Sot pasdite, Kryeministri Berisha dha një konferencë për shtyp, në fillim të së cilës bëri këtë deklaratë lidhur me zgjedhjet: "Të dashur qytetarë të Shqipërisë, Duke ju uruar
Sot pasdite, Kryeministri Berisha dha një konferencë për shtyp, në fillim të së cilës bëri këtë deklaratë lidhur me zgjedhjet:
"Të dashur qytetarë të Shqipërisë,
Duke ju uruar edhe njëherë përzemërsisht për Vitin e Ri, jam para jush, sot, për t'ju informuar për çështjen e votës suaj në zgjedhjet vendore, pra, për të drejtën më themelore demokratike të qytetarëve, e cila, pavarësisht nga hallet dhe dertet që keni, gëzimet apo hidhërimet që përjetoni, përfaqësia partiake apo besimet fetare, gjendja ekonomike, i varfër apo i pasur, me punë ose i papunë, i ri apo i moshuar, është themelore për lirinë e gjithësecilit, për të sotmen dhe të ardhmen tonë si vend dhe si qytetarë. Kjo sepse pa votën e lirë nuk ka shtet ligjor, demokraci, nuk ka të ardhme.
Si në asnjë vend tjetër të lirë në historinë e Europës, Shqipëria, në këtë periudhë, përjeton marrjen peng, sabotimin e hapur, paralizën e plotë të mekanizmit të zgjedhjeve, të procesit zgjedhor. Si kurrë ndonjëherë në këta 15 vjet pluralizëm, Edvin Rama ka bllokuar listat e zgjedhësve në 2/3 e vendit, nëpërmjet zyrtarëve të tij që, në vend të zyrtarëve që i përmbahen ligjit dhe shtetit ligjor, bëjnë mercenarin, i bllokojnë qytetarëve të tyre të drejtën e ushtrimit të votës së lirë.
Në këto 15 vite janë zhvilluar zgjedhje të lira dhe jo të lira, por deklaroj me bindjen më të thellë se zgjedhjet vendore kanë patur dhe ekzistojnë të gjitha mundësitë për të qenë plotësisht të lira dhe të ndershme dhe se qeveria ka qenë dhe është e vendosur të bëjë çdo gjë që zgjedhjet të zhvillohen sipas standarteve ndërkombëtare. Këto zgjedhje do të shkëpusnin shqiptarët nga kundërshtitë për zgjedhjet, do ta shndërronin këtë proces në një proces normal si në të gjitha vendet e tjera. Këto zgjedhje zhvilloheshin pasi Shqipëria, për shkak të suksesit të reformave, nënshkroi Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit me BE-në, mori mesazhin më pozitiv ne Samitin e Rigës, rizgjoi interesin e madh të biznesit ndërkombëtar për të investuar në Shqipëri, zbatoi me sukses një politikë sociale me rroga, pensione më të mira se ndonjëherë më parë, çliroi territore të tëra që dominoheshin nga krimi, duke luftuar me tolerancë zero bandat, ndërmori një luftë të qëndrueshme kundër korrupsionit.
Por, krahas të gjitha këtyre arritjeve dhe ndofta edhe e lidhur me to, kreu i opozitës shqiptare, gjatë gjithë këtyre muajve, me një akt të paprecedent në historinë 15-vjeçare të pluralizimit në Shqipëri dhe mbarë Europën, paralajmëroi më datë 15 qershor bojkotin e tyre, duke shfrytëzuar karakterin konsensual të ligjit zgjedhor, bllokoi për muaj e muaj hartimin dhe shpalljen e listave në kohë dhe të datës së zgjedhjeve deri në afatin e fundit kushtetues. Pas shpalljes së datës, kaloi në qëndrimet më fondamentaliste dhe ekstremiste ndaj procesit zgjedhor, duke bllokuar dorëzimin e listave të zgjedhësve dhe ndërtimin e komisioneve zgjedhore dhe, për rrjedhojë, regjistrimin e kandidatëve dhe këshilltarëve në gjysmën e vendit, duke sabotuar kështu sistemin, procesin zgjedhor dhe mekanizmin bazë të demokracisë.
Ky qendrim i pashembullt ndaj procesit zgjedhor, që, theksoj edhe një herë, kulmoi me sabotimin e listave dhe komisioneve zgjedhore, që pati si pretekst listat, datën e zgjedhjeve, çertifikatën, u njoftua nga zoti Edvin Rama me datën 15 qershor, vetëm tre ditë mbasi Shqipëria kishte nënshkruar Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, nënshkrimin e së cilës nuk e bllokoi dot me boritë dhe bilbilat që fryu në parlament në prill dhe maj, që para nënshkrimit të saj.
