E Diel, 1 Nëntor 2026

Të dashur kolegë, Të nderuar profesorë, Të Nderuar diplomantë dhe prindër të së ardhmes Jam shumë i emocionuar sot pasi në atë regjimin ku jemi diplomuar ne nuk mungonin vetëm kët

Të dashur kolegë,
Të nderuar profesorë,
Të Nderuar diplomantë dhe prindër të së ardhmes

Jam shumë i emocionuar sot pasi në atë regjimin ku jemi diplomuar ne nuk mungonin vetëm këto uniforma dhe këtë uniformë e kam veshur në ceremoninë e diplomimit të djalit tim para pak vitesh prandaj më lejoni të sillem dhe të ndaj me ju të njëjtat emocione që të gjithë ju keni sot.
Në punët e mia të Kryeministrit ftesa si kjo që më keni bërë ju sot, nuk janë dhe aq të shpeshta dhe prandaj unë e prita me kënaqësi të veçantë. Marrja e diplomave është në vetvete një moment që nuk përsëritet dhe përmbledh në një çast të vetëm vite e vite pune të përditëshme, ëndrrash, ndrojtjesh, shpesh të pakuptimta dhe të pabaza, dhe gëzimesh si ky i sotmi. Ju mësuat se si të perceptoni dukuritë e jetës, të shoqërisë dhe sidomos të ekonomisë, si të thelloheni në diskutimin e alternativave që ajo mbart, si të diskutoni rrugët e mundshme të zgjidhjeve optimale të saj në praktikë. I gjthë ky cikel që kalon nëpërmjet konceptimit, arsyetimit dhe nxjerrjes së përfundimeve ka formuar tek ju vetëdijen profesionale dhe ju sot besoj se mburreni që quheni ekonomist, financier apo menaxher. Është kjo vetëdije profesionale që ju do të duhet ta ushqeni hap pas hapi me zell dhe emoçione si deri tani, ndoshta dhe më me përkushtim. Karriera dhe kompeticioni tani fillon. Vetëm kështu do të arrini të jeni të vlerësuar dhe të klasifikuar nga shoqëria në ato nivele apo shkallë që ju synoni që sot.

Kolegu im, profesor Dhori Kule më bëri me dije se sot diplomohen 413 studentë universitare dhe 33 studentë pasuniversitare (MBA). Ndërkaq 14 500 studentë janë diplomuar qysh nga krijimi i këtij fakulteti. Në bankat e Fakultetit të Ekonomisë sot ulen mbi 3000 studentë univeristare dhe mbi 150 studentë pasuniversitare Mastër në Administrim Biznes, dhe Mastër në Administrimin Publik. (MBA dhe MPA). Politikanë dhe qeveritarë, në mazhorancë dhe në opozitë, kanë dalë nga bankat e këtij fakulteti, kanë përballuar dhe vazhdojnë të përballojnë me sukses sfidat e reformave që po e përafrojnë shoqërinë dhe ekonominë shqiptare me Bashkimin Europian.

Si pasojë e një realiteti të hapur dhe konkurues, sot më shumë së katër vetë janë në garë për një vend në studimet pasuniversitare dhe 10 vetë për një vend në studimet MBA – MPA. Jam i detyruar ta respektoj dhe ta përballoj si kryetar i Këshillit të Ministrave këtë kërkesë për arsimim pëer të mos lejuar që të ulet niveli i mësimdhënies dhe prandaj po shpall solemnisht se e pranoj këtë sfidë për Qeverinë që unë kryesoj.

Ndërkaq më lejoni të ndaj me ju sfidat që përballon vendi dhe jo vetëm Qeveria. Realiteti ynë po bëhet gjithnjë e më i hapur e konkurues, koha e sotme ofron për ju mundësi shkollimi dhe specializimi të shumta. Vendi kërkon që ju t'i pranoni dhe t'i fitoni sfidat e shkollimit, konkurrimit dhe të specializimit për të ruajtur dhe për të rritur ritmet e zhvillimit dhe të integrimit të vendit në botën globale. Natyrisht disa nga mundësitë e shkollimit i kanë trajektoret jashtë kufijve të vendit, por unë shpresoj se ju e keni zgjedhur jo vetëm me atdhedashuri Fakultetin e Ekonomisë në Republikën e Shqipërisë, por dhe me bindjen se në këtë fakultet mund të fitoni premisat e një profesioni konkurues edhe nga profesionet e tjera edhe nga ekonomistët dhe menaxherët që shkollohen në vende të tjera.

