Kryeministri u takua sot në mesditë edhe me banorë të Fushë-Krujës dhe Kasharit. Në fjalën drejtuar banorëve të tyre, Kryeministri paraqiti arritjet e qeverisë në këtë një vit e gjysmë
Kryeministri u takua sot në mesditë edhe me banorë të Fushë-Krujës dhe Kasharit. Në fjalën drejtuar banorëve të tyre, Kryeministri paraqiti arritjet e qeverisë në këtë një vit e gjysmë qeverisje, duke veçuar luftën me tolerancë zero kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, që bëri të mundur kursimin e 600 milion euro nga shpërdorimi dhe abuzimi i zyrtarëve, evazioni fiskal dhe kontrabanda; rritjen e rrogave dhe pensioneve më shumë se në 15 vitet e fundit; uljen më të madhe të taksave; prokurimin dhe fillimin e veprave të mëdha publike; nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit me Bashkimin Evropian dhe mesazhin e Samitit të Rigës, ku Shqipëria u vlerësua si kandidat potencial për të marrë ftesën në Samitin e ardhshëm të zgjerimit.
Duke folur për projektet e ardhshme për Fushë-Krujën, Kryeministri siguroi për mbështetjen e plotë të qeverisë për realizimin e tyre në funksion të përmirësimit të jetesës dhe shërbimeve ndaj qytetarëve të këtij qyteti. "Kam ardhur sot, këtu, për t'u zotuar se me zotin Ismet Mavriqi do të inagurojmë unazën e madhe të këtij qyteti, portë e kryeqytetit të vendit, si dhe do të inagurojmë projekte të tjera, me të cilat kjo bashki e suksesshme do t'i ofrojë shërbimet më të mira qytetit të Fushë-Krujës, për shërbime sociale më të mira, shkolla moderne, parqe dhe jetën kulturore që ju meritoni. Sikundër zotohemi se rrugën që lidh Fushë-Krujën me Thumanën, me Mamurrasin e Laçin nuk do ta lëmë të rrënohet, por do ta rikonstruktojmë dhe shtrojmë në një rrugë të standardeve evropiane," u shpreh Kryeministri.
Kryeministri siguroi, gjithashtu, fermerët e kësaj zone, të cilët këtë vit i kanë shitur prodhimet e tyre më mirë se çdo vit tjetër, se vitin e ardhshëm do t'i mbrojmë më shumë prodhimet e tyre, sepse janë bio. "Ne, - u shpreh Kryeministri, - do të mbështesim kryetarët e komunave të kësaj zone në çdo projekt të tyre, në mënyrë që jeta e fermerëve të ketë përmirësime të ndjeshme."
Në takimin me banorë të Kasharit, Kryeministri theksoi mbështetjen për zotin Faik Fejzo në çdo projekt të tij, që synon ta shndërrojnë Kasharin në një nga zonat më të zhvilluara të kryeqytetit, më të bukurat dhe më të organizuarat. "Zoti Fejzo, ju garantojmë se do të financojmë për çdo shkollë që do të ndërtohet në këtë zonë, për kanalizimet, sikundër kërkojmë të përcaktosh me përparësi zonën industriale të Kasharit që investitorët e mëdhenj shqiptarë e të huaj të vijnë të investojnë dhe Kashari të shndërrohet në një qendër të fuqishme industriale të zhvillimit të vendit."
Kryeministri ftoi banorët e Kasharit për të vazhduar së bashku, me koalicion më të madh qeverisës, për të realizuar projektin evropian për Shqipërinë.
"Ju bëj thirrje të vazhdojmë së bashku, sepse, pavarësisht nga veprat e mëdha publike, investimet e mëdha, Kashari, Tirana e mbarë Shqipëria me hallet e dertet, rrogën e pensionin e tij, me rrugicat, shërbimin shëndetësor, punën e punësimin janë të parët për ne. Ju ftoj që më 18 shkurt të votoni Faik Fejzon, përfaqësuesin e shkëlqyer të koalicionit më të gjerë në historinë e vendit, të aleancës së madhe, këtë qeveritar vendor të sprovuar e të suksesit, që me punën e përkushtimin e tij ka ngritur këtu një infrastrukturë që ia kalon shumicës së lagjeve të Tiranës, sepse atje u zbatua për 6 vite me radhë praktika ‘puno dhe vjedh'.
Shkoni mbrapa hotel Tiranës e shihni se çfarë mund të bëjë babëzia e korrupsioni. Kryetari i bashkisë vendos pallatin në rrugën e qytetit, gjoja në emrin e drejtorit të tij Dash Peza. Por nuk ka qeveritar vendor në botë që të imagjinojë të japë rrugën me qera e pastaj të lejojë ndërtimin e pallatit 13 kate në të. Ju jap fjalën se atë nuk do të mund ta gëzojë as Rama dhe as Dashi e gonxhet e tij. Ligji do të veprojë me forcën e tij më të madh e ndaj tyre.
Faik Fejzo përfaqëson koalicion më të gjerë dhe aleancën më të madhe që vendi ka njohur ndonjëherë. Ndërsa rivali i tij përfaqëson një koalicion të perënduar dhe të dështuar. Edi Rama tani, nga njëra anë, betohet për kokën e Ramës së vogël që është Ilir Meta, nga ana tjetër i dërgon deputetët e tij për të mbështetur kandidatët e tij kundër kandidatëve të Ilir Metës. Parashikoni harmoninë e koalicionit të tyre, hile, intriga dhe asgjë tjetër."