E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sot paradite u zhvillua mbledhja e radhës e Këshillit të Ministrave

Sot paradite u zhvillua mbledhja e radhës e Këshillit të Ministrave, në të cilën u morën në shqyrtim një sërë projektvendimesh dhe projektligjesh. Në fillim të saj, Kryeministri Berisha u ndal në dy çështje kryesore të rendit të ditës, projektligjin për përgjegjësinë penale të personave juridikë dhe shqyrtimin e disa ndryshimeve në ligjin për urbanistikën.

Duke analizuar projektligjin për përgjegjësinë penale të personave juridikë, Kryeministri e cilësoi atë shumë të rëndësishëm për biznesin, por edhe një kërkesë standarde e institucioneve ndërkombëtare, të Këshillit të Evropës dhe organit të saj të luftës kundër korrupsionit Greco, si dhe një kërkesë në kuadrin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit. "Projektligji, i hartuar me ekspertizën më të mirë shqiptare dhe ndërkombëtare, ka qenë objekt i një diskutimi të mëparshëm në qeveri, i janë bërë një seri përcaktimesh, duke e sjellë në një tekst shumë të përshtatshëm që i përgjigjet kërkesave për të cilat ky ligj hartohet", vlerësoi Kryeministri.

Duke komentuar ndryshimet në ligjin për urbanistikën, Kryeministri vlerësoi se ato vendosin një standard të ri ligjor ndaj ndërtimit pa leje. "Me procesin e legalizimit masiv, - theksoi Kryeministri, - është e domosdoshme që të adaptohet toleranca zero ndaj "pushtimit" të pronës së tjetrit. Është e domosdoshme që kjo tolerancë të adaptohet ndaj çdo dhunimi në mënyrë të paligjshme të hapësirës urbanistike". Në këtë kontekst, bëri të ditur Kryeministri, hyrja në fuqi e këtij ligji nga parlamenti, koencidon me përfundimin e fotografimit ajror dhe atij dixhital të territorit të Shqipërisë, i cili krijon mundësinë e hartës vektoriale në të gjithë territorin. "Ky është fotografimi më i mirë, më i saktë, preciz dhe bashkëkohor i të gjithë territorit të vendit. Fotografimi ka nisur kohë më parë është drejt përfundimit. Ai evidenton pronën në dimensionet më të vogla, rrugë, rrugica etj.. Fotografimi dixhital do të shërbejë si pasaporta apo karta e identitetit e territorit të vendit, mbi bazën e të cilit dhe në përputhje me këtë ligj do të merren të gjitha vendimet ndaj objekteve pa leje. Objekte të cilat do të kenë vetëm dy fate: i pari, do të jetë shkatërrimi dhe i dyti, do të jetë konfiskimi mbi bazën e këtij ligji. Kjo do të bëjë të mundur rivendosjen e plotë të autoritetit shtetëror në administrimin e territorit, rivendosjen e pushtetit të bashkive dhe komunave, të cilat janë përgjegjësit direkt të administrimit të territorit në përputhje me ligjet e vendit", u shpreh Kryeministri.

Për të ndihmuar njësitë e qeverisjes vendore në përmbushjen e këtij detyrimi dhe në përputhje me procesin e decentralizimit, Këshilli i Ministrave shqyrtoi krijimin e institucioneve të reja të Inspektorateve të Ndërtimit në bashkitë, komunat dhe qarqet si njësi të kontrollit të territorit, funksione të cilat i ka kryer Policia e Ndërtimit. "Eksperienca tërësore, - theksoi Kryeministri - është në këtë favor. Jo në çdo rast suksesi ka qenë i sigurt, por kjo është rruga në të cilën duhet të ecim dhe kam kënaqësi që bashkitë e komunat do të kenë inspektoratet e tyre".

Lidhur me ekzekutimin e vendimeve të bashkive dhe të inspektorateve, Kryeministri informoi se për shkak të problemeve financiare që do të dalin, do të studiohet kontraktimi i kompanive private në të ardhmen, ndërkohë do të shihen edhe të gjitha modalitetet nëse do të ketë një përqendrim të mjeteve që do të përdoren për ekzekutimin e vendimeve. "Me vendim të Këshillit të Ministrave do t'i japim përgjigje se cila do të jetë instanca dhe detyrimet e saj për ekzekutimin e vendimeve të Inspektorateve të bashkive dhe komunave. Kjo do të vendoset mbi bazën e kushteve të tregut. Duhet të inkurajohet krijimi i kompanive private, sikundër ekzistojnë kudo kompanitë e çmontimeve, të cilat zhvillojnë të gjithë profesionalizmin e duhur për përmbushjen e kësaj detyre", u shpreh Kryeministri.

Kryeministri u ndal edhe në një tjetër ndryshim në ligjin për urbanistikën, në amendamentin për krijimin e Këshillit të Rregullimit të Territorit të bashkisë së Tiranës, në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese. "Të shihet mundësia që kjo të jetë një nismë e përshpejtuar, - u shpreh Kryeministri, - në mënyrë që procesi i lejeve të ndërtimit të mos bllokohet. Ndonëse ndërtuesit kanë një shqetësim dhe kërkojnë një marrëveshje me Ministrinë e Drejtësisë, për të cilën unë jam në favor të shqyrtohet kjo mundësi, pasi kanë pengesa të jashtëzakonshme në zyrat e regjistrimit të pasurisë së paluajtshme, ku, sipas tyre, janë rreth 180 leje ndërtimi, të cilat nuk zbatohen për shkak të vonesave në këto zyra". Kryeministri kërkoi që Ministria e Drejtësisë të shqyrtojë këtë çështje me përparësi, sikundër dhe afatet e përcaktuara nga hipoteka për të kthyer përgjigje për investitorët dhe bizneset.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›