Sot në mbrëmje u zhvillua mbledhja e radhës së Këshillit të Ministrave. Kryeministri Berisha solli në vëmendje një çështje të rëndësishme për të cilën po punohet, që synon vlerësimi
Sot në mbrëmje u zhvillua mbledhja e radhës së Këshillit të Ministrave. Kryeministri Berisha solli në vëmendje një çështje të rëndësishme për të cilën po punohet, që synon vlerësimin e merituar të gradave dhe titujve në administratën publike.
Duke theksuar domosdoshmërinë e rishikimit të shpërblimit të gradave dhe titujve, Kryeministri, ndër të tjera, u shpreh: "Disa forma shpërblimi të pamerituara duhet të arkivohen, sepse është me shumë interes të dihet që sistemi i shpërblimeve në administratë ka qenë jashtëzakonisht i deformuar. Realisht, po ta studiosh me vëmendjen atë skemë, merita është e fundit gjë që shpërblehet.
Është e domosdoshme të merret seriozisht shpërblimi i meritës. Akoma në sistemin tonë të administratës nuk shpërblehen gradat, nuk shpërblehen titujt dhe ky është një defekt serioz për të cilin Departamenti përkatës po punon për korrigjimin e tij të shpejtë dhe serioz. Administrata publike duhet të ofrojë shpërblime për gradat, për titujt, përndryshe në këtë administratë, nuk do të mund të rrijë asnjë njeri me gradë a titull. Ndaj është shumë e domosdoshme të punohet në këtë drejtim dhe ne po punojmë. Shpresoj që të bëhen amendamentet e duhura edhe në ligjin e shërbimit civil, në mënyrë që realisht gradat shkencore, master apo doktoratë, të ketë pikët e saj në vlerësim. Duhet të merret në konsideratë dhe të tërheqim sa më shumë në administratë njerëz me tituj e grada. Dua t'ju informoj se programi brain gain, i cili fillimisht kishte kryesisht orjentim në rrethe akademike, tani po ridimensionohet për të ardhur drejt administratës publike. Është shumë e rëndësishme që stafet, drejtoritë, grupet e ekspertëve të kenë shkallën më të lartë të kualifikimit".
Kryeministri përmendi më tej disa nga vendimet e rëndësishme që do të diskutohen në mbledhje, si marrëveshja financiare mes Shqipërisë dhe BEI-t për financimin e terminalit të trageteve në portin e Durrësit, disa procedura tatimore të cilat synojnë të zvogëlojnë informalitetin dhe t'i japin përgjigjen e duhur administrative evazionit dhe informalitetit. Po ashtu, Kryeministri vuri në dukje edhe vendimin për fondin shtesë për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, fond i domosdoshëm ky që KQZ të përballojër plotësisht, pa vështirësi, të gjithë procedurën e administrimit dhe të drejtimit të procesit zgjedhor.