëndësishëm për këtë dokument.

Mendoj se ky dokument është i pranueshëm dhe duhet të jetë i pranueshëm për të gjithë. Uroj që skemat që u përdorën në fillim të shekullit të kaluar, të bazuar në një racizëm antishqiptar dhe në përpjekjet për t'u mohuar shqiptarëve edhe shtetin e tyre, të mos jenë më operative në ndonjë kancelari, por të kuptohet se shqiptarët janë një komb që ka aspiratat e tij. Në Shqipëri përpiqemi të anëtarësohemi sa më shpejt në BE dhe NATO, në Kosovë e ngritën nga shkrumbi dhe hiri i një barbarie të pashembullt në gjysmën e dytë të këtij shekulli dhe i dhanë vendit të tyre fytyrën evropiane. Uroj dhe shpresoj që të gjitha këto të vlerësohen objektivisht dhe të mos projektohen interesa të vjetra nacionale apo krahasime të pakrahasueshme, sepse Kosova është unike si në historikun e vet, ashtu dhe në historinë e tashme të saj.

Unë shoh me optimizëm negocimin në shkurt dhe zbatimin e marrëveshjes, sikundër sërish theksoj dhe bëj thirrje që një paketë ekonomike është e domosdoshme për të shoqëruar këtë marrëveshje, në mënyrë që ajo të mund të zbatohet me sukses. Në Kosovë ka papunësi shumë të lartë, nuk ka investime të huaja të shumta dhe kjo paketë do të ishte jashtëzakonisht e çmuar dhe e dobishme, sado që mund të duket e kushtueshme, por, në fakt, do të ishte rruga më e sigurt dhe e mirë për një zbatim serioz të marrëveshjes.

Zoti Dugolli: Unë, si dhe institucionet e Kosovës, e kam çmuar dhe e çmoj qëndrimin konstruktiv të shtetit shqiptar ndaj zhvillimeve politike dhe ekonomike në Kosovë. Ne jemi në muajt vendimtar për të ardhmen e Kosovës. Sinjalet janë shumë pozitive. Ne morëm qëndrime të qarta nga shteti shqiptar për këtë proces dhe normalisht kërkuam edhe angazhimin e mëtejshëm derisa Kosova ta finalizojë çështjen e statusit, njohjen ndërkombëtare dhe njohjen e saj në organizmat ndërkombëtar siç është Organizata e Kombeve të Bashkuara dhe organizma të tjerë. Ne do të bëjmë punën tonë, do të japim sugjerimet e nevojshme në fazën e mëtejshme dhe jemi të bindur se në momentin e fundit edhe Presidenti Ahtisari do të çmojë vullnetin e popullit të saj, që Kosova të jetë e pavarur. Ne mbesim me shpresë se kjo do të realizohet.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›