Për të realizuar këto qëndrime, zoti Rama bllokoi votimin në qershor të amendamentit për shpalljen e listave, amendament i cili ishte hartuar mbi bazën e dokumentit të Misionit të ODHIR-it të muajit maj. Me këtë rast, dua t'ju informoj se në raportin përfundimtar të zgjedhjeve ka vetëm një rekomandim që lidhet me zgjedhjet vendore të këtij viti dhe ai ka të bëjë me hartimin dhe shpalljen e listave të zgjedhësve. Për të zbatuar këtë rekomandim, në shkurtin që kaloi, Ministria e Brendshme nënshkroi, në praninë e OSBE-së në Tiranë, një memorandum, sipas të cilit, prania e OSBE-së angazhohej të jepte të gjithë ndihmën teknike për përgatitjen e akteve normative dhe programet kompjuterike për hartimin e listave. Po në këtë kontekst, ODHIR-i solli, në muajin maj, një mision, i cili la një dokument, me të cilin ranë dakord të dy partitë e mëdha. Ky dokument përcaktonte frymën e nenit që duhet të miratonte parlamenti për përditësimin dhe shpalljen e listave. Mbi bazën e këtij dokumenti, u hartua dhe amendamenti që duhet të hapte rrugën për shpalljen e listave. Socialistët refuzuan kategorikisht votimin e tij, megjithëse ODHIR-i u shpreh se amendamenti pasqyronte qartësisht dhe me besnikëri kërkesat e dokumentit të tyre të muajit maj.
Pas bllokimit të amendamentit për listat, zoti Rama u dha urdhër qeveritarëve vendorë socialistë për të mos zbatuar udhëzimet e Ministrisë për përditësimin e listave. Krahas kësaj, në fillim të muajit korrik, zoti Rama me ndërmjetës vendorë dhe të huaj, kërkoi në mënyrën më absurde shtyrjen e zgjedhjeve vendore. Absurde dhe e rrezikshme. Kjo kërkesë nuk mund kurrësesi të pranohej nga Kryeministri i vendit. Nuk mund të pranohej, sepse Kushtetuta njeh luftërat dhe fatkeqësitë natyrore si kushte të vetme për zgjatjen e mandateve. Nuk mund të pranohej si një vendim i imi për të zgjatur mandatin e zotit Rama. Mund të na rehatonte ne të dyve, por dhunonte rendin kushtetues të vendit dhe shkatërronte opozitën e tij, misionin e saj të pazëvendësueshëm në demokraci. Kjo sepse kur një lider opozite kërkon, gjashtë muaj para datës së zgjedhjeve, shtytjen e tyre, dëshmon dobësinë më ekstreme të opozitës.
Shtyrja e datës së zgjedhjeve u kërkua dhjetra dhe qindra herë nga zoti Rama dhe përfaqësuesit e tij në të gjitha takimet private dhe publike, duke deklaruar se pa shtyrjen e datës së zgjedhjeve nuk ka zgjedhje.
Kam deklaruar dhe deklaroj se në qendrimin tim parimor ndaj datës së zgjedhjeve nuk kam patur asgjë personale ndaj zotit Rama. Qeveria që unë kryesoj, por nuk di edhe ndonjë qeveri të ndonjë vendi të lirë në botë që të jetë e interesuar për të zhvilluar zgjedhje në kulmin e dimrit. Por ligjet dhe Kushtetuta e vendit më diktonin mua këtë dhe nuk kisha alternativë tjetër për të respektuar. Ju ftoj për një moment të reflektoni se çfarë do të mendonin 25 vendet anëtare të BE-së dhe 27 vende anëtare të NATO-s, në rast se procesin zgjedhor ne e nxirrnim jashtë akseve të shtetit ligjor dhe Kushtetutës së vendit? Në një rast të veçantë propozuam si datë më të përshtatëshme 28 dhjetorin, por deklaruan se data nuk është kompetencë e qeverisë dhe se do të merrnin pjesë në zgjedhje në çdo datë që do të caktonte Presidenti i Republikës.
Në dialogun e organizuar në fund të gushtit, përfaqësuesit e zotit Rama paraqisnin në çdo seancë si kërkesën më kryesore shtyrjen e datës së zgjedhjeve. Madje, një ditë para nënshkrimit të marrëveshjes, ata deklaruan se kërkesa e të gjitha kërkesave ishte shtyrja e datës së zgjedhjeve dhe se pa këtë shtyrje nuk do të kishte zgjedhje. Ndërkohë, përfaqësuesit tanë dhe ata ndërkombëtarë refuzuan që data e zgjedhjeve të vendosej në rendin e ditës. Me datë 2 shtator, u nënshkrua marrëveshja me 12 pika. Në këtë marrëveshje, 11 pika ishin kërkesa të opozitës dhe vetëm një, ajo që kishte të bënte me listat dhe shpalljen e tyre, ishte e qeverisë.
Të nesërmen, zoti Rama deklaroi se ai fitoi, se Berisha u mposht dhe se ai realizoi kërkesat e tij. Ndërsa unë deklarova me sinqeritet se nga marrëveshja fituam të gjithë, mbasi marrëveshja rriste besimin e opozitës në procesin zgjedhor. Të nesërmen, siç ishte rënë dakord, Komisioni i Reformës Zgjedhore votoi amendamentin për përditësimin dhe shpalljen e listave dhe vendosi që ta paraqesë menjëherë në parlament. Por, dy ditë më vonë, zoti Rama urdhëroi socialistët të mos e votonin, duke faktuar se kishte vendosur të mbante peng hartimin e listave për të zvarritur demokracinë shqiptare dhe bllokuar zhvillimin e zgjedhjeve.
