E Diel, 1 Nëntor 2026

Në mbledhjen e sotme të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Kryeministri Berisha komentoi raportin e publikuar nga Transparency International, sipas të cilit Shqipëria, në klasifikimin e

Në mbledhjen e sotme të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Kryeministri Berisha komentoi raportin e publikuar nga Transparency International, sipas të cilit Shqipëria, në klasifikimin e 163 vendeve të botës për nivelin e korrupsionit, zhvendoset në përmirësim me 15 vende. Kryeministri theksoi se ky është një inkurajim i madh për qeverinë për të vazhduar me përkushtim luftën kundër korrupsionit.

Duke vlerësuar këtë raport, Kryeministri Berisha, ndër të tjera, bëri këto komente:

"Dëshiroj t'u përshëndes përzemërsisht dhe të komentoj, këtu tek ju, lajmin e gëzuar, sipas të cilit, në klasifikimin e 163 vendeve të botës për korrupsion, Shqipëria zhvendoset, përmirëson pozicionin e saj me më shumë se 15 vende – 15 vende sipas klasifikimit të sivjetshëm, por duke patur parasysh që këtë vit janë në listë 163 vende, kurse në klasifikimin e një viti më parë kanë qenë 154 vende, Shqipërisë i takon të lerë pas rreth 20 vende.

Kjo përbën dëshmi të shkëlqyer të kthesës që ka marrë lufta kundër korrupsionit. Ky është një inkurajim i madh për ne që këtë luftë ta vazhdojmë me përkushtimin më të vendosur. Parlamenti, me reformat dhe ligjet që miraton, ka në këtë betejë një rol qendror. Unë ju siguroj se qeveria do të bëjë çdo përpjekje për rritjen e shkallës së transparencës në të gjithë veprimtarinë e saj, sikundër, ju ftoj të ushtroni të gjitha kompetencat tuaja kontrolluese mbi ekzekutivin. Prozhektorët e parlamentit duhet të jenë "non stop" të ndezur në të gjitha segmentet e qeverisjes. Ky është interesi jetik i zgjedhësve tuaj, i fëmijëve të zgjedhësve tuaj, i shoqërisë shqiptare, i Shqipërisë në tërësi.

Dua t'ju jap vetëm një shembull. Ishte kjo luftë kundër korrupsionit që bëri të mundur trefishimin e nivelit të kredisë për projektet e qeverisë sonë. Pra, jo vetëm që pati një impakt prej 504 milionë dollarë të cilat përfundonin të gjitha në kontot dhe xhepat e kontrabandistëve dhe qeveritarëve dhe kjo nuk është një shumë e vogël, por pati edhe një trefishim të hapësirës së kreditit për qeverinë dhe kjo bëri të mundur nisjen e të gjitha këtyre projekteve madhore për vendin, bëri të mundur investimin e madh në infrastrukturë, bëri të mundur përkujdesin e madh të faturës sociale dhe uljen e madhe të taksave.

Por, unë dua të ndalem sërish këtu. Sipas të gjitha burimeve, kjo ulje do të klasifikohej disa herë më e madhe në rast se drejtësia shqiptare nuk do ishte e marrë peng nga sollakët dhe gjermenët. Këtë e them me përgjegjësi të plotë. Të gjithë ata që ndjekin dhe monitorojnë luftën kundër korrupsionit, kane si një nga treguesit kryesorë, sidomos për vendet ku korrupsioni është i hapur, ndëshkimet për korrupsionin nga drejtësia. Ky është një nga treguesit më madhor të luftës kundër korrupsionit.

Por një vit rresht, sollakët dhe gjermenët e korrupsionit nuk kanë dhënë deri më sot asnjë verdikt për qindra e qindra dosje që janë dorëzuar nga të katër anët e vendit, nga institucionet e këtij vendi, nga ministrisë, nga KLSH, nga auditet, nga kontrollet e brendshme të prefekturave. Këto kanë paralizuar gjykimin dhe ndëshkimin. Rastet më flagrante janë 2 ministrat. Në rast se prokuroria përgatiti dosjet në mënyrë shumë korrekte, don Sollaku ndërhyri menjëherë dhe urdhëroi të hiqet nga përgjegjësia penale, ministri, mamuthi i korrupsionit Ananstas Angjeli dhe Igli Toska, për faktin e vetëm se Toska është i dokumentuar të thotë se "e kemi në xhep don Sollakun". Kjo është e vërteta. Këta duan të dënojnë nëpunësit e thjeshtë.

Tre - katër muaj më parë, komisioni i deklarimit të pasurive denoncoi prokurorin e Sollakut se kishte mashtruar dhe fshehur pasuritë. Ai u shkarkua, por 2 muaj pas zarfit që mori, don Sollaku e riktheu atë dhe sot ai është prokuror.

Janë gjermenët dhe sollakët që mbajnë akoma pengje. Por qytetarët shqiptarë duhet ta dinë se nga njëra anë është shuma e madhe që ata shpërdorojnë dhe ryshfetet që marrin, por akoma më e dhimbshme për qytetarin shqiptar janë fondet që bllokohen. Ne kemi aplikuar për llogarinë e Mijëvjeçarit. Kjo llogari është mbi qindra milionë dollarë në buxhetin e vendeve që luftojnë korrupsionin, dhuratë nga SHBA. Por këto qindra milionë nuk mund të gëzohen sa të ketë sollakë dhe gjermenë. Qeveria e drejtësisë, duke shkelmuar mbi mundin dhe djersën e dhjetëra e dhjetëra gjykatësve dhe prokurorëve të ndershëm që duan t'i përmbahen ligjin, për përfitime tërësisht personale, paralizon luftën kundër korrupsionit dhe damkos sistemin e drejtësisë.

Në rast se Transparency International solli sot këtë raport, dy ditë më parë OSBE botoi raportin me të cilin nxjerr qeverinë e drejtësisë dhe sollakët në krye të klasifikimit të botës për korrupsion. Ndaj edhe ne duhet të ndërmarrim hapat ligjorë. Është e vërtetë që udhëheqja e Partisë Socialiste është vendosur në mbrojtje frontale të bastionit të kleptokracisë, megafonët e kleptokracisë bëjnë të njëjtën gjë në media, vetëm e vetëm për shkak të shpërblimeve që marrin. Por edhe ne duhet që, me vendosmëri, ta vazhdojmë këtë beteje, si beteja më jetike, më e domosdoshme për çdo qytetar shqiptar, për rrogat e tij, për pensionet e tij, për shërbimet tij, për shkollat e fëmijëve të tij, për spitalet e të sëmurëve të tij, etj. Ky është potenciali më i madh që ne kemi.

Unë ju garantoj se mbetemi shumë të vendosur ta përsosim, ta konsolidojmë, ta çojmë më tej, në mënyrë të pandërprerë luftën kundër korrupsionit në administratën tone. Sikundër, theksoj edhe njëherë se prokurori i përgjithshëm duhet të vendoset para drejtësisë. Së shpejti ligji do të jetë tek ju, është marrë një model i shkëlqyer, në mënyrë që drejtësia, në mënyrë të pavarur, të thotë fjalën e vet, sepse nuk mund të mbajnë peng gjermenët dhe sollakët drejtësinë shqiptare"

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›