E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sot pasdite, Kryeministri Berisha mori pjesë në ceremoninë e organizuar, në Pallatin e Kongreseve, me rastin e 8 Dhjetorit, Ditës së Rinisë. Në këtë ceremoni festive ishin të pranishëm Kry

Sot pasdite, Kryeministri Berisha mori pjesë në ceremoninë e organizuar, në Pallatin e Kongreseve, me rastin e 8 Dhjetorit, Ditës së Rinisë. Në këtë ceremoni festive ishin të pranishëm Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli, ministra të kabinetit qeveritarë, përfaqësues të partive politike, ish studentë të Lëvizjes së Dhjetorit, të rinj dhe studentë të tjerë.

Duke përshëndetur të rinjtë pjesëmarrës, Kryeministri e vlerësoi 8 dhjetorin si festën e lirisë për të gjithë shqiptarët, ndërsa shprehu përkushtimin e tij dhe të qeverisë për të bërë çdo gjë që projekti i Shqipërisë të modelohet me ëndrrat dhe aspiratat e çdo të riu.

Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha theksoi:

"Të dashur të rinj dhe të reja të Tiranës dhe të mnbarë Shqipërisë. Sot, në ditën tuaj të madhe, ju përqafoj ju, përqafoj mbarë të rinjtë shqiptarë. Përulem me nderimin më të thellë, sepse ishit ju që, në 8 dhjetor, me guximin, trimërinë, mençurinë, pastërtinë tuaj, ndryshuat Shqipërinë. 8 dhjetori është festa juaj, është festa e lirisë, është festa e shqiptarëve. Në 8 dhjetor, një grup të rinjsh, të udhëhequr nga studenti, tribun i lirisë, Azem Hajdari, u përballën me diktaturën më të egër në Europë, e gjunjëzuan, e mundën dhe e plagosën atë për vdekje.

Të rinjtë dhe të rejat e Tiranës, atë ditë kishin vetëm një thirrje, vetëm një mesazh: "Na ktheni lirinë, na ktheni lirinë, na ktheni lirinë". Ata, me shpejtësi, themeluan Partinë Demokratike, ngjizën dhe zhvilluan uraganin më të madh të lirisë që shqiptarët kanë njohur në historin e tyre. Dhe ne fituam. Të rinjtë ishin ata që sollën ndryshimin, që u kthyen shqiptarëve lirinë, u kthyen dinjitetin, shpresën, besimin tek vetja, besimin tek e ardhmja, besimin tek Zoti, besimin tek Shqipëria. Ata që fshinë festën nga kalendari, ata që fshinë festën tuaj, ata që zhgërryen në shtretërit e diktatorëve, nuk kanë të ardhme. Ata nuk ua mbajnë dot qytetin. Ne do t'u kthejmë juve qytetin, do t'i kthejmë Shqipërisë Tiranën.

Ju, në një hark kohor 15 vjeçar, jo vetëm përmbysët diktaturën më të egër që ka njohur Europa në historinë e pasluftës, por përmbysët, një vit e gjysëm më parë, sistemin kleptokratik më të egër, më të rrezikshëm të Europës dhe më gjerë.

Unë nuk do të harroj kurrë 8 dhjetorin, si ditën më të lumtur të jetës sime, nuk do të harroj kurrë qershorin e 2005-ës, shëtitjen time me ju në rrugët dhe qytetet e Shqipërisë. Të njëjtin besim që kam patur tek Zoti, të njëjtin besim kam patur edhe tek fitorja, sepse e pashë, e ndjeva, e preka në shpirtin tuaj, në vendosmërinë tuaj, në zemrat tuaja.

Unë sot jam këtu para jush për t'u zotuar se me përkushtimin më të madh do të punoj, do të bëj çdo gjë që Shqipëria, projekti i saj, të jetë ëndrra juaj, të modelohet me ëndrrën tuaj, me aspiratat tuaja, me shpirtin tuaj, me mendjen tuaj. Kjo është arsyeja se pse ne hapëm dyert e universiteteve për ju, kjo është arsyeja që do t'i krijojmë mundësinë çdo të riu të ndjekë shkollën e mesme, kjo është arsyeja pse ne do të sjellim Shqipërinë në moshën tuaj, në moshën e internetit.

Të dashur të rinj dhe të reja!. Kushtrimi juaj, thirrja juaj, "na kthe qytetin" është himni i shpirtit dhe moralit shqiptar, i cili do të çlirohet nga mafia, do të çlirohet nga kleptokracia, do të çlirohet nga antivlerat, do të vendosë moralin në piedestal, do të lartësojë çdo ditë flamurin e tij, në mënyrë që ju, gjithë shqiptarët, të marrin pasaportën europiane që e meritojnë. Ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Europa.

Nder të madh të gjithë atyre të rinjve dhe të rejave, me në krye tribunin e lirisë Azem Hajdarin që në 8 dhjetor të vitit 1990, çelën për shqiptarët portat e mbylluara të lirisë.

Nder të madh të gjithë të rinjve shqiptarë që me votën e tyre përmbysën në 3 korrik regjimin e kleptokracisë.

Sot, ju nisni betejën për qytetin. Tirana është gjëja më e çmuar që kanë jo vetëm qytetarët e kryeqytetit, por mbarë shqiptarët, mbarë kombi. Njëri nga ju, simbol i suksesit tuaj, simbol i mençurisë suaj, i përkushtimit tuaj, përfaqëson ju, përfaqëson ne, përfaqëson shqiptarët. Nuk më mbetet gjë tjetër veçse t'i uroj fitoren, suksesin. Me ju, Shqipërisë do t'i rikthejmë kryeqytetin, me ju shqiptarëve do t'u rikthejmë Tiranën, me ju qytetarëve të Tiranës do t'i kthejmë qytetin.

Gëzuar Festën!"

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›