Pas caktimit të datës së zgjedhjeve nga Presidenti i Republikës, bojkotin ndaj zgjedhjeve zoti Rama e filloi ta justifikojë me standartet, të cilat i rrënonte vetë çdo sekondë, çdo minutë dhe çdo ditë. Ai bërtiste për standartin e listave, ndërkohë që 90 përqind e tyre në Tiranë dhe 2/3 e tyre në shkallë vendi ishin në duart e qeveritarëve vendorë socialistë dhe duhet të përditësoheshin dhe publikoheshin me firmën e tyre. Kështu, pretendimi për listat ka vetëm një shkak, se ai nuk do të marrë pjesë në zgjedhje. Zoti Rama bërtiste për datën, e cila, sipas Kushtetutës, ligjeve të vendit dhe ekspertizës ndërkombëtare duhej të ishte midis 20 dhjetorit dhe 21 janarit. Ai nuk pranonte datën e zgjedhjeve, jo se ajo nuk është kushtetuese dhe as se Presidenti caktoi datën që kërkoi qeveria, por, vetëm e vetëm, se ai nuk futet dot në zgjedhje. Duke bërtitur për standarte, ai nuk lejoi krijimin dhe funksionimin e komisioneve zgjedhore në gjysmën e vendit ku opozita ishte shumicë, dhe kjo, vetëm e vetëm, se zoti Rama nuk mund të marrë pjesë në zgjedhje se humbet.
Krahas këtyre veprimeve, zoti Rama, së bashku me Gramoz Ruçin dhe Skënder Gjinushin mbrojtën publikisht dhe privatisht tezën se pushtetin duhet ta marrin me tavolinë dhe jo me votë. Ky është vendimi i tyre, por edhe i ndonjë tjetri prapa tyre, duke faktuar se të gjitha kërkesat ishin formale dhe vetëm formale, se Edvin Rama në asnjë rast dhe në asnjë rrethanë, - veçse në rast se ia lemë Tiranën zonë të lirë, - nuk ka ndërmend të hyjë në zgjedhje. Pra, do t'ju faktojë botës se shqiptarët nuk mund të votojnë, se Shqipëria është një vend që nuk organizon dot zgjedhje dhe kjo, vetëm e vetëm, se ai i bllokon ato, vetëm e vetëm se ai nuk i fiton ato. Rrethana unike në historinë e një vendi të lirë.
Gjatë gjithë vjeshtës kemi bërë çdo përpjekje për të votuar të gjitha amendamentet e lidhura me marrëveshjen e gushtit. Angazhimi im për zbatimin e saj ishte i plotë. Ditën, që deputetët e mazhorancës votuan në Komisionin e Ligjeve të gjitha amendamentet e lidhura me këtë marrëveshje, të hartuar nga vetë socialistët, zoti Rama tërhoqi deputetët e tij nga votimi.
Por, pavarësisht nga këto qëndrime të pashembullta ndaj procesit zgjedhor, për shkak të rëndësisë së tij jetike për demokracinë dhe shtetin ligjor, të detyrimeve madhore që rrjedhin nga marrëveshja e Stabilizim Asociimit dhe mesazhi i Rigës, të interesit në rritje të investitorëve të huaj për të vendosur paratë e tyre në Shqipëri, për shkak të zhvillimeve të mëdha kombëtare që priten muajt e parë të këtij viti, qeveria është përpjekur dhe përpiqet çdo orë për zgjidhjen e krizës së zgjedhjeve, të krijuara nga një grusht i vogël, për qëllimet dhe interesat më të mbrapshta ndaj vendit dhe kombit.
Në këtë konktekst, dua të theksoj se është e vërtetë se data 20 janar u caktua nga Presidenti i Republikës pa asnjë sygjerim nga qeveria, datë e përcaktuar, sipas rekomandimeve të afateve ligjore dhe Kushtetuese dhe ekspertizës së ODHIR-it për zgjedhjet lokale në Shqipëri, të cilat përcaktonin datën 21 janar si datën e fundit të mundëshme për zhvillimin e zgjedhjeve. Por, gjithashtu, është e vërtetë se data e skadimit të mandatit të të zgjedhurve vendorë është data 20 shkurt. Kështu që, me disa amendime të ligjit elektoral, zgjedhjet mund të shtyheshin brenda datës 20 shkurt.
Unë kam qenë i bindur se jeni të shumtë ju që, duke dëgjuar disa herë në ditë kërkesën për shtyrjen e datës së zgjedhjeve, keni menduar dhe shtruar pyetjen përse Kryeministri nuk pranon shtyrjen e datës dhe, të jem shumë i sinqertë, unë kam qenë i vetëdijshëm për pyetjen tuaj. Por, së pari, kam qenë i vetëdijshëm se edhe me shtyrjen e datës së zgjedhjeve, Edvin Rama nuk hyn në zgjedhje, pavarësisht nga ndryshimi i datës. Së dyti, për qeverinë data edhe mund të shtyhej, por caktimi i datës tjetër të zhvillimit të zgjedhjeve kërkonte miratimin me 84 vota të një ligji në parlament, mbasi Presidenti kishte konsumuar veten me dekretimin e datës 20 janar. Megjithëkëtë, duke lenë mënjanë bindjet, ndryshimi i datës kërkonte miratimin në parlament të një neni me 84 vota, me të cilin Presidenti i Republikës duhet të dekretonte zgjedhjet. Për të faktuar gadishmërinë tonë për të plotësuar kërkesën e opozitës, sapo kryetari i LSI-së, zoti Meta dha prononcimin politik se ishte i gatshëm të votonte një datë të dytë zgjedhjesh në parlament, ne ramë dakord, madje zgjatëm punimet e parlamentit deri më 30 dhjetor, por zoti Meta u tërhoq nga qëndrimi i tij.
