E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sot pasdite, nën drejtimin e Kryeministrit Fatos Nano, u zhvillua mbledhja e radhës e Këshillit të Ministrave, ku një vend të rëndësishëm zunë projektligjet dhe vendimet e miratuara për pro

Sot pasdite, nën drejtimin e Kryeministrit Fatos Nano, u zhvillua mbledhja e radhës e Këshillit të Ministrave, ku një vend të rëndësishëm zunë projektligjet dhe vendimet e miratuara për programet sociale të strehimit të banorëve të zonave urbane, për ndihmën ekonomike, të kushtëzuar me punë dhe shërbime në komunitet, etj.

Këshilli i Ministrave miratoi projektligjin "Për programet sociale për strehimin e banorëve të zonave urbane".

Objekti i këtij projektligji është përcaktimi i rregullave dhe proçedurave administrative për mënyrat e sigurimit, të shpërndarjes, administrimit dhe planifikimit të programeve sociale për strehim, me qëllim krijimin e mundësive për strehim të përshtatshëm dhe të përballueshëm, duke u mbështetur në aftësitë paguese të familjeve që kanë nevojë për strehim dhe pwr ndihmën e shtetit. Ligji e shtrin veprimtarinë në tw gjithë territorin nën juridiksionin e bashkive të Republikës së Shqipërisë.

Projektligji përbën një ndryshim radikal të politikave të strehimit të zbatuara gjatë fazës së parë të tranzicionit. Synimi i këtij projektligji është të realizojë një nga objektivat e politikave deçentralizuese të qeverisë, duke përcaktuar rregullat dhe proçedurat e trajtimit me programe sociale strehimi të grupeve të prekshme të shoqërisë me qëllim lehtësimin e sigurimit të një strehimi minimal për këto familje dhe është pjesë e politikave sociale të qeverisë.

Projektligji është pjesë e programit 35 mujor të qeverisë dhe një nga objektivat e parashikuara në Planin e Veprimit për Strategjinë e Strehimit të miratuar nga Këshilli i Ministrave në vitin 2001.

Ky projektligj ka për qëllim:

• të realizojë de facto deçentralizimin e administrimit dhe menaxhimit të strehimit, duke u dhënë organeve të qeverisjes vendore kuadrin e përgjithshëm brenda të cilëve do të duhet të operojnë në fushën e strehimit, e cila sipas ligjit nr. 8652, dt. 31.07. 2000 "Për organizimin dhe funksionimin e qeverisjes vendore" është një nga funksionet e vetë bashkive;

• të reflektojë në politikat e strehimit ndryshimet ekonomike – sociale të vendit

• të krijojë mundësitë ligjore për hapjen e programeve sociale të strehimit që përputhen me objektivat e qeverisë për zhvillimin social, të mishëruar në Strategjinë Kombëtare për Zhvillim Ekonomik e Social,

• të mbështesë politikat e rishpërndarjes së të ardhurave si në aspektin e zhvillimit fizik të rajoneve të ndryshme, ashtu dhe atë ekonomik e social të shoqërisë.

Një element shumë i rëndësihëm i këtij projektligji është edhe dhënia e kompetencave bashkive, si organe të qeverisjes vendore, në menaxhimin e programeve të strehimit konform edhe platformës së decentralizimit.

U miratua vendimi "Për pilotimin e shpërndarjes së fondeve të ndihmës ekonomike, të kushtëzuar me punë dhe shërbime në komunitet".

Vendimi synon rritjen e efektivitetit të përdorimit të fondeve të buxhetit të shtetit, që destinohen për ndihmën ekonomike, delegimin e tyre për familjet pa të ardhura ose me të ardhura të pakta, me qëllim që ato të mbështeten për të përballuar varfërinë dhe më tej për t'u integruar në shoqëri.

Me anë të këtij vendimi, në përputhje me ligjin "Për ndihmën dhe përkujdesin shoqëror" do të pilotohet në disa bashki dhe komuna, delegimi i fondeve të ndihmës ekonomike, njëherësh në fillim të vitit ose për një periudhë 4-mujore, duke u mbështetur në vlerësimin social-ekonomik të familjeve në nevojë të periudhës së mëparshme.

Për pilotimin e projektit njësitë vendore do të kenë të drejtë që mbi bazën e vlerësimit sasior e cilësor të familjeve në nevojë të hartojnë dhe zbatojnë projekte punësimi ose shërbimesh, ku do të angazhohen me punë persona që do të rezultojnë të aftë për punë, të cilët deri në atë moment kanë përfituar ndihmë ekonomike. Natyra e projekteve të punësimit do të jetë në varësi të komunitetit për të ndërhyrë në infrastrukturë, pastrim ambienti, sisitemimin e sipërfaqeve të gjelbërta, mirëmbajtjen e ambienteve sportive etj.

