E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha përshëndeti sot paradite seminarin për çështjet e sigurisë, organizuar nga Ministria e Mbrojtjes dhe ambasada amerikane në Tiranë. Në fjalën e tij, Kryeministri, ndër

Kryeministri Berisha përshëndeti sot paradite seminarin për çështjet e sigurisë, organizuar nga Ministria e Mbrojtjes dhe ambasada amerikane në Tiranë. Në fjalën e tij, Kryeministri, ndër të tjera, u shpreh:

"Është një kënaqësi e veçantë për mua t'ju përshëndes dhe t'ju uroj sukses të plotë në mbarëvajtjen e këtij seminari, i cili organizohet në një moment kohor shumë të rëndësishëm për Shqipërinë dhe për të ardhmen e saj euro-atlantike.

Përfitoj nga ky rast për të falënderuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Presidentin Bush, Sekretarin e Mbrojtjes për përparësinë që i kushtojnë bashkëpunimit me Shqipërinë në mënyrë të veçantë në fushën e sigurisë dhe të mbrojtjes, si dhe për ndihmën e pakursyer dhe përkrahjen e vazhdueshme që po i japin Shqipërisë për t'u integruar në NATO.

Ky seminar është një dëshmi tjetër e këtij kujdesi të vazhdueshëm. Nuk mund të lë papërmendur vëmendjen e ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Tiranë dhe të Zyrës së Bashkëpunimit Ushtarak me SHBA-të në Ministrinë e Mbrojtjes për punën që po bëjnë në interes të rritjes së ndërveprimit të Forcave tona të Armatosura. Gjithashtu një falënderim të veçantë u drejtoj lektorëve të nderuar që janë sot, këtu, me ne, si dhe stafit të Qendrës për Marrëdhënie Civile-Ushtarake të Akademisë pasuniversitare me qendër në Moterei të Kalifornisë.
Siç u theksua qartë në deklaratën e Samitit të Rigës, Shqipëria ka hyrë tashmë në fazën finale të përgatitjeve të saj për anëtarësim në NATO. Për të kurorëzuar me sukses këtë objektiv kombëtar madhor, Qeveria shqiptare po ndërmerr reforma të thella, politike, institucionale, në fushën e mbrojtjes e të gjithanshme për te përmbushur të gjitha kërkesat dhe standardet e anëtarësimit.

Si vend i ardhshëm anëtar i NATO-s, Shqipëria ka hyrë tashmë në fazën finale të përgatitjeve të saj për anëtarësimin në NATO. Për të kurorëzuar me sukses këtë objektiv kombëtar madhor e historik qeveria shqiptare po ndërmerr reforma të thella politike, institucionale në fushën e mbrojtjes dhe të gjithanshme për të përmbushur të gjitha kërkesat dhe standardet e anëtarësimit. Si vend i ardhshëm në potencial anëtar i NATO-s, Shqipëria angazhohet te plotësoje detyrimin e çdo vendi anëtar kundrejt sigurisë së përbashkët, në radhë të parë, duke garantuar siguri të plotë brenda vendit, por edhe në rajon e më gjerë.

Kjo kërkon forcimin e strukturave të sigurisë dhe përsosjen e standardeve të tyre në përputhje me ato të Aleancës të Atlantikut të Veriut, si dhe konsolidimin e aftësive të Forcave tona te Armatosura për të përballur me sukses me rreziqet që i kanosen sigurisë në raste emergjencash, krizash, apo kërcënimesh të tjera si terrorizmi ndërkombëtar dhe lufta.

Strategjitë që ne kemi përcaktuar për parashikimin dhe përballjen me sfidat e sigurisë duhet të përditësohen rregullisht. Qeveria është e vendosur të bëjë të gjitha përpjekjet që misioni dhe përgjegjësitë e institucioneve të mbrojtjes dhe të sigurisë, koncepte mbi të cilat ato bazojnë strategjitë e ruajtjes së sigurisë si dhe bashkërendimi i punës dhe aktiviteteve të tyre duhet t'u përshtaten plotësisht standardeve të NATO si përsa i përket organizimit, por edhe përsa i përket cilësisë dhe aftësisë së ndërvepruese.
Të nderuar pjesëmarrës,