Paraditen e prononcimit publik të zotit Meta për votuar në parlament datën e zgjedhjeve brenda 20 shkurtit, socialistët e kundërshtuan atë. Ndërsa pasdite ata vetë ranë dakort dhe propozuan datën 18 shkurt si më të përshtatshmen. Mirëpo sërish vendimi i tyre ndryshoi vetëm dy orë pas pranimit të dates. Ata deklaruan se nuk hyjnë në zgjedhje me këto çertifikata.
Tani, ata kërkojnë zhvlerësimin e çertifikatave të përdorura gjatë gjithë këtyre viteve të fundit, pra shpalljen de facto të tyre të pavlefshme.
Mirëpo, në Shqipëri, gjatë këtyre 15 viteve, certifikatat janë dokumenti më kryesor, më i plotë dhe më i pasur në elementë sigurie i identitetit të qytetarëve. Këtë e sanksionon qartësisht ligji për Gjendjen Civile i tetorit të vitit 2002. Këtë e sanksionojnë qartësisht vendimet e qeverive socialiste të bëra në zbatim të këtij ligji. Në një takim me zotin Majko, i theksova se ka qenë kryeministër dhe disa herë ministër i vendit dhe nuk mund të imagjinonte që dokumenti themelor shtetëror i identitetit të qytetarëve të konsiderohet i pavlefshëm dhe se kjo është një çështje themelore për mua. Kjo ka vetëm një qëllim: jo vetëm të mbahen peng zgjedhjet, por edhe të përmbyset i tërë sistemi i bazuar në këtë dokument themelor të identitetit të qytetarëve shqiptarë.
Kjo çështje është themelore, sepse çertifikatat janë dokumenti themelor i identitetit të qytetarëve shqiptarë. Kjo çështje është themelore për mua, sepse me çertifikatën e marrë në zyrën e shtetit shqiptar, që mban vulën, firmën dhe shenjat e shtetit, qytetarët provojnë identitetin e tyre brenda dhe jashtë vendit kur paraqiten për viza dhe askush nuk ua refuzon si të pavlefshëm atë, ndërkohë që, sot, zoti Rama u thotë se ajo nuk vlen për votën e tyre ndaj tij.
Kjo çështje është themelore, sepse ju, qytetarë, me të vërtetoni qënien, identitetin tuaj kur regjistroni fëmijët tuaj të sapolindur, si dhe kur lidhni në martesë jetën me njëri-tjetrin. Zoti Rama pranon që, bazuar në këto çertifikata, të vendosë para mediave unazën e lidhjes martesore në gishtin tuaj, por nuk pranon që ju të votoni me to për të dhe kjo, vetëm e vetëm, se ka frikë nga vota juaj.
Kjo çështje është themelore për mua, sepse çertifikata është dokumenti themelor i qytetarit, mbi të cilin bazohet ndarja e pasurive brenda familjes, depozitimi i kursimeve dhe marrja e kredive për tre milion shqiptarë në Shqipëri dhe rreth një milion në Greqi, Itali, SHBA dhe kudo ku ata janë. Pra, bazuar në këto çertifikata, ata ndajnë pasuritë me familjarët e tyre, marrin miliona lekë kredi në banka të vendit apo të huaja, depozitojnë kursimet e djersën e tyre dhe hipotekat, bankat nuk i konsiderojnë ato të pavlefshme. Të tilla i konsideron zoti Rama, sepse në fakt nuk ka frikë nga letra, por nga vota e qytetarëve.
Unë dua t'i shtroj disa pyetje çdo qytetari shqiptar.
A kam të drejtë unë të shpall të pavlefshme dokumentin që ju keni blerë në zyrat e shtetit, që mban shenjat, vulën, firmën e shtetit dhe kjo, vetëm e vetëm, se zoti Edvin Rama, mbasi e di se i humbet apo për shkaqe të tjera, nuk do të hyjë në zgjedhje?
Cili nga ju do mund t'u thoshte institucioneve të Shqipërisë dhe të vendeve mike ku jetoni se çertifikatat nuk shprehin identitetin tuaj?
A mund të vë unë në dyshim dokumentin më themelor të identitetit tuaj, të familjes suaj, të të gjithë veprimtarive tuaja?
Këto vendime unë nuk mund t'i marr. Por, pavarësisht nga bindja e palëkundur se zoti Edvin Rama nuk hyn në zgjedhje, ne jemi përpjekur dhe përpiqemi t'i japim, në bashkëpunim me komunitetin ndërkombëtar, zgjidhjen më të mirë këtij problemi.
Qëndrimin tonë ndaj çertifikatave ne e bazojmë së pari, në respektimin e vlerës së dokumentit të identitetit të qytetarëve, mbasi e kundërta do të kishte pasoja katastrofale personale për qytetarët shqiptarë, brenda dhe jashtë vendit.
Së dyti, në moslejimin e përdorimit të dokumentit zyrtar për t'i përjashtuar ata nga votimi.
Së treti, të hapur për të gjitha masat e tjera të sigurisë së vërtetësisë së tyre, dua t'ju informoj se me këto parime janë dakord të gjithë përfaqësuesit e institucioneve dhe vendeve mike, që janë marrë me problemin e zgjedhjeve.
