Sot në mesditë, Kryeministri Berisha inauguroi nisjen e punimeve për ndërtimin e autostradës Kalimash - Morinë, pjesë integrale e korridorit Durrës - Kukës - Morinë. Në shenjë simbolike, K
Sot në mesditë, Kryeministri Berisha inauguroi nisjen e punimeve për ndërtimin e autostradës Kalimash - Morinë, pjesë integrale e korridorit Durrës - Kukës - Morinë. Në shenjë simbolike, Kryeministri shkeli butonin e detonimit për shpërthimin e parë në gërmimet për tunelin Thirre-Kalimash 5.65 kilometra. Ky tunel do të jetë një nga më të gjatët në Ballkan dhe do të kërkojë gërmimin e 1 milionë metër kub material shkëmbor.
Autostrada, me 4 korsi kalimi dhe gjatësi 60.85 kilometra, ku përfshihet edhe tuneli 5.65 km, po ndërtohet nga kompania amerikane Bechtel dhe kompania turke Enka Joint Venture. Ajo është parashikuar të përfundojë në korrik të vitit 2009. Kjo autostradë është projekti më i madh i infrastrukturës rrugore në Shqipëri.
Në realizimin e këtij projekti, kompanitë Bechtel dhe Enka do të punësojnë një personel prej rreth 2500 personash, ku në një përqindje të konsiderueshme do të ketë edhe punëtorë shqiptar.
Duke theksuar rëndësinë e ndërtimit të kësaj rruge, Kryeministri Berisha bëri këto komente:
"Sot, nis tuneli më i gjatë që ekziston në vend, por edhe në rajon, tunel i cili bën të mundur shkurtimin e distancës ndërmjet Tiranës dhe Prishtinës, midis Kukësit dhe Tiranës, Durrësit. Ky tunel do të ndërtohet sipas parametrave më modernë të kohës, do të respektojë të gjitha masat e domosdoshme të sigurisë së tuneleve, edhe ato të cilat janë shtuar pas disa problemeve të krijuara në Evropë me tunelet e gjata.
Me këtë rast, le të përshëndesim, nga ky vend, së pari të gjithë taksapaguesit shqiptarë sepse kjo është vepër e mundit dhe djersës së tyre. Të përshëndesim të gjithë ekipin e drejtorisë së rrugëve dhe Ministrisë së Punëve Publike, ekipin e Ministrisë së Financave në përkushtimin e tyre të madh në zbatimin e këtij projekti. Përshëndesim kompanitë shqiptare dhe të huaja, kompaninë Bechtel, kompaninë Enka, të cilët sjellin këtu ekspertizën nga më të avancuarat në botë. Le të ndjekim së bashku hapjen e portalit me eksploziv.
I pyetur nga mediat, nëse janë të gjitha fondet për të përfunduar realizimin e kësaj vepre, Kryeministri u shpreh: "Në fakt janë fondet, jo vetëm për këtë vepër, por edhe për të realizuar disa vepra të tjera. Në vitin 2009 mbaron e tërë autostrada Durrës- Morinë, si dhe disa vepra të tjera të rëndësishme.
Kryeministri, shoqërohej në këtë inagurim nga Ministri i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacioneve Lulëzim Basha, përfaqësues të qeverisë së Kosovës, përfaqësues të qeverisjes vendore në Kukës, deputetë të zonës, etj.