Sot jetojmë në një epokë të re të sigurisë dhe të mbrojtjes ku rreziqet dhe kërcënimet janë të ndryshme. Rreziqet e sotme po bëhen gjithnjë e më shumë rajonale, globale, të paparashikueshme, asimetrike. Një tjetër karakteristikë e botës të sotme globale është se asnjë shtet nuk mund të sigurojë paqe, siguri dhe prosperitet të qëndrueshëm duke vepruar më vete. Rreziqet dhe krizat e sotme duhet të menaxhohen me shpejtësi atje ku ato shfaqen dhe nuk duhet të lihen të përhapen e të zgjerojnë zonën e veprimit të tyre. Ashtu si NATO-ja po transformohet për të luajtur një rol të ri për garantimin e sigurisë globale, po kështu Forcat tona të Armatosura kanë hyrë në një seri transformimesh të rëndësishme që synojnë t'i lejojnë ato të shpalosen denjësisht përkrah ushtrave të aleatëve tanë në NATO në shërbim të paqes. Reforma ushtarake konsiston në një transformim të thellë të konceptit strategjik e të doktrinës të menaxhimit të personelit, të strukturës organizative, të infrastrukturave ushtarake, të stërvitjes dhe arsimimit, të sistemeve dhe të pajisjeve e shumë elementeve të tjerë. Misioni strategjik i forcave të Armatosura bazohet në tre shtylla kryesore të transformimit. E para, në zhvillimin e zbatimin e një strategjia veprimi nga Riga në Uashington, për përmbushjen e të gjitha kërkesave ushtarake të Membership Action Plan si dhe me qëllim integrimin e vendit të NATO dhe përmbushjen e detyrimeve si një vend aleat. Së dyti, në zhvillimin dhe konsolidimin deri në vitin 2010 të një force cilësore tërësisht profesioniste për përmbushjen e misioneve të tashme dhe të ardhshme. Së treti, në transformimin e Forcave të Armatosura në një forcë me kapacitet e cilësi të bashkuara, pra një forcë ushtarake e tipit join, më e vogël në numër, por me cilësi operacionale më të shumta se forcat aktuale për përmbushjen me sukses të spektrit të gjerë të misioneve në të ardhmen, pra një ushtri profesioniste e mirë pajisur dhe mirë stërvitur me aftësi ndërvepruese me Forcat e Armatosura të partnerëve e aleatëve tanë dhe që zotërojnë kapacitete për të qenë sa më e vlefshme në mision me Aleancën e Atlantikut të Veriut.

Qeveria shqiptare do të përkrahë maksimalisht me mbështetje financiare dhe çdo mbështetje tjetër këto reforma të Forcave të Armatosura. Buxheti i mbrojtjes do të kapë shifrën 2 për qind e PBB që në vitin 2008, dy vjet më parë nga sa kishim parashikuar në objektivat tona.

Zonja dhe zotërinj,

Ne jemi krenarë që sot efektiva ushtarake dhe civile shqiptare marrin pjesë në misionet paqeruajtëse në Afganistan, Irak dhe Bosnje-Hercegovinë. Së shpejti efektiva të Forcave tona të Armatosura do të shpalosen edhe në Liban. Ne jemi të vendosur të ofrojmë kontributin tonë në shërbim të paqes në çdo vend apo rajon ku aleatët tanë, NATO dhe SHBA-të do të kërkojnë ndihmën tonë. Ne po shqyrtojnë e rritjes së kontingjentit tonë në Afganistan mbi bazën e kërkesave të reja që komanda e Aleancës së Atlantikut të Veriut u paraqitu vendeve partnere dhe atyre anëtare pak javë më parë në Bruksel. Por sfidat e sotme kërkojnë që Forcat tona të Armatosura të jenë të përgatitura dhe stërvitura për të përballuar jo vetëm rreziqet e luftës apo ruajtjes së paqes, por për të përballuar edhe terrorizmin ndërkombëtar. Aktet barbare në Nju Jork, Madrid dhe Londër, apo edhe në vende të tjera dëshmojnë qartë se asnjë vend nuk është i imunizuar nga ky rrezik, i cili konsiderohet si rrezik kryesor i këtij shekulli për paqen.