Është e vërtetë se ka çertifikata fallco, sikurse ka pasaporta fallco, lekë fallco, dollarë apo euro fallco, por askush nuk ka hequr pasaportën nga përdorimi, lekun, dollarin apo eurot nga qarkullimi, por ka goditur fallsifikimin dhe fallsifikatorët.
Për të garantuar vërtetësinë e çertifikatave, propozuam që të lejohen të votojnë në qendrën e votimit vetëm qytetarët me çertifikatë që mbajnë Kodin e Zyrës së Gjendjes Civile. Unë kisha deklaruar me kohë se do të pranoj çdo sugjerim të ODHIR-it. U formulua amendamenti për çertifikatat, por sërish socialistët nuk pranuan.
Në datën 29 dhjetor, përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare, organizuan një tryezë me zotin Rusmali si përfaqësues të qeverisë dhe zotin Blushi si përfaqësues të opozitës. Në orën 10:00, të datës 29 dhjetor, përfaqësuesit e të dy forcave politike arritën marrëveshjen. Zoti Rama dhe zoti Blushi informuan komunitetin ndërkombëtar dhe palën tonë se ata do të firmosin marrëveshjen në datën 30 dhjetor, ora 9:00.
Në datën 30 dhjetor, në selinë e PS-së, u zhvillua takimi dhe mbledhja për marrëveshjen. Në fund u vendos që marrëveshja të firmosej dhe në orën 18:00, të datës 30 dhjetor, zoti Rusmali dhe zoti Blushi firmosën marrëveshjen që tashmë është bërë publike.
Fill pas kësaj marrëveshje, zoti Rama deklaroi para mediave se sapo firmosëm marrëveshjen e çminimit të fushës së minuar të çertifikatave dhe ftoi Kryeministrin të vihet në garë. Natyrisht, çertifikatat në xhepin e qytetarëve vetëm Zoti Rama mund t'i quajë mina. Megjithatë ne nuk u morëm me këtë çështje, e përshëndetëm marrëveshjen dhe vendosëm ta votonim në parlament. Mirëpo sërish, njëlloj si guri i sizifit, brenda një ore u prish gjithshka. Në kundërshtim flagrant me çka thuhet në marrëveshje, zoti Rama dhe zoti Majko habitën gazetarët dhe qytetarët kur deklaruan se certifikatat, sipas tyre, duhet dhe do të verifikoheshin vetëm me pasaporta ose letërnjoftim. Ndërkohë që në Kodin e vendit dhe vendimet e KQZ-së pasaporta, letërnjoftimi dhe certifikatat janë dokumenta të barasvlefshme dhe çdo qytetar shqiptar mund të votojë duke paraqitur vetëm njërën prej tyre. Megjithatë, në rastin e certifikatës ne shtuam dokumenta të tjera shtesë kur ka dyshime. Kjo do të detyronte një eksponent të opozitës të deklaronte hapur se nuk janë të ‘sëmura' certifikatat, por se dikush tjetër duhet të merrte mjekim.
Për të mbajtur peng votën e qytetarëve shqiptarë, për të sabotuar procesin zgjedhor zoti Rama çdo ditë shpif, trillon gjëra të reja më të paqena.Çdo kohë, çdo ditë ne merremi me problemin zgjedhor. Kështu, në datën 31 dhjetor, zoti Rama, nëpërmjet një diplomati perëndimor, kërkoi takim me përfaqësuesin tonë. Ky takim u zhvillua në orën 19.00 midis Zëvendëskryeministrit Rusmali dhe Sekretarit të Përgjithshëm të PS-së, zotit Majko. Në këtë takim, zoti Majko propozoi që grupe militante të PS-së dhe PD-së të bënin policimin, pra, ndjekjen dhe gjetjen në shtëpitë e tyre të qytetarëve me certifikata dhe t'i regjistronin ato. Qytetarët që nuk do të gjendeshin në shtëpi, nuk do të votonin dot me dokumentet e tyre, për faktin se militantët tanë nuk i kishin takuar dot ata. Kjo ishte kartolina e vitit të ri që propozohej që ne t'u dërgonin qytetarëve shqiptarë. Natyrisht një kartolinë të tillë ne nuk mund ta firmosnim. Zoti Rusmali në këtë takim i kërkoi zotit Majko që të zbatohet marrëveshja e firmosur dhe i kërkoi të qartësonte nëse ai e njihte marrëveshjen apo jo. Ne kishim shkuar në takim pikërisht për të diskutar për zbatimin e marrëveshjes, të paktën, mua m'u tha se takimi kërkohej për këtë qëllim.
Pas kësaj, në datën 2 janar, zoti Rama u deklaron diplomatëve perëndimorë se në zgjedhjet e vitit 2005, sipas dokumenteve autentike të KQZ-së që ai dispononte, është lejuar të votohej vetëm me çertifikata të lëshuara vetëm një muaj para zgjedhjeve. Unë shpreha habi dhe deklarova se nuk kam dëgjuar kurrë një gjë të tillë dhe kërkova që zoti Rama të më dërgojë këto dokumenta të KQZ-së. Përkundrazi, 2 vendime të KQZ-së, të datës 26 qershor dhe 1 korrik të vitit 2005, përcaktonin vetëm rregullat e administrimit të çertifikatave, por nuk citonin, në asnjë rast, afatin e skadimit të çertifikatave për përdorimin zgjedhjesh.
