Sot paradite, Kryeministri Berisha priti në një takim të veçantë një grup senatorësh italianë, të kryesuar nga Presidenti i Komisionit të Mbrojtjes së Senatit, zoti Sergio De Gregorio.
Sot paradite, Kryeministri Berisha priti në një takim të veçantë një grup senatorësh italianë, të kryesuar nga Presidenti i Komisionit të Mbrojtjes së Senatit, zoti Sergio De Gregorio.
Në fillim të takimit, Kryeministri Berisha falënderoi senatorët italianë për vizitën e tyre, duke vlerësuar se kjo vizitë i shërben forcimit të marrëdhënieve mes dy vendeve në të gjitha fushat.
Kryeministri e njohu delegaconin italian me nismat e qeverisë për thellimin e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes dhe përpjekjet e saj për realizimin e reformave për integrimin e vendit në NATO. Forcat e Armatosura shqiptare, vijoi Kryeministri, po kalojnë një proces reforme që synon një forcë ushtarake jo të madhe në numër, por profesioniste, të denjë për bashkëpunimin me vendet aleate dhe NATO-n. Për këtë synim, theksoi Kryeministri, qeveria rriti buxhetin e FA në 2 përqind të Prodhimit të Brendshëm Bruto, një vendim ky jo i thjeshtë, por mëse i nevojshëm, për të hedhur hapat drejt modernizimit të mëtejshëm të ushtrisë shqiptare.
Kryeministri u ndal edhe në bashkëpunimin me Aleancën e Atlantikut të Veriut për dërgimin e trupave shqiptare në Liban. "Ne jemi atje ku janë aleatët tanë, atje ku janë partnerët tanë", u shpreh Kryeministri, duke vijuar se Shqipëria është nxitëse për paqen rajonale dhe botërore.
Kryeministri e njohu delegacionin italian edhe me përpjekjet e qeverisë dhe rezultatet konkrete në luftën kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve ilegale. Në këtë kuadër, zoti Berisha theksoi se është i nevojshëm edhe forcimi i bashkëpunimit dypalësh. "Ne kemi treguar dhe do të tregojmë tolerancë zero kundër krimit të organizuar", theksoi Kryeministri, duke nënvizuar se qëllimi i kësaj lufte është përballja e drejtuesve të organizatave kriminale me drejtësinë dhe shkatërrimi i këtyre grupeve kriminale. Në këtë drejtim, Kryeministri përmendi memorandumin për skafet, si një goditje ndaj këtij trafiku.
Kryeministri u ndal edhe në punën e qeverisë në luftën kundër korrupsionit, nxjerrjen e administratës jashtë konfliktit të interesit dhe rritjen e transparencës së kësaj administrate. Rezultatet në këtë drejtim, u shpreh Kryeministri, kanë bërë të mundur rritjen e besimit të qytetarëve dhe sipërmarrësve shqiptarë për proceset shumë të rëndësishme të prokurimeve publike. Të gjitha këto nisma kanë synuar që Shqipëria të bëhet një vend tërheqës për investitorët e huaj, ku një vend të vecantë zënë investitorët italianë. Kryeministri Berisha u bëri thirrje investitorëve italianë ta shohin Shqipërinë si një vend me interes për investime në fushën e energjisë, infrastrukturës, turizimit, etj.
Në takim u diskutua edhe çështja e Kosovës. Kryeministri u shpreh se Pavaresia e Kosoves eshte opsioni i vetem per paqen dhe stabilitetin ne Ballkan.
Në emër të delegacionit të komisionit të mbrojtjes së senatit Italian, Presidenti i këtij komisioni, zoti Sergio De Gregorio, falënderoi Kryeministrin për mikpritjen. Senatori De Gregorio vlerësoi punë e qeverisë shqiptare në luftën kundër krimit të orgaanizuar, korrupsionit, si dhe përpjekjet e saj për modernizimin e ushtrisë shqiptare, për ta shndërruar atë në partnere të denjë për Italinë dhe vendet e tjera të NATO-s. Ne duhet të forcojmë gjithnjë e më shumë bashkëpunimin dypalësh, tha ai, duke tërhequr vëmendjen që ky bashkëpunim të bazohet në eksperiencën e deritanishme. Zoti De Gregorio e siguroi Kryeministrin se do të ketë mbështetjen e plotë të Senatit italian në luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit, trafiqeve ilegale.
Kryeministri u ndal edhe në zgjedhjet e ardhshme vendore në vend. "Qeveria shqiptare po bën të gjitha përpjekjet që këto zgjedhje të jenë të lira dhe të ndershme", tha Kryeministri.