Forcat tona të Armatosura duhet të jenë të gatshme të përballen edhe me situatat e emergjencës shkaktuar nga krizat apo fatkeqësitë natyrore, situatat e papritura që ato krijojnë. Sot, në vendin tonë për çështje të sigurisë dhe mbrojtjes punojnë një seri institucionesh, të cilat, me gjithë vështirësitë, po bëjnë punë shumë të mirë, që është për t'u përshëndetur. Sidoqoftë gjykoj se ka vend për një koordinim më të mirë të punës së institucioneve, që ju të nderuar pjesëmarrës përfaqësoni sot këtu, për të cilin ju duhet të diskutoni në mënyrë konstruktive në këtë seminar së bashku me kolegë amerikane dhe lektorë të vendeve të tjera. Megjithëse të gjitha institucionet shqiptare të përfshira në mbrojtjen dhe ruajtjen e siguritë kanë strategjitë e tyre sektoriale është e jashtëzakonisht e rëndësishme që këto strategji, si dhe veprimtaritë e tyre të jenë të mirë koordinuara, gjithëpërfshirëse, ndërinstitucionale për të rritur efikasitetin dhe rezultatet e punës.

Konsolidimi i institucioneve të sigurisë së vendit përbën objektivin më parësor të qeverisë. Ky konsolidim matet me shkallën e sigurisë që këto institucione prodhojnë për qytetarët shqiptarë, për shtetin, rajonin e më gjerë. Qeveria ka ndërmarrë reforma shumëplanëshe për zgjidhjen e problemeve reale që prekin qytetarin shqiptar dhe vendin. Duke u përballuar me sfidat e zhvillimit ekonomik, me luftën me tolerancë zero ndaj korrupsionit, varfërisë, papunësisë, hakmarrjes si dhe përmirësimin e shërbimeve jetësore për qytetarët, luftën kundër faktorëve të tjerë me rrezik të madh siç është terrorizmi, trafiqet, krimi i organizuar. Këto sfida të reja kërkojnë zhvillimin e strategjive të reja sektoriale në diplomaci, ekonomi, mbrojtje, rend, drejtësi, shërbimin informativ, duke i reformuar edhe institucionet përkatëse me synimin për t'u përballuar këto rreziqe me një përqasje bashëkohore në një bashkëpunim të ngushtë me aleatët dhe partnerët tanë rajonalë e globalë. Do të desha të ndalesha në luftën kundër krimit të organizuar. Veçanërisht atij ndërkufitar dhe trafiqeve të paligjshme, të cilat janë po aq të dëmshme për sigurinë kombëtare e rajonale sa edhe rreziqet tradicionale. Ballkani dhe Shqipëria përjetuan një përvojë të hidhur me të dyja këto fenomene gjatë kësaj periudhe. Lufta me tolerancë zero ndaj tyre dhe konsolidimi i shtetit ligjor janë dhe do të mbeten ndër përparësitë më madhore të qeverisë shqiptare. Arritjet dhe sukseset që patëm në këtë luftë gjatë një viti e gjysmë qeverisje u shpërblyem me nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit dhe me deklaratën e Samitit të Rigës, në të cilën Shqipëria u përmend si një vend i mundshëm për të marrë ftesën për anëtarësim në Samitin e ardhshëm të zgjerimit. Por dua të theksoj se këto arritje duhet t'i konsiderojmë si një stacion për të konsoliduar dhe shënuar arritje të mëtejshme në luftën me tolerancë zero ndaj krimit të organizuar, trafiqeve dhe korrupsionit.

Zonja dhe zotërinj,

Duke theksuar edhe një herë se integrimi i Shqipërisë në NATO mbetet objektivi më madhor i politikës sonë të jashtme dhe të sigurisë, por njëkohësisht një nga projektet më madhore të kombit shqiptar në historinë e tij moderne për të një ardhme të sigurt, duke pasur parasysh se integrimi në NATO është, para së gjithash, një proces politik, asociim i vendeve të lira, përfitoj nga rasti t'u bëj thirrje të gjitha forcave politike dhe mbarë shoqërisë shqiptare të japin të gjithë kontributin e tyre për arritjen e standardeve të NATO-s, si dhe t'i siguroj se qeveria do të bëjë të gjitha përpjekjet në këtë drejtim, do të bëjë çdo përpjekje për të zhvilluar zgjedhje të lira e të ndershme, të vazhdojmë luftën me tolerancë zero ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit, konsolidimit të shtetit ligjor në mënyrë që vendi ynë të meritojë ftesën për anëtarësimin në Aleancën e Atlantikut të Veriut në Samitin e ardhshëm në vitin 2008, që do të jetë Samiti i zgjerimit të NATO-s. Faleminderit."

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›