Pasi dështoi të faktonte atë çfarë kishte shpikur, një ditë më vonë zoti Rama do të deklaronte, madje do të më sillte edhe një të dërguar, se çertifikatat e lëshuara para 1 nëntorit ishin pa vlerë, ishin jashtë sistemit dhe nuk kishin as numra. Kjo është vetëm fantazi. Ju bëj thirrje të gjithë qytetarëve që kanë çertifikata para nëntorit ti kontrolloni ato nëse janë me numër apo pa numër.
Unë dua të siguroj të gjithë qytetarët se çdo çertifikatë e lëshuar para 2 nëntorit – të njëjtën gjë përsëriti edhe zoti Majko dje për mediat - është njëlloj e vlefshme si ato të lëshuara pas kësaj date. Të gjitha çertifikatat e lëshuara gjatë viteve të fundit, janë jo me një, por me dy numra. Ato mbartin numrin e serisë dhe numrin që tregon zyrën e gjendjes civile, me shifrat e fundit. Por krahas kësaj, ato kanë edhe numrin e referencës. Numri i referencës është numri i i regjistrit themeltar të gjendjes civile ku është e vendosur familja apo personi. Gjëja më e sigurt që ka çertifikata është kodi dhe numri i referencës, ky i fundit edhe më i sigurt, sepse numri i referencës të çon direkt në faqen e regjistrit themeltar të familjes tënde dhe kjo bëhet me lehtësinë më të madhe. Në këtë kontekst, ato janë njësoj të vlefshme si çertifikatat e pas nëntorit, ato janë të vlefshme për çdo gjë, por jo për të votuar për Edi Ramën.
Dje, sërish propozuam që të merret në konsideratë modeli i gjurmimit të çertifikatave dhe dokumenteve, që përdoret në rastin e votuesve në mungesë. Ky është modeli më i sigurt. Sipas këtij modeli, qytetari voton, vendos votën e tij në një zarf të cilin e mbyll po vetë, komisioneri i bashkangjit çertifikatën e tij dhe e vendos në një kuti të veçantë votimi. Kjo çertifikatë duhet të verifikohet në regjistrin themeltar dhe, në rast se nuk i takon atij personi, zarfi nuk hapet, konsiderohet i pavlerë, ndërsa, në rast se çertifikata i përket personit, pra, gjendet në rregjistrin themeltar, zarfi quhet i vlefshëm. Ky model është përdorur në disa vende. Në votimet e fundit në Itali në këtë mënyrë votuan italianët e Argjentinës, në SHBA është një praktikë konstante në zgjedhje. Gjithashtu ka patur raste edhe në Europë. Unë e kam kërkuar këtë edhe një vit e gjysëm më parë, por nuk është pranuar. Unë e pranoj plotësisht këtë model, mjafton që opozita të ketë garanci të plotë për vërtetësinë e dokumenteve.
Dje u zhvillua një tjetër takim, rreth dy orë e gjysëm, në të cilin, përfaqësuesi i zotit Rama, pa asnjë lloj argumenti, hodhi poshtë këtë propozim, duke deklaruar se ky model është për personat që mungojnë. Sigurisht, e rëndësishme është të gjurmosh çertifikatën deri në origjinë dhe të sigurohesh se ajo është një çertifikatë e vërtetë dhe se vota e kësaj çertifikate duhet të vlerësohet. Por edhe këtë propozim e hodhën poshtë.
Tani kërkojnë t'i regjistrojnë çertifikatat, pasi i shpallin heretike çertifikatat para 1 nëntorit. Por kjo do të thotë të përjashtosh qindra e mijëra qytetarë nga ushtrimi i të drejtës së votimit. Dhe kjo nuk mund të ndodhë.
Duke përfunduar, edhe njëherë dua të siguroj qytetarët shqiptarë se, në përputhje të plotë me ligjet dhe Kushtetutën e vendit dhe interesat e tyre, jam i vendosur të bëj çdo përpjekje për gjetjen e zgjidhjes dhe për të rivendosur mekanizmin e zgjedhjeve, të cilin një njeri e ka marrë peng për interesat dhe qëllimet e tij tërësisht jo demokratike."
Më pas, Kryeministri, duke iu përgjigjur interesimit të gazetarëve, bëri këto komente:
Pyetjet: Ju parashtruat të gjitha përpjekjet tuaja dhe thatë se do të vazhdoni të përpiqeni por ndërkohë koha ecn dhe të paktën ne kemi një datë që Presidenti ka shpallur për zgjedhjet. Në këto kushte cfarë do të bëhet? Pra a do hyjë vendi në zgjedhje?
Kryeministri Berisha: Në këto kushte, alternativa që vendi të bëjë zgjedhje në gjysmën e tij, është një alternativë të cilën unë personalisht nuk do ta merrja përsipër, sepse nëse Edi Rama ka këtë qëllim, ky është një qëllim i kobshëm dhe në këtë gjë ai do të dështojë. Shqiptarët do të votojnë në një ditë dhe të gjithë sëbashku. Ne jemi duke shqyrtuar të gjitha modalitetet. Natyrisht 2 gjëra do të jenë dëshpëruese për ata që mund t'i mendojnë;
Së pari, ata që mendojnë të zgjasin mandatet e tyre në mënyrë jokushtetuese, i siguroj që do të marrin çdo përgjigjie që Kushtetuta lejon të jepet për rastet e dhunimit të saj dhe nuk do të mund të praktikohen praktika të tilla në këtë vend.
