E Diel, 1 Nëntor 2026

Sot pasdite, Kryeministri Berisha zhvilloi një takim me banorë të Kamzës. Duke përshëndetur qytetarët, Kryeministri theksoi: "Së pari, ju shpreh mirënjohjen më të thellë, respektin ti

Sot pasdite, Kryeministri Berisha zhvilloi një takim me banorë të Kamzës. Duke përshëndetur qytetarët, Kryeministri theksoi:

"Së pari, ju shpreh mirënjohjen më të thellë, respektin tim më të madh për mbështetjen tuaj të jashtëzakonshme ndaj Partisë Demokratike dhe qeverisë së saj. Së dyti, kam ardhur sot për t'u zotuar solemnisht para jush se, së bashku me ju, së bashku me zotin Mziu, do ta shndërrojmë Kamzën, në një nga bashkitë më të zhvilluara të Shqipërisë.

Jam këtu për t'ju siguruar se qeveria do të financojë të gjitha projektet e zotit Mziu, për asfaltimin dhe gjelbërimin e rrugëve dhe të rrugicave të bashkisë së Kamzës, për furnizimin me ujë të pijshëm dhe energji elektrike të kësaj bashkie, për shkolla moderne dhe shërbimet sociale më të mira.

Disa herë kemi ardhur këtu dhe kemi premtuar legalizimet. Kam nder t'ju informoj se javën që vjen fillon legalizimi i zonës së parë me 50 ha. Para mediave, para jush dhe të gjithë shqiptarëve, dorëzohen lejet e para të legalizimit, legalizohen banesat. Unë, këtu, shpreh mirënjohje të thellë ndaj jush, sepse, me një shpejtësi dhe besim të madh, brenda 5 muajve, mbi 400 mijë familje shqiptare, në Kamzë dhe kudo, aplikuan dhe dorëzuan dosjet për legalizimin e shtëpive të tyre.

Ne, jo vetëm nisim javën e ardhshme dorëzimin e tapive dhe të lejeve të legalizimit, por javën e ardhshme instalojmë sistemin më model, sistemin në të cilin, ju, në internet, do të tërhiqni të gjitha dokumentat që ju duhen.

Të dashur qytetarë dhe qytetare të Kamzës! Legalizimi i pronave tuaja përbën një fuqizim të madh ekonomik, jo vetëm të familjeve tuaja, por të mbarë Shqipërisë. Rreth 5 miliardë euro, të ngrira për shkak të mungesës së legalizimit, zhvillohen dhe hyjnë në tregun shqiptar. Unë ju premtoj se ky proces do të shoqërohet me një proces model urbanizimi. Rrugë, shkolla, qendra shëndetësore, shërbime sociale, që të gjitha të nivelit më të mirë.

Ju, kurrë nuk e lëkundët besimin tek ne, por edhe ne kurrë nuk do të lemë pa plotësuar fjalën e dhënë, do të mbajmë fjalën që ju kemi dhënë ju. Kjo është mënyra jonë e të qeverisurit.

Premtuam luftë me zero tolerancë ndaj krimit. Secili prej jush mund të pyes veten se ku janë bandat dhe banditët sot. Janë që të gjithë para ligjit.

Premtuam luftë kundër korrupsionit dhe 600 milionë euro i shpëtuam nga kontrabanda, shpërdorimi i zyrtarëve, evazioni fiskal, zarfi i ministrit apo drejtorit të prokurimeve publike.

Premtuam rritjen e pensioneve dhe vendosëm pensionin 100 mijë lekë në qytet dhe 50 mijë lekë të fshat.

Premtuam rritje të rrogave dhe rritëm 23 përqind rrogat e mësuesve, 25 përqind të infermierëve, 20 përqind të punonjësve të administratës shtetërore.

Premtuam uljen e taksave dhe përgjysmuam taksën për biznesin e vogël, ulëm 33 deri në 45 përqind çmimin e energjisë elektrike për bizneset, ulëm 32 përqind sigurimet shoqërore.

Pra, ne jemi qeveri e fjalës së mbajtur. Premtuam legalizimin, me një platformë të cilën ju e përqafuat me një shpejtësi të madhe dhe ne do ta kompletojmë atë.

Fjala e dhënë është gjë e madhe për moralin e njeriut. Sot, para se të vija tek ju, po shikoja lajmet, shikoja Edvin Ramën në bulevardin e Kombinatit. Po ecte pash më pash bulevardit të Kombinatit dhe takon papritmas, në mes të bulevardit, një gomar. Aty ku ju kishte premtuar se do të kalonte tramvaji, po kalonte sot vetëm veshgjati për ta përshëndetur ish kryetarin. Dhe rastisi tamam ashtu siç duhej, sepse e gjeti në vendin e mashtrimit, aty ku tre vjet më parë u kishte premtuar banorëve se këtu do të kalojë tramvaji më modern. Pas 3 vitesh, takohej me veshgjatin në të njëjtin vend.

Ndaj dhe le të votojmë për Xhelal Mziun dhe unë ju jap fjalën se, të gjitha premtimet e tij, të gjitha premtimet e mia, do t'i shndërrojmë në realitet. Ta bëjmë Kamzën një nga bashkitë më të zhvilluara, më të bukura të Shqipërisë".

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›