Në të vërtetë, sot, arsimi ynë i lartë përballet me një varg sfidash që janë rezultat pikërisht i kësaj hapjeje të shoqërisë shqiptare. Sfida e parë siç e thashë është konkurimi i cilësisë së saj me shkollën europiane apo botërore; sfida tjetër është realiteti i sipërmarrjes së lirë në të cilën ju do të futeni tashmë me ambicjet tuaja. Secila prej këtyre sfidave po trajtohet me kujdes nga ana e trupave tona pedagogjike dhe ka të bëjë së pari e kryesisht me përmirësimin dhe rritjen e standartit të mësimdhënies dhe bërjen e saj të krahasueshme me atë të shkollave më të mira të perëndimit. Shkolla në vetvete është një realitet i dyanshëm, ka mësimdhënien dhe mësimmarrjen. Nëse të dyja anët nuk harmonizohen në një proçes sinergjie dhe ndërveprimi, aksioni për ngritjen e nivelit të aftësive tona konkurruese përmes shkollimit dhe zbatimit të njohurive profesionale rrezikon të dështojë. Kjo është e rëndësishme për mësimdhënien dhe nivelin e saj, por është edhe më rëndësishme për realitetet passhkollore ku në konkurrimin e tregut të hapur të punës ju do t'ju duhet të sfidoheni me bashkëmoshatarët tuaj që kanë studiuar dhe janë laureuar në universitete prestigjoze të Europës dhe Amerikës. Unë jam i lumtur që ju që studioni dhe laureoheni në Shqipëri dhe pjesëtarë të tjerë të brezit tuaj që studiojnë dhe laureohen jashtë vendit jeni në një bllok për të na konkuruar ne që kemi studiuar dhe kemi marrë diploma para jush dhe natyrisht do të bashkëveprojmë për të çuar përpara programet tona të zhvillimit. Për këtë arsye reformimi i pandërprerë jo vetëm i shoqërisë, i shtetit, i politikës, i administratës dhe i institucioneve, por edhe i gjithë sistemit tonë arsimor përbën një nga prioritetet e programit të qeverisë që kam nderin ta nxis me vëmendje të veçantë.

Të dashur kolegë,

Është mëse normale që në një ditë si kjo, një respekt i veçantë t'ju drejtohet juve, profesorë dhe pedagogë të nderuar. Ju keni pasur alternativa të tjera, më "materiale", se sa të qëndronit në Fakultet, por pasioni juaj ju ka shtyrë të qëndroni duke marrë e përballuar edhe privacionet dhe të kontribuoni në transmetimin e dijeve dhe të vlerave të qytetërimit shqiptar brez pas brezi. Për këtë unë e ndjej për detyrë t'ju falenderoj, duke ju siguruar vëmendje të posaçme, sidomos profesoratit të ri që do të përballojë sfidat e harmonizimit të edukimit shqiptar me standartet e Bashkimit Evropian. Duket si paradoks por është më mirë të arrish standartet e Bashkimit Europian me MBA të formësuara në SHBA.

Me këtë rast më lejoni të përshëndes sërish këmbënguljen e inicuar nga Fakulteti i Ekonomisë për rritjen autonomisë financiare dhe manaxheriale të Shkollës së lartë, si kyç për përballimin e sfidave të kohës, dhe inkurajoj përpjekjet për përsosjen e Arsimit Publik jo vetëm si një agjent rregullator por edhe model në tregun e edukimit në Shqipëri. Përfshirja e profesoratit në Universitete nëpërmjet angazhimit të profesionalizmit të tyre në dobi të reformimit të mbarë administratës publike dhe sipërmarrjes private dhe nga ana tjetër angazhimi i specialistëve të biznesit dhe të administratës publike me proçesin e mësimdhënies në universitet do të rriste sinergjinë e këtyre burimeve.

Me kënaqësi konstatoj një prirje, që më bën tepër optimist: specialistë të lartë dhe të talentuar po kthehen nga perëndimi. Ata kthehen jo nga dëshpërimi se "nuk u ka ecur atje", por nga fakti se Shqipëria është përfundimisht një vend normal, ku mund të konkurosh, ku mund të bësh karierë dhe të ndërtosh mirëqënie për vete dhe për të tjerët.
Pra unë përshëndes këtë tendencë të kthimit në atdhe, si një kontribut të pazëvendësueshëm për të ardhmen dhe për zhvillimin e vendit tonë. Unë jam me ju që studioni brenda dhe që ktheheni pas studimeve jashtë në Shqipëri për të përballuar rezistencën e burokracisë dhe politikanëve mediokër që nuk duan t'ju krijojnë shanse dhe vende pune.

Ka shumë nga ata që deri dje qanin se po na "ikën truri jashtë" ndërsa sot kur ky tru tenton të kthehet, në vend që "ta presin në aeroport" nxjerrin pengesa ose nuk krijojnë mjedisin e duhur për nxitjen e tyre, qoftë për specialistët e ikur që kthehen, qoftë për studentë të shkëlqyer që përfundojnë studimet jashtë dhe parapëlqejnë të kthehen në atdhe. Për të përballuar dhe shmangur raste të tilla do të nevojitet edhe presioni juaj pozitiv. Dhe unë jam i bindur për këtë, sepse mosha juaj dhe formimi juaj janë garanci për këtë.

Sot është ditë feste për ju, por edhe për ne, dhe nuk kam ndërmend të diskutoj më gjatë. Kurse nesër do të jetë dita kur fillon reflektimi dhe ballafaqimi konkret nëse e keni bërë mirë punën tuaj si studentë dhe a e kanë bërë mire punën e tyre pedagogët tuaj. Për një gjë tjetër jam i sigurtë, që prindërit tuaj e kanë kryer me së miri punën e tyre.

Prandaj më lejoni t'ju uroj ju dhe familjeve tuaja: t'i gëzoni diplomat që merrrni sot, t'i gëzoni shanset për karrierë, të gëzoni një Shqipëri më normale dhe të na ndihmoni të gjithëve të ndihemi më mirë në atdheun tonë të përbashkët.

Suksese!

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›