Sot pasdite, Kryeministri Berisha u takua me banorë të njësisë bashkiake numër 8 të Tiranës. Në fjalën drejtuar banorëve të kësaj zone, Kryeministri theksoi: "Dëshiroj me shumë mirÃ
Sot pasdite, Kryeministri Berisha u takua me banorë të njësisë bashkiake numër 8 të Tiranës. Në fjalën drejtuar banorëve të kësaj zone, Kryeministri theksoi:
"Dëshiroj me shumë mirënjohje t'ju falënderoj për votën tuaj të datës 3 korrik dhe për votën tuaj gjithnjë në mbështetje të Partisë Demokratike, në mbështetje të demokracisë.
Kam ardhur këtu për t'u zotuar se do të mbështesim çdo projekt për shkolla, qendra shëndetësore, shërbime sociale, furnizimin me ujë dhe çdo projekt tjetër që zoti Olldashi dhe zoti Arben Tafai do të bëjnë për të lehtësuar dhe përmirësuar jetën tuaj, shkollat, shërbimet ndaj, rrugicat ku ju jetoni.
Sikundër kam kënaqësinë e madhe t'ju informoj se ditën e hënë dorëzohen lejet e para të legalizimit. Dëshiroj t'ju siguroj se ky proces do të kompletohet me shpejtësi dhe se zonat tuaja jo vetëm do të legalizohen, por dhe urbanizohen me shpejtësi. Në këtë mënyrë, ne bëjmë një shërbim të madh që ju të shndërroheni në zot legalë të shtëpive dhe oborreve tuaja dhe Tirana dhe Shqipëria fuqizohen shumë më tepër, sepse brenda një kohe të shkurtër në treg hyjnë miliarda e miliarda euro pasuri të ngrira.
Sot, në rrugët, rrugicat, sheshet dhe sallat, në Tiranë, përballen dy qëndrime, dy politika. Përballet politika e fjalës së mbajtur, politika që vë në epiqendër qytetarin me hallet e dertet e tij me politikën e mashtrimit. Përballet politika e duarve të pastra me politikën e duarve të pista. Përballet politika e qëndrimit të ndjeshëm ndaj jush, halleve e derteve tuaja të përditshme me politikën e bllokut dhe të bulevardit.
Ju informoj se këto ditë do t'u paraqesim qytetarëve të Tiranës të gjitha premtimet që ish kryetari i bashkisë ka bërë tre vjet më parë dhe do të shihni se 85 për qind e tyre janë mashtrime dhe vetëm mashtrime. Janë bulevard dhe vetëm bulevard.
Të dashur qytetarë të Tiranës,
Tre vjet më parë, Rama do të paraqiste para jush masterplanin e furnizimit me ujë, sipas të cilit do të investonte 102 milion dollarë. Tre vjet me radhë nuk e mori ujësjellësin në administrim, sepse dinte që nuk e vidhte dot me gonxhet e tij. Nuk ka investuar asnjë qindarkë për ujësjellësin.
Premtoi se do të ndërtonte shkolla dhe se nuk do të kishte klasa me mbi 30 nxënës. Jo vetëm që nuk ka ndërtuar asnjë shkollë, por janë shkatërruar tre shkolla, ka meremetuar katër, dy prej të cilave u ka rënë tavani.
Premtoi se do të ndërtonte kopshte, por ku janë ato. Përkundrazi shndërroi në pallate 12 prej tyre.
Premtoi se do të ndërtonte tramvajin nga Kinostudio në Kombinat, por dje, në Kombinat, i doli përpara vetëm një veshgjatë, si dëshmitar i mashtrimit të tij.
Në Kombinat, paraqiti një tabelë për një projekt prej 33 milion dollarë, të cilat do t'i investonte dhe t'i shndërronte në qendrën më të fuqishme kulturore, sociale dhe të biznesit në Tiranë. Edhe kinoteatrin e ka shndërruar në bingo.
Shkoi në Shkozë dhe ju paraqiti skicat e gonxhes se si do t'i bënte për tre vjet. Isha në Shkozë dhe çdo dyqind metra sheh grumbuj plehrash, të pa tërhequr prej një muaji.
Dhe të gjitha këto në një kohë kur Tirana, gjatë këtyre viteve, e ka pasur buxhetin 1 miliard dollarë. Të gjitha këto sepse nën moton ‘punojmë dhe vjedhim' një pjesë të tyre zoti Rama i shtronte në rrugë, se aty nuk kuptohet vjedhja, të tjerat ia jepte gonxhes dhe Dashit të tij. Zoti Olldashi deklaroi sot se pallati që po ndërtohet në mes të rrugës është i Dashit. Por jo, ai është i Ramës dhe Dashit. A ka mundësi që kryetari i bashkisë t'a japë rrugën për të ndërtuar pallat, në qoftë se ai nuk do të ishte pallati i tij? Kjo nuk mund të ndodhte kurrë. Të 13 katet, sikundër dhe muzeu i Pezës janë të dyja të përbashkëta, të Ramës dhe Dashit, manarit të tij. Unë ju garantoj se as Rama, as gonxhe dhe as Dashi nuk do ta gëzojnë pallatin dhe do ta lëshojnë rrugën.
Besoj se e keni vënë re se zoti Rama është zhytur në vetmi. Sot, në sallën e bashkisë kishte mbledhur kryetarët e minibashkive dhe disa pensionistë dhe këtë takim ia servirte kryeqytetit si takim me biznesmenë. Ai është në ditët e fundit. Ndaj ju ftoj që në datën 18 shkurt të marrim pjesë të gjithë në votim, të votoni për Sokol Olldashin dhe Arben Tafain, sepse keni votuar për të vazhduar së bashku luftën kundër krimit të organizuar, kundër korrupsionit, për t'ia kthyer qytetin qytetarëve, keni votuar për begatinë dhe integrimin, për një mjedis të pastër, keni votuar për njëri-tjetrin, keni votuar për Shqipërinë."