Masa e pagesës që do të përfitojnë të punësuarit nuk mund të jetë më e vogël sesa paga minimale në shkallë vendi dhe të punësuarit për periudhën që zgjat projekti do të sigurohen dhe në skemën e sigurimeve shoqërore e shëndetësore.

Kështu u miratua projektligji: "Për ratifikimin e marrëveshjes së financimit dhe të projektit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Ministria e Financave, Fondit të Zhvillimit Shqiptar, si Agjenci e zbatimit të Projektit dhe Kreditanstalt Fur Wiedeaufbau (kfW), për projektin "Fondi i Investimeve Sociale- III" .

Projekti "Fondi i Investimeve Sociale-III" është vazhdim i dy projekteve të mëparëshme të zbatuara nga Fondi i Zhvillimit Shqiptar dhe ka lidhje me ndërtimin dhe rehabilitimin e projekteve të infrastrukturës së vogël social-ekonomike në Shqipërinë Veriore dhe Verilindore. Qëllimi i projektit është të përmirësojë infrastrukturën sociale për popullsinë dhe të krijojë një punësim të përkohëshëm dhe mundësi kualifikimi për pjesën më të varfër të popullsisë në Zonën e Projektit. Kjo bëhet për të kontribuar në zhvillimin afatgjatë social-ekonomik dhe për të parandaluar/zvogëluar konfliktet e mundëshme për shkak të problemeve sociale në Zonën e Projektit.

Zona e projektit përfshin 11 bashki dhe konkretisht: Bajram Currin, Bulqizën, Burrelin, Fushë – Arrëzën, Koplik, Krumë, Kukës, Librazhd, Dibër, Pukë dhe Vau i Dejës.

Projekti ka këto objektiva:

• Realizimi i nënprojketeve të infrastrukturës së vogël lokale sipas prioriteteve që do të përcaktohen nga vetë përfituesit në zonat e projektit.
• Rritja e pjesëmarjes së komuniteteve lokale në zgjidhjen e problemeve social-ekonomike të zonës.
• Minimizimi i problemeve sociale.
• Krijimi i punësimit të përkohshëm dhe i oportuniteteve cilësore për shtresat e varfëra të popullsisë.

Kostoja totale e parashikuar e projektit është afërsisht 2.75 milion Euro. Shuma e kredisë është 2.300.813.47 Euro, shuma e Kontributit Financiar është 255.645.94 Euro. Kontributi financiar i përfituesve do të jetë 10 për qind e fondit të investimeve.

Komponetët kryesorë të projektit do të jenë:

• Investime në nënprojektet e infrastukturës së vogël në një vlerë prej afro 2 milion Euro, me një mesatare për nënprojekt deri në 150, 000 Euro.
• Investime në nënprojektet e punësimit intensiv në një vlerë të përafër prej 0,45 milion Euro dhe me një mesatre për projekt deri në 30 milon Euro.

Zbatimi i projektit do të kryhet nga Fondi Zhvillimit Shqiptar dhe afati kohor është 24 muaj.

U miratua projektligji "Për shërbimin publik funeral". Objekti i këtij ligji është përcaktimi i rregullave, proçedurave dhe afateve për organizimin dhe funksionimin e shërbimit publik funeral dhe për administrimin e varrezave në territorin e Republikës së Shqipërisë.

Projektligji trajton proçedurat e zhvillimit të varrimit, administrimin e varrezave, pronësinë e tyre, detyrimin që kanë bashkitë dhe komunat. Ai përcakton qartë se ku bëhet varrimi dhe kush pranohet të varroset në këto varreza. Varrimi në një vend të ndryshëm nga varrezat ndalohet, por projektligji trajton edhe rastet e varrimit jashtë varrezave. Varrimi sipërfaqësor jashtë varrezave bëhet vetëm me dekret të Presidentit të Republikës.

Gjithashtu, në projektligj përcaktohen edhe rastet se kur mund të prishet një varrezë ekzistuese. Prishja bëhet me vendim të këshillit bashkiak vetëm në raste domosdoshmërie të provuara.

Po ashtu, në këtë projektligj trajtohet edhe mënyra e varrimit. Përveç varrimit nëntokësor, trajtohet edhe varrimi mbitokësor. Për varrimin mbitokësor, i cili trajtohet për herë të parë si një mënyrë varrimi e re, do të hartohen teknika të trajtimit dhe të përdorimit, të hapjes së varreve etj. Për këtë do të ketë një rregullore të re.

Në projektligj trajtohen edhe rastet e transportit të kufomës dhe eshtrave njerëzore brenda dhe jashtë shtetit.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›