E Diel, 1 Nëntor 2026

Pas vizitës në Fushë-Arrëz, Kryeministri Berisha u ndal në Pukë, ku u takua me banorë të këtij qyteti. Në fjalën drejtuar banorëve, Kryeministri theksoi mbështetjen e plotë të qeverisë

Pas vizitës në Fushë-Arrëz, Kryeministri Berisha u ndal në Pukë, ku u takua me banorë të këtij qyteti. Në fjalën drejtuar banorëve, Kryeministri theksoi mbështetjen e plotë të qeverisë për të gjitha projektet e zhvillimit të këtij qyteti, që përmirësojnë jetesën dhe shërbimet ndaj tyre. Kryeministri, ndër të tjera, u shpreh:

"Së pari, dëshiroj të përulem me nderim dhe mirënjohje të thellë, me respekt të veçantë para jush, qytetarë të Pukës, për besimin e madh që ju shprehët tek Partia Demokratike, për votën tuaj me të cilën ju sollët në parlamentin shqiptar dy deputetë.

Me votën tuaj, ne ia dolëm të firmosim Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, të shembim muret që kishin bllokuar procesin e integrimit.

Me votën tuaj, ne ia dolëm të marrim mesazhin nga Samiti i Rigës, në të cilin Shqipëria vlerësohet si një vend që mund të marrë ftesën për anëtarësim të plotë në NATO, në Samitin e ardhshëm të zgjerimit.

Me votën tuaj, ia dolëm të shtypim krimin në të katër anët e vendit, t'i arrestojmë dhe vendosim para ligjit të gjithë bandat e banditët e lidhur me politikën e jashtë saj. Ne e shndërruam Pukën dhe Shqipërinë në një vend ndër më të sigurt në Evropë.

Me votën tuaj, ne hapem dyert e universiteteve për fëmijët tuaj dhe fëmijët e gjithë Shqipërisë.

Me votën tuaj, ne rritëm pensionet më shumë se në 15 vitet e fundit, duke vendosur pensionin minimal 100 mijë lekë në qytet dhe 50 mijë lekë në fshat.

Me votën tuaj, ne rritëm rrogat e arsimtarëve 23 për qind, të infermierëve 25 për qind, të punonjësve në tërësi 20 për qind.

Me votën tuaj, ne asfaltuam rrugën Fushë-Arrëz-Kukës, ne inauguruam dhe vazhdojnë punimet në korridorin e madh Durrës-Morinë e dhjetëra projekte të tjera.

Me votën tuaj, ne përgjysmuam taksat për biznesin e vogël, ulëm me 1/3 kontributin për sigurimet shoqërore, ulëm me 33-45 për qind çmimin e energjisë. Ne jemi përpjekur që votën tuaj ta shndërrojmë në mirësi për të rinjtë, infermierët, rrogëtarët, biznesmenët shqiptar, për të gjithë shqiptarët.

Jam sot, këtu, për t'ju bërë thirrje që më 18 shkurt të votoni kandidatin e koalicionit më të madh në historinë e Shqipërisë. Votoni në Pukë inxhinierin e talentuar, birin tuaj të shquar Ferit Ringaj. Unë ju premtoj se qeveria do të financojë të gjitha projektet e zotit Ringaj për Pukën dhe, së bashku me të, do të presim shirin e rikonstruksionit të plotë të rrugës Pukë-Vau i Dejës, do të inagurojmë konstruksionin e plotë të ujësjellësit tuaj, do të modernizojmë shkollat e këtij qyteti dhe shërbimet sociale.

Në këtë takim e mori fjalën dhe një nga biznesmenët e shkëlqyer, të talentuar e të mençur të vendit, zoti Radovani. Zoti Radovani, para qytetarëve të Pukës ju jap fjalën se shpenzimet për kualifikimin e të gjithë vajzave, grave dhe djemve të Pukës do t'i marrë përsipër qeveria e koalicionit. Zoti Radovani, më premtoi se, pas dyfishimit të punonjësve në Pukë, do të hapë një fabrikë të madhe në Fushë-Arrëz. Atje u zotova dhe këtu zotohem se qeveria do të kontribuojë në kualifikimin e plotë të punëtorëve dhe në infrastrukturën përreth saj.

Gjithashtu kam kënaqësi të shoh realisht të ringjallet perspektiva e madhe e minierave dhe turizmit në rrethin tuaj. Sikundër shfrytëzimi racional i pyjeve do të jetë një tjetër prioritet madhor i qeverisë.

Ftoj banorët e rrethit të Pukës të votojnë të gjithë kryetarët e komunave dhe ju premtoj se do t'i mbështesim të gjithë ata në projektet e tyre për infrastrukturën, për asfaltimin e rrugës Qafë Qerret-Qerret dhe në projekte të tjera të rëndësishme që ndryshojnë jetën e komuniteteve tuaja.

18 shkurti është një provë e shkëlqyer për ne. Le t'i faktojmë çdo qytetari të Pukës dhe të Shqipërisë se do të votojmë si qytetarë të lirë dhe me dinjitet të plotë.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›