Së dyti, shpresoj dhe i bëj thirrje opozitës të shqyrtojë alternativat. I kam kërkuar komunitetit ndërkombëtar që të sjellë praktikat më të sigurta të përdorimit të dokumentave, në mënyrë që të paktën të qartësohet përfundimisht qëndrimi, sepse në bindjen time më të thellë çdo gjë që të bëhet, zoti Edi Rama në zgjedhje nuk do të hyjë dot, sepse është i humbur. Ky është fakti. Të them të vërtetën, Tiranën nuk mund t'ia lëmë zonë të lirë sepse, pavarësisht se në pamje të parë mund të më thuhet se përse nuk e bën edhe këtë gjë, këtë nuk mund ta bëj dot kurrë, sepse dhunoj totalisht parimet e demokracisë. Kjo është një gjë e pakonceptueshme. Ai e mban peng pastaj Tiranë, e merr Tiranën sikur të ishte Nehat Kulla dhe kjo nuk mund të ndodhë më. Në fakt me banda e ka marrë herën e fundit, absolutisht me banditë nga më të egërit, por nuk mund ta marrë më. Qytetarët do të votojnë në lirinë e tyre, në qetësinë e tyre.
Pyetje: Pra, në gjykimin tuaj ju i konsideroni të mbyllura negociatat?
Kryeministri Berisha: Aspak. Absolutisht jo, as komunikimin. Të vetmen gjë që dua të theksoj është ajo çfarë mund të konstatohet nga analiza e marrëdhënieve të dy partive të mëdha gjatë këtij viti. Kjo marrëdhënie është unike, e paprecedentë në historinë 15 vjecare, është e tillë sepse në qindra takime të bëra ka zero rezultat, është e tillë sepse në qindra takime të bëra nuk ka asnjë produkt, është e tillë sepse për herë të pare, në 15 vjet, nënshkruhen 2 marrëveshje të rëndësishme, të dyja të kërkuara nga opozita dhe asnjëra e kërkuar nga qeveria. Sapo këto marrëveshje nënshkruhen, grisen.
Marrëveshjet duhen zbatuar, marrëveshjet kanë një moral më të lartin, sepse janë konsensus. Një prej këtyre socialistëve i kam thënë disa ditë më parë se, kam 3 muaj punoj për të zbatuar një marrëveshje ku edhe ti ke vendosur firmën, kurse ti ke 3 muaj që punon kundër vetes tënde. Marrëveshjet janë për t'u zbatuar. Edhe marrëveshja e dytë e nënshkruar, sërish u hodh poshtë. Dikush mund të thotë se edhe ne kemi përgjegjësi. Por ne i kemi zbatuar marrëveshjet. Ne nuk e nxjerrim veten jashtë përgjegjësive. Por i gjithë Kodi Elektoral është histori marrëveshjesh bipartizane, marrëveshje midis zotit Gjana dhe zotit Ruka, midis zotit Topi dhe zotit Ruci, midis meje dhe zotit Nano. Të gjitha këto kanë formuar Kodin konsensual, që Edi Rama e shfrytëzon tani për të marrë peng dhe për të tërhequr zvarrë procesin zgjedhor. Por këto janë zbatuar, të gjitha marrëveshjet janë zbatuar. Sërish ne jemi gati t'i zbatojmë pikë për pikë. Por nuk ka sens, nuk ka civilizim, nuk është e qartë se zbatimi i marrëveshjes është detyrimi madhor i qytetarit, është përgjegjësi e parë e qytetarit, është elementi më thelbësor i përgjegjësisë qytetare. Kjo është e paimagjinueshme.
Pyetje: Zoti Kryeministër, mazhoranca dhe opozita duken shumë larg në gjetjen e një kompromisi për çështjen e çertifikatave. Ndërkohë do të citoja një qëndrim të fundit të Solanës që u bën thirrje partive politike të futen në zgjedhje dhe e quan situatën mjaft të rëndë, përsa i përket procesit të integrimit.Çfarë do të ndodhë më tej?
Kryeministri Berisha: Absolutisht është shumë e rëndë. Nuk ka vend të Europë që shkon drejt integrimit dhe që ka një pengmarrës të sistemit të votimit. Prandaj, edhe unë kam muaj të tërë që punoj me përkushtim absolute, për t'u dhënë zgjidhje problemeve, për të mos lënë shkas për asnjë lloj arbitrariteti, për të mos ngjallur as dyshimin më të vogël te opozita, për të realizuar zgjedhjet më të ndershme. Por a mundem unë të pranoj të hedh në kosh të plehrave dokumentat mbi të cilat qytetarët kanë vendosur pasurinë dhe jetën e tyre, identitetin e tyre? Kjo s'ka ndodhur kurrë.
Pyetje: Ju jeni vlerësuar maksimalisht nga ndërkombëtarët për luftën kundër korrupsionit. Por cili është mendimi juaj për KKRT dhe vendimin e fundit të saj në lidhje me licensimin e një televisioni të ri?. Kjo pasi ky institucion luan një rol të rëndësishëm dhe në zhvillimet zgjedhore.
Kryeministri Berisha: Dua të jem shumë i sinqertë, nuk kam asnjë lloj ankese nga askërkush për këtë problem. Kjo duhet t'i adresohet parlamentit dhe jo mua. Ndodh që ka edhe adresë të gabuar, por normalisht një lloj lidhjeje ky institucion e ka me parlamentin dhe jo me qeverinë. Ligji e bën krejtësisht të pavarur nga qeveria. Ndoshta kjo është edhe asyeja që nuk ka ardhur asgjë në adresë të Kryeministrit.
Pyetje: Edhe para zgjedhjeve të 3 korrik 2005, ju keni kundërshtuar çertifikatat, edhe pse nuk ndryshojnë shumë nga ato që janë emetuar para 1 nëntorit 2006. A mund ta specifikoni, pse ju nuk pranoni kërkesën e opozitës që edhe këto çertifikata të rregjistrohen?
Kryeministri Berisha: Së pari, ndryshimi është thelbësor. Unë kam qëndruar kundër për çertifikatat në 2005-ën, sepse ministri i Pushtetit Vendor, zoti Ben Blushi, në datën 30 dhjetor, kur vetëm atij i punonte mendja për një gjë të tillë, lëshoi një udhëzim në kundërshtim flagrant me ligjin dhe vendimin e qeverisë bazuar në ligj, të firmosur nga zoti Nano, për çertifikatat. Ligji dhe vendimi i qeverisë që zbaton ligjin, përcakton që çertifikatat kanë kodin e zyrës së gjendjes civile dhe të minibashkisë, komunës, apo bashkisë. Zoti Blushi, me një udhëzim të tijin, tamam në orën më të errët, kur askush nuk e kishte mendjen, lëshon udhëzimin dhe mbi këtë udhëzim, në mënyrë të kundërligjshme, prodhohen 2 apo 4 milionë çertifikata pa kodin e bashkisë. Në këtë moment, unë dëgjova zhurmat, nuk kapa dot dokumentat.Jua paraqita këtë komunitetit ndërkombëtar, madje edhe faktin që këto janë shtypur në shtypshkronjën e një deputeti socialist dhe më thanë se kjo nuk do të thotë gjë, çertifikatat janë në rregull. Më pas, gjeta këtë udhëzimin e famshëm të zotit Blushi dhe më tej LSI dhe PD, të dyja në mënyrë të pavarur, siguruan me qindra çertifikata qe ishin prodhuar pa kod. Atëherë, komuniteti ndërkombëtar ndërhyri dhe meqenëse këto çertifikata ishin pa kod, i kërkoi Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, që të vendosë disa elementë sigurie. Keshtu, KQZ bëri një listë prej 10 dokumentash të tjerë, të cilat në rast se komisioneri do të dyshonte tek votuesi dhe te çertifikata e tij, do t'i kërkonte edhe një mjet tjetër identifikimi.
Kështu, unë propozoj që asnjë çertifikatë e cila nuk përmban kodin e gjendjes civile ku ndodhet qendra e votimit, të mos pranohet për votim. Ku janë të përqëndruara çertifikatat? Ato janë të pëqëndruara te një kontigjent zgjedhësish si rregull nën 35 vjeç, të cilët janë më shumë se gjysëm milionë, rreth 600-700 mijë, që nuk kanë mundur të vazhdojnë universitetin, me statistikë gjysma e tyre as shkollën e mesme, nuk kanë udhëtuar jashtë shtetit, nuk kanë as pashaportë, maksimumi ata kanë një certifikatë, nuk kanë as letërnjoftimin sepse ligji shqiptar ndalon prodhimin e letërnjoftimeve, megjithëse Kodi Zgjedhor i njeh të vlefshme për votim. Pra kanë vetëm çertifikatën si dokument të identitetit të tyre. A mund t'i themi ne këtij gjysëm milioni zgjedhësish se nuk do të votosh me dokumentin që ke blerë? Dhe kjo bëhet me qëllimin e vetëm për të parandaluar votimin e tyre. Kjo nuk mund të bëhet kurrë. Kjo është arsyeja.
Pyetje: A mund të ketë zgjedhje në Shqipëri pa opozitën?
Kryeministri Berisha: Padiskutim ky është një rast shumë i dëshpëruar. Por a ka patur dhe a ka zgjedhje? Po të lexoni thirrjet, ato janë që asnjë forcë politike të mos bojkotojë zgjedhjet. Nëse konceptohet në këtë mënyrë, atëherë çdo opozitë do të mund të marrë peng zgjedhjet. Zgjedhjet nuk mund të jenë peng as i qeverisë, as i opozitës. Qeveria është e detyruar t'i zhvillojë ato në kohë, opozita është e detyruar, mbi bazën e gjithë kodit moral dhe ligjor të një shoqërie, të marrë pjesë, për të përmbushur misionin e saj demokratik.
Pyetje: Nëse nuk arrihet një kompromis çfarë do të bëjë më tej mazhoranca?
Kryeministri Berisha: Këtu do të jemi dhe do t'ju informojmë. Sot dola dhe fola gjatë para qytetarëve, sepse nuk kemi bërë dot detyrimin tonë për t'i informuar ata hollësisht mbi një problem që ka një rëndësi shumë të madhe jetike për ta.